Shkruan Berat Buzhala: Shteti i bërë synet nga Devollët


Gazeta Express
14 Maj 2019 21:09

Rreth pesë vite më parë Devollët e patën organizuar një syneti në të cilën kishte marrë pjesë i gjithë shteti i Kosovës. Patën marrë pjesë politikanët dhe gazetarët më të njohur. Organi që ishte bërë synet para pesë viteve është rritur. Tash është kthyer në drejtim të fytyrave tona. Kemi shumë pak opcione para hundës.

Shkruan: Berat Buzhala

Javën e kaluar bashkëthemeluesi i Facebook’ut, Chris Hughes, në një shkrim autorial të shkruar për The Neë York Times i bëri thirrje qeverisë amerikane që nëse dëshiron ta shpëtojë demokracinë dhe vlerat amerikane ata duhet ta dezintegrojnë rrjetin më të madh social në botë.

Hughes, i cili së bashku me Mark Zuckerbergun diku në dhomat e fjetjes së konvikteve të Harvardit e kishin ideuar dhe themeluar Facebook’un, shkruante se ky gjigant ishte bërë i rrezikshëm. Sipas tij, Facebook e kishte tejkaluar misionin për çka ishte krijuar dhe se cimeri i tij, Marku, nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për ta mbajtur atë nën kontroll. Prandaj, Hughes propozon që Facebook ta ndahet, e bashkë me të edhe Instagram dhe WhatsApp. Të tri këto shërbime, brenda një dite, përdoren nga mbi 2 miliardë njerëz.

Sipas bashkëthemeluesit të Facebook’ut, pronari aktual, Mark Zuckerberg, nuk është duke e shkelur asnjë ligj me punën e tij, madje besonte që edhe është djalë i mirë dhe ka qëllime të mira, mirëpo, shtonte ai, ky gjigant biznesor, vlera e të cilit në treg konsiderohet afër 1 bilion dollar, po shkon në kundërshtim me vetë idenë e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Amerika është ndërtuar mbi idenë që fuqia nuk duhet të koncentrohet tek një indvid, sepse thotë ai, ne të gjithë jemi të gabueshëm. Sipas Hughs, Amerika u ndërtua mbi konceptin e kontrollit dhe balancit të pushteteve.

“Ata (etërit themelues të Amerikës) nuk kanë pasur nevojë që ta shohin rritjen e Facebook’ut për ta kuptuar kërcënimin që kompanitë gjigante ia paraqesin demokracisë”, shkruan Hughes, duke shtuar që Thomas Jefferson dhe James Madison ishin lexues të pangopur të Adam Smithit, “i cili besonte që monopolet ekonomike e pengojnë konkurrencën, e cila është shtytësja kryesore e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik”.

——————————————————————————————————————–
Mirëmbrëma të gjithëve

Po besoj që shumë prej jush e keni ndjekur sado pak Kuvendin e Kosovës, e nëse keni qenë edhe më të pafat e keni dëgjuar edhe ndonjë fjalim të shkretë të mbajtur aty.

E kam fjalën për seancën që ishte thirrur për Telekomin e Kosovës, kompani kjo që është në orët e fundit të jetës së vet. Kjo mund të duket jetë e shkurtër për një kompani të telekomit, por marrë parasysh nëpër çfarë ka kaluar këto 10 vjet, ajo e ka tejkaluar çdo parashikim. Telekomi është mjelë paturpësisht dhe në mënyrë kriminale nga kompania Z-Mobile, respektivisht pronari Blerim Devolli. Ajo është mjelë duke mos e ushqyer. Tash së fundmi, kur nuk ka më qumësht aq sa ka kërkesa Blerimi, ai ka vendosur që s’i kompenzim t’ia thithë gjakun. Për secilin vampir, edhe për Drakulën, një akt i tillë do të konsiderohej, megjithatë, abuzim me profesionin.

Në anën tjetër, vajtimi që sot i bëhej Telekomit në sallën e Kuvendit, nga deputetët, ishte spektakolar. Ishte pak a shumë sikur fjalimin përfundimtar në një ceremoni të varrimit ta mbante ai që e kishte vrarë të ndjerin.

Blerim Devolli nuk lindi sot. E as Z-Mobile. Përkundrazi ky biznismen nga Peja, që shumë shpejt do t’i lë pa punë, ka mundësi edhe pa bukë, mbi 3000 familje, ishte dhe mbetet person i respektuar për krerët e politikës së Kosovës. Ai është respektuar, është vizituar, është trajtuar me delikatesë nga shteti, edhe atëherë kur për të është thënë që shumicën dërrmuese të biznesëve i ka të ndërtuara mbi krim dhe korrupsion. Një gjë e tillë nuk i bënte përshtypje askujt. Edhe kur është thënë që pluhurin e shet për qumësht, se ujin e asgjëson për birrë, ai prapë ka vazhduar të konsiderohet si mëkëmbës i ekonomisë së Kosovës. Ai është lavdëruar që po punëson njerëz, ani pse duke i punësuar 50 veta po i shpunësonte 3000 të tjerë.

Mirëpo tashmë është e kotë të numërohen për të kushedi-satën-herë të bërat dhe pabërat e këtij biznismeni llaskuc. Fundja, ai nuk do të ishte askushi nëse nuk do të ishte, parasëgjithash, Hshim Thaçi. Para së ky i fundit të bëhej Kryeministër, Blerim Devolli, bashkë më të vëllain, po e kalonin ditën duke i numëruar centët. Kur ky u bë Kryeministër, centët u shndërruan në miliona. Gjithashtu, fatkeqësisht, nuk ishte vetëm Hashim Thaci. Ishin edhe të tjerë që financuan fushatat zgjedhore me eurot e krimit të Blerimit. Ishin edhe të tjerët që hipën në jahtin e tij. Për të qenë komedia edhe më e madhe, skena politike sot ndahet në dy grupe, në ata që janë me Blerimin dhe në ata që janë me Shkëlqimin. Ata më fatlumët janë edhe më Blerimin edhe me Shkëlqimin.

Legjendat thonë që këta dy vëllezër nuk kanë raporte shumë vëllazërore me njëri tjetrin. Prandaj, polarizimi i tyre e polarizon edhe skenën politike. E polarizon edhe ekonominë e vendit tonë. Kështu për shembull nëse Shkelqimit shteti ia jep të drejtën e homologimit të veturave, atëherë patjetër që duhet t’i jepet diçka edhe Blerimit. Nuk duhet t’i ndajmë. Duhet t’i trajtojmë në mënyrë fer dhe të barabartë. Nëse Shkelqimi e mori homologimin, atëherë Blerimi duhet ta marrë licencën për telefoni mobile. Nëse Shkelqimi ka të drejtë që ta këtë, bie fjala, njeriun e tij në Doganat e Kosovës, atëherë duhet t’ia japim Blerimit të drejtën që ta këtë njeriun e tij në AVUK. Nëse njëri e ka një prokuror të vetin, tjetri duhet ta këtë një gjyqtar të vetin. Pra pak a shumë shtetin tonë duhet ta ndajmë në dy hise, ashtu sic e kanë ndarë Blerimi dhe Shkelqimi pasurinë që ua ka lënë baba Ibrahim. Ndërsa rrëfimet e politikanëve për raportet në mes të dy vëllezërve ta këpusin shpirtin.
“Nuk po flasin me njëri-tjetrin.”
“Marre valla, vëllaznit duhet me kalu mirë.”
“Shkelqimi e ka kriju kabllovikun, tash edhe Blerimi po don me e bo njo.”
“Kur ka vdekë nana nuk kanë folë me njani-tjetrin.”

E çka të bëjmë tash ne?

A t’ua shërojmë zemrat e lënduara edhe me një licencë shtetërore?

“Shkelqimi është i mirë, Blerimi është i poshtër”, thotë njëri.

“Jo jo, gabim ke dëgju. Nuk i njeh ti. Blerimi vec doket qështu, i ka dalë zani, se shumë ma i mirë se Shkelqimi është”, thotë tjetri.

“Mu ma merr mendja që lojna i kanë, se nuk ka mundësi që dy vllaznit me i pasë raportet qëkaq keq sa thuhet”, thotë një i tretë, i cili për ta verifikuar këtë që po e thotë tregon se kur kanë shku për përhajr në shtëpinë e re të Presidentit Thaçi5, kanë shku të dytë bashkë.

“Të sigurt e ki. Hasha i ka pajtu”.

Për ta kontekstualizuar pjesën e parë të shkrimit me pjesën e dytë të tij, vlen të thuhet që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka filluar një debat për ta copëtuar një kompani shumë të madhe, por të ligjshme, sic është Facebook’u, sepse sipas tyre ajo si e tillë po paraqet kërcënim për demokracinë dhe vlerat amerikane, kurse te ne debati kryesor, në mesin e politikanëve, por edhe të disa gazetarëve, është në mos rastësisht shteti po i jep përparësi Shkelqimit përpara Blerimit, ose Blerimit më shumë se sa Shkelqimit. Nëse Shkelqimi ka televizion të vetin, atë duhet ta ketë edhe Blerimi. Kuptohet, për ta bërë një televizion, ai ka shpenzime, prandaj duhet t’i jepet dicka nga shteti.

Është tragjike se si gjendja ka ardhur deri në këtë pikë. Vite më parë, pak muaj pasiqë Gazeta Express kishte kaluar në versionin online, e kemi botuar shkruar një shkrim me titull “Shteti në Synetinë e Devollëve”. Në një aheng familjar, të kësaj familje, ishin bërë bashkë në një sofër politikanët nga të gjitha kampet. Nëse këta politikan kishin mosmarrëveshje në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Kosovës, ose kudo tjetër, aty kishin gjetur paqën dhe harmoninë. Hanin, pinin, këndonin dhe vallëzonin. Mirëpo festa nuk do të përfundonte në restorant. Festa do të përfundonte diku në ndonjë institucion të prokurimit publik. Dezert do të ishte ndonjë licencë, ndonjë monopol, ndonjë privatizim, ngjizje të ndonjë klani televiziv, a, tek më e fundit, ndonjë vendim për konsull të nderit.

Që nga koha kur është shkruar ai shkrim, e deri më tash, gjendja në këtë aspekt nuk është përmirësuar. Qeveritë janë ndryshuar. Edhe kryeministrat. Edhe presidentët. Mirëpo jo edhe Shkelqimi dhe Blerimi. Ata janë konstantja e pushtetit. Përfituesit më të mëdhenj. Ata po e bëjnë synet shtetin e Kosovës, i cili kohë më parë kishte marrë pjesë në synetinë e tyre.

Secili krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhej të bëhej me dorëza higjenike. Do të ishte ofendim i madh që Zuckerberg të krahasohej në çfarëdo forme me Blerimin dhe Shkëlqimin, mirëpo për hir të argumentimit po ua japim këtë mundësi. Amerikanët dëshirojnë ta vejnë nën kontroll këtë kompani private, ta vëjnë nën kontrollon Markun, veç pse biznesi i tij privat është rritur përtej kufijve të pranueshëm, sipas parametrave të Adam Smithit. Sepse sipas tyre ajo po bëhet pengesë për demokracinë.

Ne, në anën tjetër, më shumë se sa për demokracinë po brengosemi nëse kemi arritur që Blerimit dhe Shkëlqimit t’ua ndajmë resurset shtetërore në mënyrë proporcionale. Mos rastësisht po hyjmë në gjynah me njërin ose tjetrin.

Është e kotë të flitet këtu për dëmin që demokracia e jonë e pëson prej kësaj kategorie biznesmenësh. Për ata që dëshirojnë ta shohin ajo është aq e dukshme sa nuk ka nevojë për elaborim. Për ata që nuk dëshirojnë ta shohin asnjë elaborim nuk është i mjaftueshëm.

Te fundit


Kthehu lart