Shteti nga i cili vijnë më së shumti udhëtarë në Aeroportin e Prishtinës


Gazeta Express
10 Gusht 2019 9:46

Këtë vit është rritur numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

E mërgimtarët që më së shumti po zgjedhin që përmes këtij aeroporti të vijnë në vendlindje janë ata që jetojnë në Zvicër.

Kështu ka thënë në një intervistë, Valentina Gara, zëdhënëse në ANP “Adem Jashari”.

Ajo ka shtuar gjithashtu se këtë vit është rritur numri i udhëtarëve për 12%.

“Tani është sezoni veror, i kemi pushimet dhe mirëpresim diasporën të cilët e përbëjnë pjesën më të madhe të udhëtarëve tanë. Në 7 mujorin e parë të këtij viti kemi pas rritje rreth 12% të numrit të udhëtarëve sesa në vitin paraprak. Pjesa dërmuese e udhëtarëve janë nga Zvicra, fluturimet nga Zvicra janë me numrin më të madh po ashtu edhe udhëtarët”, ka thënë ajo për arbresh.info.

Gara ka shtuar se nuk ka vonesa të aeroplanëve gjatë sezonit të verës pasi që janë përgatitur.

“Vonesat mund të ndodhin gjatë sezonit dimëror për shkak se ne jemi të përgatitur si burime njerëzore ashtu dhe me teknologji, edhe kohët e fundit e kemi bërë një investim në pajisje dhe jemi të përgatitur për të pritur çfarëdo fluksi të udhëtarëve”, ka thënë ajo.

Zëdhënësja e Aeroportit ka thënë se kompanitë e kanë përgjegjësi t’i lajmërojnë udhëtarët për vonesa e këta të fundit mund të ankohen në Ministrinë e Infrastrukturës për shërbim jo të duhur.

“Është përgjegjësi e kompanisë ajrore të njoftoj udhëtarët e saj për ndonjë vonesë apo anulim të fluturimit, po ashtu çdo udhëtar që nuk merr shërbim të duhur nga kompania ka të drejtë të ankohet në departamentin e Aviacionit Civil brenda në Ministrinë e Infrastrukturës ku edhe i kanë zyrat në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës”, ka thënë ajo.

Ndryshe veç udhëtimit me aeroplan, një numër i madh i mërgimtarëve kanë zgjedhur që në vendlindje të vijnë përmes veturave.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme kolona të gjata janë krijuar në vendkalimet mes Kosovës dhe Serbisë si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Disa herë është bërë thirrje të kalohet në pikat tjera kufitare veç Merdares për të shmangur kolonën.

Te fundit


Kthehu lart