Shtëpia 3-katëshe e të shoqit shkarkon kryetaren e Gjykatës së Kavajës. Si u “fundos” në KPK - Gazeta Express
string(89) "shtepia-3-kateshe-e-te-shoqit-shkarkon-kryetaren-e-gjykates-se-kavajes-si-u-fundos-ne-kpk"

Shtëpia 3-katëshe e të shoqit shkarkon kryetaren e Gjykatës së Kavajës. Si u “fundos” në KPK

Gazeta Express

05/06/2020 12:10

Komisioni shpalli vendimin e shkarkimit për kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Entela Shedula, në një proces që kishte nisur që më 30 janar dhe që ishte ndërprerë në mars për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

entela shedula

Lexo Edhe:

Trupa e KPK përbëhej nga Xhensila Pine si kryetare, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 30 janar 2020, hetimi administrativ ngriti pikëpyetje mbi një shtëpi trekatëshe në Kavajë, e cila i përket familjes së bashkëshortit të gjyqtares.

Shtëpia ishte deklaruar me kosto ndërtimi prej 8.2 milionë lekësh. Shedula arriti të bindë komisionin të rihapë hetimin mbi balancat negative të shpenzimeve të vlerësuara, por edhe pas rihetimit rezultati nuk ndryshoi.

HETIMI

Riçelja e hetimit për pasurinë e kryetares së Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula, nuk solli ndryshime të analizës financiare, e cila konstaton mungesë burimesh financiare për ndërtimin e një vile 3- katëshe.

Ashtu si edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar më 30 janar 2019, Komisioni ka konkluduar se Shedula nuk ka arritur të provojë se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë pasur burime të ligjshme për ndërtimin e banesës. Procesi i vetingut për gjyqtaren Shedula u krye për të tri kriteret nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Entela Shedula në KPK
Entela Shedula në KPK
Relatorja Suela Zhegu sqaroi se Komisioni e rihapi hetimin, bazuar në provat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Sipas Zhegut, Komisioni ka tërhequr praktikën e plotë të legalizimit të banesës 3-katëshe të gjyqtares Shedula, ku vetëm ndërtesa rezulton e regjistruar. “Sipas zyrës së Kadastrës së Kavajës, kjo banesë pozicionohet në tokë shtet”, tha relatorja Zhegu. Ajo shtoi se me vendim të Komisionit të Kompensimit dhe Kthimit të Pronave, trualli prej 3600 metrash u është dhënë pronarëve.

Gjyqtarja Shedula shpjegoi në fjalën e saj se trualli ku është ndërtuar banesa trekatëshe u është kthyer katër bashkëpronarëve nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të pronave, ku një prej tyre është vjehrri i saj.

“Mosregjistrimi nuk e bën vendimin e Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave të pavlefshëm, por i heq vetëm të drejtën e tjetërsimit të pronës te te tretët”, tha gjyqtarja. Relatorja Zhegu sqaroi se për të kryer analizën financiare, Komisioni ka kërkuar nga Enti Kombëtar i Banesave referencat e kostove të ndërtimit dhe të çmimeve të materialeve të ndërtimit për periudhën 1995- 2000.

Bazuar në të dhënat e servirura, kanë rezultuar balanca negative në periudhën kur është ndërtuar shtëpia 3- katëshe. Për periudhën 1994-1999 ka rezultuar një balancë negative në vlerën e 5 milionë lekëve; për vitet 2000-2001 në shumën 802 mijë lekë; në vitin 2006 në shumën 1.6 milionë lekë; 468 mijë lekë në vitin 2008 dhe në vitin 2012 një balancë negative në vlerën 255 mijë lekë.

GJYQTARJA

Gjyqtarja Entela Shedula i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për mungesën e burimeve financiare të ligjshme për ndërtimin e shtëpisë 3-katëshe. Ajo pretendoi se mungesa e burimeve financiare për investimet e konstatuar nga Komisioni për periudhën 1995-1999 është e ndryshme nga analiza e raportit të vitit 2019.

“Analiza nuk përputhet me provat e hetimit dhe të subjektit. Ndërkohë, nuk merren parasysh fakte të njohura botërisht që janë njohur për subjekte të tjera”, u ankua Shedula, e cila shpjegoi se i ishte drejtuar një eksperti vlerësues për të kryer saktë deklaratën e vetingut. Ajo tha se, sipas vlerësuesit, vlera e shpenzimeve për ndërtimin e banesës është 8.2 milionë lekë. Shedula theksoi se në analizën e raportit të parë të KPK, ishin marrë parasysh deklarimet dhe provat e saj, ndërsa në të dytin nuk ishin konsideruar. Sipas saj, ndërtimi i shtëpisë ka qenë informal e për pasojë kostoja ka qenë më e ulët. Duke iu referuar KPA, Shedula pretendoi se kostoja e ndërtimit informal është 26% më e ulët se ai i formalizuar. Ajo shtoi se në vitin 1999, kati i dytë kishte qenë karabina dhe nuk mund të vlerësohet si i përfunduar.

“Vlera totale e deklaruar nga unë ka qenë 8.4 milionë lekë. Ndërkohë, sipas llogaritjes rishtazi të Komisionit është 10.8 milionë lekë, por nuk është marrë parasysh se ndërtimi është informal”, tha Shedula, duke i quajtur të sakta deklaratat e saj për këtë pasuri. Shedula tha gjithashtu se Komisioni nuk merrte në konsideratë të ardhurat e bashkëshortit të saj nga aktiviteti privat i importimit të rrobave të përdorura nga Italia gjatë periudhës 1995-1997. Me tej, Shedula iu rikthye shpjegimeve të dhëna në seancën dëgjimore të mëparshme për kredinë e marrë nga “Fondi Besa”.

Ajo tha se edhe pse kredia ishte marrë për ushtrim aktiviteti tregtar, ishte përdorur për vazhdimin e ndërtimin e shtëpisë. Subjekti i rivlerësimit rishpjegoi se “Fondi Besa” në atë kohë jepte kredi vetëm për aktivitet tregtar. Gjyqtarja Shedula risolli gjithashtu në vëmendje të Komisionit mospërfshirjen në analizë të të ardhurave të përfituara nga bashkëshorti në vitin 2008 nga puna pranë një shoqërie private, për të cilën nuk ishin paguar sigurimet dhe tatimet. “Penalizohemi dy herë, një herë bashkëshorti që nuk i janë paguar kontributet nga punëdhënësi dhe një herë tani bashkëshortja si subjekt rivlerësimi”, tha gjyqtarja Shedula. BIRN