Si do të izolohen në burg kokat e krimit në Shqipëri


Gazeta Express
18 Gusht 2019 16:21

Miratimi i një ligji që mundëson një trajtim të ashpër në burg për personazhet e rrezikshëm të botës së krimit u përcoll me bujë në publik në janar të vitit 2019.

Por zbatimi i vërtetë i tij, izolimi i të dënuarve “VIP” sipas modelit italian “41 BIS” pritet të nisë në shtator.

Periudha disamujore ka shërbyer për bashkërendimin mes institucioneve që listojnë personat që do izolohen dhe për hartimin e rregullores që do të zbatohet në korridoret e monitorimit ekstrem.

Në Itali ky regjim u përdor për të shkëputur marrëdhëniet e bosëve të mafias me botën jashtë qelisë dhe për t’u hequr atyre mundësinë e dhënies së urdhrave nga burgu.

A2 ka siguruar një kopje të urdhrit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për miratimin e rregullores që do të zbatohet në Regjimin e Posaçëm. Ky lloj trajtimi është burgu i vërtetë për “boss”-ët e krimit.

Ai kufizon takimet me familjarët në vetëm 1 në muaj, detyron regjistrimin audio e video të takimit, kontrollon korrespondencën e tij, si edhe kufizon daljen e tij në ajrim.

Në një urdhër pasardhës, ministrja e Drejtësisë përcakton se regjim “41 bis” do të ketë vetëm në dy burgje, në atë nr. 313 në Tiranë dhe në burgun e Peqinit. Burgu 313 është klasifikuar një institucion paraburgimi dhe përveç sektorit të regjimit të posaçëm do të ketë edhe një sektor për bashkëpunëtorët e drejtësisë.

Në të njëjtin urdhër është bërë rikualifikimi i burgut të Fushë-Krujës nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme. Ulja e sigurisë detyron autoritetet të zhvendosin ata që vuajnë dënime të rënda, çka solli nënshkrimin e një peticioni kundërshtues nga 88 prej tyre.

Te fundit


Kthehu lart