Shtëpitë e seksit që nuk i kontrollon askush – aty mund “të pushoni” dhe paguani tinëz


Arlena Krivenjeva
21 Mars 2019 18:18

Me një çmim prej 5 – 150 euro, kosovarët mund të zgjedhin që të “pushojnë” apo të flenë në motele që gjenden në çdo cep të Kosovës. Këto vende të famshme që kanë qindra vizita në ditë, krahas atyre të masazhit, janë nën llupën e organeve të rendit nën dyshimet se aty kryhet prostitucion. Por, pronarët e punëtorët e tyre në biseda për Express, deklarohen se ata lejohen të punojnë pa regjistra e kamera të sigurisë. Madje, vizita edhe pagesa në to kryhet krejtësisht fshehurazi. Policia, ndërkaq, po planifikon bastisje në këto vende “sensistive”

Arlena Krivenjeva

 Me vetëm një thirrje përmes telefonit, në faqet e shumta të moteleve të cilat mund të gjendet lehtësisht në Facebook, mund të aranzhohet fjetja, e edhe pushimi, siç i referohen punëtorët e pronarët, pa asnjë dokument që identifikon se kush po e kërkon këtë shërbim.

Madje, në numrin e madh të moteleve që i ka Kosova, nuk mbahen as regjistra dhe pagesa mund të kryhet në një mënyrë krejt të veçantë – i gjithë ky proces bëhet fshehurazi.

Në këto vende që gjenden në çdo cep të Kosovës, nuk ka as kamera të sigurisë të vendosura jashtë objektit, vetëm dhoma në të cilat çdo ditë qëndrojnë mijëra klientë.

Gazeta Express ka kontaktuar disa motele (emrat e bizneseve nuk do të ceken në tekst), e të gjithë këta kanë treguar për mënyrën e veçantë si bëhet pagesa.

“Nuk ka nevojë për asnjë dokument identifikimi, ju mund të vini te ne kështu siç dakordohemi përmes telefonit, ju tregojmë dhomën në të cilën keni me pushu dhe ju shkoni drejt aty”, thotë njëri nga pronarët, duke treguar pastaj edhe për mënyrën e pagesës.

“Që me mbet gjithçka anonime, ju pasi që të hyni brenda, i futni paratë në një kuti të vogël e cila gjendet pranë derës së dhomës dhe pastaj ne vijmë i marrim. Kur të kryeni pushimin mund të largoni nuk ju vëren askush, as nuk kemi kamera as asgjë që mund të ju rrezikojë”, shton, duke treguar edhe çmimet që duhet të paguhen për të pushuar (që konsiderohet qëndrimi deri në tri orë) e për të fjetur.

“N’varet krejt çfarë dhome dëshironi, nëse doni veç me pushu, mundeni me pagu 10 euro tri orë qëndrimi, nëse doni dhomë VIP është pak më shtrenjtë. Kemi edhe saunë, bazent, por rritet çmimi”, shtojnë këta punëtorë të moteleve.

Për të parë se a mbajnë regjistra të njerëzve që hyjnë e dalin, Express ka kontaktuar disa motele të ndryshme, në rajone të ndryshme, e të gjithë këta janë përgjigjur njëjtë – nuk kanë as kamera e aq më pak regjistra.

Në këtë mënyrë, këto vende mund të jenë potencialisht strehë për persona të kërkuar nga Policia e Kosovës, e tash së fundmi janë në llupë të dyshimeve se aty po kryhen edhe veprimtari të jashtëligjshme, siç është prostitucioni.

 Institucionet përgjegjëse as nuk kanë deklaruar se e kanë të detyruar motelet të mbajnë regjistër e edhe kamera jashtë objektit, e në MTI nuk e dinë as a kryhen kontrolle aty.

Për këtë çështje, dje pas një aksioni të udhëhequr nga Policia, që rezultoi me mbyllje të 22 lokaleve të masazheve, u bë e ditur se motelet, por edhe hotelet, janë në kategorinë e bizneseve që po konsiderohet “sensitive”, e nuk u mohua se edhe në to do të bëhen inspektime ashtu siç ndodhi dje.

“Në ato lokale ku mendojmë që ka dyshime e që ne i quajmë sensitive ne bëjmë inspektime. Kontrolli mbi këto biznese, mënyrë e hapjes dhe e funksionit të tyre janë edhe institucionet tjera që i bëjnë”, thanë nga Drejtoria kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të Policisë.

“Përpos në lokale të masazhit jemi duke bërë edhe operacione të tjera edhe në këto lokacione qoftë në lokale të natës qoftë edhe në motele apo hotele që gjenden kudo”, u tha në konferencë, përderisa u shtua se kohë pas kohe veçse kanë bërë inspektime për të parë veprimtarinë e tyre.

Siç mëson Gazeta Express, madje disa herë këto vende ishin të dyshuara për veprimtare të ndryshme kriminale.

Motelet që sa i përket dyshimeve për prostitucion qëndrojnë afër lokaleve të masazhit, dita ditës po vazhdojnë të rriten në numër.

E siç edhe rezultoi nga operacioni “Masazha 2019”, aty u gjetën edhe disa vajza të mitura, ndërkaq pronarët e punëtorët e moteleve as nuk e dinë se a mund të shkojë ndonjë i mitur në to.

Sikur në rastin e Drenasit, dyshimet janë se të gjithë personat e përfshirë në keqpërdorim të të miturës 16-vjeçare kishin frekuentuar disa herë motele të ndryshme në vend.

Nëpër rrugë të Kosovës, tashmë lehtësisht mund të gjendet një vend për pushim, pasi që këto të fundit mund të gjenden çdo kund.

Sipas të dhënave të Agjencisë të së Statistikave të Kosovës janë të regjistruara 180 motele, ndërkaq, pjesa më e madhe e tyre është në rajonin e Prishtinës, Ferizaj, Pejë e Prizren.

Të gjitha këto motele kanë 2 mijë e 142 dhoma, me 2 mijë e 861 shtretër, për akomodim të vizitorëve. Ndërkaq, çmimet shkojnë nga 5 euro e ato që konsiderohen si luksoze, në bazë të shërbimeve që i sjellin, arrijnë shifrën deri në 150 euro.

Express kishte publikuar edhe fotografi, ku shiheshin me veturë zyrtare në orët e vona të natës duke qëndruar në një motel në Prishtinë./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart