Shtetet e Bashkuara konfiskojnë 52 mijë pjesë armësh të importuara nga Kina


Gazeta Express
25 Gusht 2019 10:36

Zyrtarët federalë të Shteteve të Bashkuara i kanë konfiskuar më shumë se 52 mijë pjesë të armëve të zjarrit, të cilat kishin arritur në territorin e këtij shteti në mënyrë ilegale nga Kina.

Këto pjesë kishin arritur përmes tri dërgesave dhe kanë një vlerë të përgjithshme prej 378 mijë dollarësh. Lajmin e bëri të ditur Agjencia për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare përmes një deklaratë për shtyp.

Pjesët e armëve kishin ardhur në Shtetet e Bashkuara për një periudhë prej tre muajsh dhe ishin të destinuara për një dyqan për shitjen e armëve, tha zëdhënësi i kësaj agjencie, Jaime Ruiz.

Shtetet e Bashkuara kanë rregulla të ashpra për importimin e prodhimeve të ndryshme nga shtetet që u ka vënë emargo, përfshirë Kinën. Embargoja për armë ndaj Kinës ishte vendosur në vitin 1989 për shkak të shtypjes së përgjakshme të kryengritjes në sheshin “Tiananmen”.

“Ky konfiskim është shembull i jashtëzakonshëm i vigjilencës dhe përkushtimit të zyrtarëve tanë në zbatimin e rregullave për embargo ndaj armëve”, tha Carlos Martel, drejtor i operacioneve në terren i agjencisë së doganave në Los Angeles.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë akuzuar zyrtarisht asnjë person lidhur me këtë rast, por janë duke zhvilluar hetime ndaj blerësve të këtyre pjesëve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart