Shtesat - Gazeta Express
string(7) "shtesat"

Gazeta Express

25/02/2020 11:07

Shtesat

Gazeta Express

25/02/2020 11:07

Kjo ekspozitë shfaqet në formën e intervenimit në hapësirë, përkatësisht në hapësira të cilat janë vend banime ose vende biznesi

Blerta Hoçia, kuratore

Lexo Edhe:

Duke vështruar për një moment nga natyra dhe mënyra se si ajo vepron, vërejmë se ekzistojnë disa vendbanime të padukshme dhe po ashtu të përkohshme e të përhershme. Ato i shtohen një objekti kryesor, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk vihen re menjëherë. Në rastin e foleve, këto vendbanime të zogjve, intervenimi është i një delikatese të tepruar.

Sipas filozofit francez Gaston Bachelard “një folé – dhe këtë e kuptojmë menjëherë – është diçka e përkohshme, dhe megjithatë na bën të ëndërrojmë për sigurinë. Pse kjo pasiguri qartësisht e dukshme nuk e ndërpret këtë lloj ëndërrimi?“

Vetë fjala folé sugjeron diçka të ngrohtë, të mbrojtur e të sigurt, diçka e mbrojtur dhe e sigurt mendohet se duhet të jetë edhe e fshehur mirë. Të gjitha karakteristika këto që përmbushen në konceptin e folesë. Ajo është aty, e arritshme lehtë por në të njëjtën kohë edhe e padukshme për syrin e pavëmendshëm.

Pra foletë mbeten diçka qe i shtohet një hapësire tjetër pa u vënë re, nën të njëjtën frymë të padukshmërisë me të cilën janë shndërruar edhe hapësirat e qyteteve.

Kjo ekspozitë shfaqet në formën e intervenimit në hapësirë, përkatësisht në hapësira të cilat janë vend banime ose vende biznesi.

Hapësira këto, që si ndodh shpesh në qytetet tona, janë shtesa të vogla apo të mëdha që iu bashkëngjiten atyre ekzistuese, në një makth vendbanimesh të mbijetesës reale apo të pangopësisë ndërtuese.

Me kalimin e kohës këto hapësira, me fizionominë e të përkohshmes janë asimiluar aq mirë nga qyteti sa janë bërë të padukshme dhe pakthyeshmerisht të përhershme.

Intervenimi ynë konsiston në identifikimin e atyre hapësirave që janë dukshëm të tepërta. Këto vende do të shndërrohen, në kohëzgjatjen e ndërhyrjes, në hapësira ekspozuese duke u dhënë mundësi artistëve të rezidencës si në këtë por edhe në edicionet e ardhshme të hulumtojnë ato pjesë të qytetit të shtuar. A nuk perceptohet vetë jetesa ne të si e tepërt, e ngarkuar dhe pa frymëmarrje?

Punët e artistëve të rinj që vendosen në foletë – shtesa, trajtojnë pikërisht këto tema dhe mbi të gjitha ato mund të shihen si një manifest i të drejtës për të ekzistuar, ku e përkohshmja dhe e përhershmja flenë në prehër të luftës për mbijetesë. Ato bashkëveprojnë brenda një vendbanimi të sajuar për pak kohë i cili shpërthen prej tensionit të kundërshtimit dhe rezultat këtij shpërthimi është një big bang ndërtesash, shtesash pa leje dhe hapësirash publike të përvetësuara.

/Teksti i ekspozitës INFRARED: ADDITIONS