Kundërshtarë brenda të njëjtit ekip, lista mishmash e LVV-së - Gazeta Express
string(61) "kundershtare-brenda-te-njejtit-ekip-lista-mishmash-e-lvv-seee"

Lajme

Gazeta Express

17/01/2021 19:22

Kundërshtarë brenda të njëjtit ekip, lista mishmash e LVV-së

Lajme

Gazeta Express

17/01/2021 19:22

Lëvizja Vetëvendosje, një parti deklarativisht e majtë, do të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit me jo pak “të djathtë”. Lista me 110 kandidatë për deputetë përmban emra nga më të ndryshmët brenda të njëjtit ekip, që përfaqësojnë vlera e orientime të ndryshme e të kundërta nga njëri-tjetri.

Partia e Albin Kurtit duket se ka vendosur të garojë me lloj-lloj figurash që në thelb janë “kundër njëri-tjetrit”, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në zgjedhjet e fundit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ishin kundërshtarët më të mëdhenj të njëri-tjetrit, kur luftonin për vendin e parë. Duke e krahasuar me ish-presidentin e Venezuelës, kundërshtarin e shquar të SHBA-së, Hugo Chavez, Osmani thoshte se Kurti “e do vetëm pushtetin”, ndërsa ky i fundit i cilësonte “jofisnike” deklaratat e Osmanit. Këtë herë, Kurti dhe Osmani janë dy të parët në listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare, pas marrëveshjes së nënshkruar të enjten, para një konference për media ku Osmani do t’i referohej Kurtit me fjalën “kryeministër, e Kurti asaj me “presidente”.

Dy subjekte të vogla politike të djathta janë përfshirë në këtë listë, mbi bazën e marrëveshjejeve të nënshkruara me Albin Kurtin. Lista e Vjosa Osmanit, politikane me orientim të djathë, përfaqësohet në këtë listë me 15 kandidatë, që konsiderohen po ashtu të djathtë, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes. Mimoza Kusari-Lila, po ashtu politikane atipike për një subjekt politik të majtë, do të garojë nën logon e LVV-së bashkë me dy bashkëpartiakë që përfaqësojnë politika liberale.

Në listën e LVV-së ndodhet edhe kryekundërshtari i të djathtëve, Hysamedin Feraj, aktivisti nga Shqipëria që shquhet si mbështetës i politikës staliniste të komunistit Enver Hoxha. Në kohën e regjimit komunist, Feraj ishte punojës i Institutit të Studimeve Marksist-Leniniste, që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës. Ekziston një video ku Feraj shihet teksa duke bërë simolin komunist me grusht, bën homazhe pranë kufomës së Enver Hoxhës pas vdekjes së tij. Ai as tash nuk heziton të rikonfirmojë herë pas here se bindjet e tij që nga ajo kohë nuk kanë ndryshuar aspak.

Megjithatë, të djathtë në listën e LVV-së nuk janë vetëm ata nga dy subjektet e vogla politike si Lista e Osmanit dhe Alternativa. Zyrtari i LVV-së, Haki Abazi konsiderohet më shumë i djathtë, ndërsa jo shumë larg para tij në listë ndodhet Avni Dehari, babai i aktivistit të vdekur të LVV-së, Astrit Dehari, i cili e kishte bërë përgjegjësse partinë e Kurtit për “vrasjen e Astrit Deharit”. Më vonë, ai kishte thënë se e ka pasur fjalën për dy zyrtarë të PSD-së që kishin dalë nga LVV-ja.

Ndërkohë veprimtari Avni Dehari pas luftës nuk është parë që i ka deklaruar bindjet e tij politike, por pas vdekjes së djalit të tij, Astritit, ka qëndruar vazhdimisht përkrah Albin Kurtit dhe subjektit të tij politik.

Në listën e njëjtë bën pjesë edhe një haxhi. Gramos Agusholli, që ndjek linjën e njëjtë me Gëzim Kelmendin e partisë “Fjala”, do të kërkojë të bëhet deputet nga zgjedhjet e 14 shkurtit si kandidat i LVV-së. Ai e konsideron serb Gjergj Kastriotin – Skërnderbeun, të cilin duke iu referuar si hero kombëtar, e përkujtoi sot në përvjetorin e vdekjes, shefi i Agushollit në parti, Albin Kurti. Përveç Skënderbeut, ai në disa raste e ka ofenduar edhe komunitetin LGBTI, ndërsa e ka shprehur hapur admirimin që ka për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërkaq ende nuk dihen bindjet politike të Vasfije Krasniqi-Goodman, gruas së mbijetuar nga dhuna e tortura seksuale gjatë luftës e cila do ta mbajë numrin 4 në listën e kandidatëve të LVV-së. Për tmerrin e përjetuar, ajo ka dëshmuar edhe në Kongresin Amerikan, ndërsa kjo është hera e parë që ajo përfshihet në politikë.

Mungesën e ish-inspektorit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimit, i cili ndodhet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, LVV-ja ka vendosur ta zëvendësojë me gruan e tij, Shqipen, e cila mban numrin 10, me të cilin kishte garuar bashkëshorti i saj në zgjedhjet e fundit. Bindjet politike të Shqipe Mehmeti-Selimit nuk dihen po ashtu, veç supozimit që mund të vijë se bindjet e saj mund të jenë të njëjta me ato të Rexhep Selimin.

Njësoj është vepruar edhe me Lumnije Mikullovcin, gruan e Adem Mikullovcit që vdiq vitin e kaluar.

LVV-ja i ka bërë vend në listën garuese edhe aktores Adriana Matoshi, e cila njihet si “Sasa e O Sa Mirë”, por që nuk dihet nëse ka orientim të qartë politik. /Express/