Shqipëria pëson disfatë nga kampionia e botës, Franca


Gazeta Express
7 Shtator 2019 22:47

Ekipi kombëtar i Shqipërisë nuk arriti t’i rezistojë kampiones së botës, Francës, në ndeshjen që u zhvillua sonte në “Stade de France”. Nikoqirët siguruan fitore me rezultat 4:1 në këtë ndeshje të vlefshme për Grupin H të kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020.

Franca e dominoi plotësisht Shqipërinë jo vetëm sa i përket rezultatit, mirëpo edhe me posedim të topit (72% – 28%). “Les Blues” i bënë 13 goditje drejt portës, pesë prej të cilave brenda kuadradit, ndërsa kuqezinjtë e patën një goditje brenda kuadradit të portës nga gjithsej tri, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, vëmendjen në këtë ndeshje e morën disa gafa të organizatorëve francezë, të cilët fillimisht e ndërruan himnin e Shqipërisë për atë të Andorrës, e pastaj u kërkuan falje për këtë gabim tifozëve të Andorrës, duke e ngatërruar sërish Shqipërinë.

Skuadrës së Didier Deschamps iu nevojitën vetëm gjashtë minuta për të kaluar në epërsi në këtë ndeshje, kur një superpasim i Raphael Varane ia dha Kingsley Comanit mundësinë e përsosur për të kaluar në epërsi.

Në minutën e 27- të ndeshjes, Olivier Giroud e dyfishoi epërsinë e Francës, dhjetë minuta para se Antoine Griezmann të gabonte nga pika e penalltisë.

Edhe pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtën rrjedhë të ndeshjes dhe në minutën e 68-të, Coman e shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes. Ndërsa, në minutën e 85-të të ndeshjes, Joanthan Ikone, shënoi tjetrin gol.

Golin e ngushëllimit Shqipëria e shënoi në minutat e fundit të lojës, kur Sokol Cikalleshi u tregua i saktë nga pika e penalltisë.

Pas këtij rezultati, Shqipëria radhitet e katërta në Grupin H, me gjashtë pikë të grumbulluara, gjysmën e pikëve të Francës, që e kryeson grupin.

Të martën, Shqipëria do ta presë në shtëpi Islandën, gjithashtu ndeshje e vlefshme për kualifikimet në EURO 2020. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart