Shpia e Agës – fillet e traumës dhe mëkatit


Gazeta Express
21 Gusht 2019 16:06

Pas premierës në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari në Republikën Çeke, filmi “Shpia e Agës”, i skenaristes dhe regjisores Lendita Zeqiraj, nga 20 gushti ka filluar të prezantohet edhe para publikut kosovar, si pjesë e programit të rregullt në Kinemanë “Cineplexx”. “Shpia e Agës” ka zgjuar interesim të madh në Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vary ku ka marrë dhjetëra kritika pozitive nga mediat botërore, ku njëherit edhe është shpërblyer nga Federata Europiane e Kritikëve të filmit – FEDEORA. Tashmë filmi i ka të konfirmuara mbi 30 pjesmarrje në festivale prestigjioze të filmit në Kanadë, Gjermani, Francë, Kurdistan, Maqedoni, Spanjë, Slloveni etj.

Nga: Armand Fatić

Një luginë me diell, një shteg me gropa, dhe një djalë rrugës për shtëpi, hapin “Shpia e Agës”, filmi i parë i gjatë i regjisores kosovare Lendita Zeqiraj. Aga nëntë vjeçar, jeton me nënën e tij Kumria dhe katër gra të tjera në një shtëpi të largët rurale larg nga shoqëria. Ai shet cigare dhe marihuanë në përpjekje për të fituar mjaft para sa të mund të shkoj të gjej babanë e tij të humbur për një kohë të gjatë tashmë, për të cilin ai beson se është zënë rob dhe po dergjet diku në ndonjë burg serb. Askush, përveç Ceras abuzues lokal, nuk e mbështet Agën në kërkimin e tij.

Regjisorja Zeqiraj ka treguar në filmat e saj të mëhershëm të shkurtë (të cilët kanë udhëtuar në më shumë se 300 festivale ndërkombëtare), se tregimet e saj fokusohen në kohën e luftës, rininë dhe njerëzit që jetojnë në margjina të shoqërisë. Në këtë kuptim, “Shpia e Agës” duket si kulminacion i punës së madhe në karrierën e saj pesëmbëdhjetë vjeçare. Filmi rrëfen tregime të grave dhe një djali që jetojnë shumë larg nga bota. Që nga momenti i parë, është e qartë që diçka nuk është në rregull, por në fakt është e vështirë të thuhet me saktësi se çfarë është ajo. Marrëdhëniet e grave janë të turbullta, ato nuk i ngjajnë njëra tjetrës, dhe me qëndrime dhe moshë, ato edhe nuk duket se mund të kenë ndonjë lidhje gjaku.

Filmdashësit sllav jugor mund të ngrehin paralele me “Bora”, filmi i shpërblyer nga Java e Kritikëve në Cannes (Cannes Critics Week) nga regjisorja boshnjake Aida Begić, dhe filmi i shpërblyer me Ariun e Artë në Berlinale “Sekreti i Esmas” nga Jasmila Žbanić. Kjo nuk është larg së vërtetës, pasiqë besimet dhe historia në këtë rajon janë të ngjashme, siç janë edhe filmat në një kuptim. Por ajo që regjisorja Zeqiraj sjell në ekran është një tregim pak më të matur dhe më të thellë se sa që kemi pasur rastin të shohim deri tani në rajon.

Meqenëse filmi shpalos rrëfime të karaktereve individuale, shohim që fokusi i filmit zhvendoset shumë e më shumë nga narrativi i luftës dhe urrejtjes së të kaluarës dhe asaj prezente, në diçka më univerzale dhe botërisht të kuptueshme, patriarkalizmin. Mënyra se si gratë në këtë shtëpi janë trajtuar dhe trajtohen nga burrat dhe familjet e tyre tregon problemin e rëndësishëm, që rrallë vërehet dhe flitet për të në rajon. Meqenëse çdo grua është e ndryshme në moshë dhe qëndrim, ashtu është edhe rrëfimi i saj dhe rruga e cila e shpie lart deri në shtëpi në mes të askundit …

Edhe pse narrativa e luftës del në pah shpesh përgjatë filmit në lidhje me babanë e Agës dhe femrën kroate të dëshpëruar Zdenka, ajo nuk zbërthehet dhe eksploatohet në thellësi, sikur në shumicën e filmave rajonal. Po, ekziston një masë e urrejtjes dhe mosbesimit mes Zdenkas dhe grave të tjera të cilat qëllimisht e provokojnë duke e quajtur atë serbe, por kjo asnjëherë nuk është në qëllim të tregimit të rrëfimeve të luftës, por në funksion të shtyrjes përpara të rrëfimeve të pesë grave.

“Shpia e Agës” e kishte premierën në KVIFF të këtij viti, dhe edhe pse nuk morri ndonjë çmim, ai sigurisht që do të jetë një prej filmave më interesant që do të gjej audiencën e vet përgjatë shumë festivaleve që besoj se do t’i vizitoj gjatë vitit të ardhshëm.

Armand Fatić – Film Critic @ Sunday Films

Te fundit


Kthehu lart