Shqiptarët drejt Gjermanisë, por jo më si azilantë


Gazeta Express
24 Prill 2019 17:41

Viti 2018 riktheu fluksin e emigrimit të shqiptarëve drejt Gjermanisë. 6 790 shqiptarë iu shtuan numrit të bashkëkombësve rezidentë në territorin gjerman, duke e çuar në 55 495 numrin total të tyre.

Megjithatë vendi ynë renditet i katërti në rajon për nga numri i personave që emigruan në Gjermani vitin e kaluar.

Në krye të listës renditen Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, me mbi 9 mijë emigrantë.

Në 2018-ën u shënua e para rritje e numrit të shqiptarëve në Gjermani, pas 3 vitesh rënie të vazhdueshme, por në dallim nga vitet e kaluara, shqiptarët kanë emigruar në mënyrë të ligjshme, duke përfituar edhe nga rregullat e reja që vuri në zbatim qeveria Merkel për të thithur krahun e punës nga jashtë, për shkak të mungesës së theksuar në tregun vendas.

Këtë e fakton edhe rënia drastike e kërkesave për azil nga shqiptarët në 2 vitet e fundit. Tabela e Zyrës Federale Gjermane për Migrimin dhe Refugjatët tregon se prej 2017-s, nga shqiptarët nuk është regjistruar asnjë kërkesë për azil, ashtu si edhe nga Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Shqiptarët u shndërruan në problem në vitin 2015, kur mbi 35 mijë persona kërkuan azil në Gjermani, duke detyruar autoritetet t’u hiqnin atyre mundësinë e azilin, e duke e renditur vendin tonë krahas vendeve të sigurta të origjinës ku bën pjesë gjithë rajoni.

Tv Klan

Te fundit


Kthehu lart