E ftuar në programin “Historia ime” ka qenë psikologia Almeida Xhaferi.
Ajo tregon se përballë efekteve të pakontrollueshme të natyrës dhe situatës që vendi ynë kaloi njeriu ndihet shumë i dobët, sidomos kur bëhet fjalë për humbje të jetëve njerëzore.
“Kjo ishte një situatë katastrofike, njeriu ndihet shumë i dobët përballë efekteve të pakontrollueshme të natyrës. Për më tepër, kur ka humbje të jetëve njerëzore”.
Përjetimi dhe reagimi pas tërmetit që tronditi vendin tonë është i ndryshëm, disa janë më të ndjeshëm dhe e shfaqin këtë gjë, disa të tjerë janë më të ngurtë, por ka dhe persona që nuk duan aspak të dëgjojnë të përmenden historitë e dhimbshme.
Sipas psikologes, kjo ndodh sepse individët janë të ndryshëm dhe për këtë arsye edhe situata përjetohet në mënyra të ndryshme. Por Xhaferi shton se personat që shfaqin një bllokim emocional janë më tepër shqetësues.
“Ne jemi unikë në mënyrën si secili prej nesh i përjeton situatat. Njerëzit vuajnë në mënyra të ndryshme. I pari njeri që do më shqetësonte më shumë, janë këta njerëz që shfaqin një bllokim emocional, është e këshillueshme që ne të hapim biseda që ata ta çlirojnë veten, të flasin për frikën, panikun, për situatën që kanë frikë ta ripërjetojnë ose ripërmendim, po kështu duhet të bëjmë edhe me fëmijët. Të tregojmë kujdes për të gjitha emocionet dhe t’i japim peshë çdo fjale që ata thonë. Megjithatë në situata të tilla ka një piramidë nevojash, në këtë rregull duhet ndërhyrë”.
Pyetjes së drejtueses së emisionit, Mirela Milori nëse jemi duke e kaluar situatën dhe sesi duhet të veprojmë dhe sillemi më tej, psikologia i përgjigjet: Të gjithë ne e kalojmë më mirë duke iu përkushtuar rutinës sonë, duke rifilluar aktivitetet e zakonshme, duke çuar fëmijët në shkolla, duke biseduar me ta, duke mos jetuar në panik, duke menduar se gjithçka ka kaluar dhe nuk kemi arsye që të shqetësohemi. Toka nuk po lëkundet më aq shumë, lëkundjet janë në ulje, janë më pak të rrezikshme, kështu që kemi të gjitha arsyet logjike për t’u ndjerë më të qetë.