Nga një janari i këtij viti, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për metër kub uji në disa prej qyteteve të Kosovës, raporton Express
Ujin për 1 cent më shtrenjtë do ta paguajnë në fund të këtij muaji konsumatorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, KRU “Gjakova”, ndërkaq ata të KRU “Bifurkacioni” do ta paguajnë 2 centë më shtrenjtë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Rregullator, rritje ka pasur vetëm në tarifat për ujin e pijshëm, derisa në ato për ujin joshtëpiak ka pasur ulje prej dy centë.
Ndërkaq ndryshime në faturë nuk do të kenë konsumatorët e KRU “Hidrodrini” në Pejë, KRU “Mitrovica” e “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një qytetar shpenzon rreth 90 litra ujë në ditë.
Në Kosovë, 78 për qind e popullatës furnizohet me ujë të pijshëm përmes sistemeve publike të menaxhuara nga kompanitë rajonale të ujësjellësit. Qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.
Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok, Batllava në Podujevë, Badoci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibri në Mitrovicë, Morava e Binçës në Anamoravë dhe Lepenci në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.
Dashamirës të kuzhinës italiane në Prishtinë, përgatituni për të shijuar pasta, pica dhe sallata të shijshme, pasi Vapiano është...