Enver Hoxha në mbledhjen për shëndetin e “shokëve të udhëheqjes”: Nga sëmundjet që kanë Hysniu me Hakinë, duhet t’i lehtësojmë pak, kurse Ramizin… - Gazeta Express
string(139) "enver-hoxha-ne-mbledhjen-per-shendetin-e-shokeve-te-udheheqjes-nga-semundjet-qe-kane-hysniu-me-hakine-duhet-ti-lehtesojme-pak-kurse-ramizin"

Enver Hoxha në mbledhjen për shëndetin e “shokëve të udhëheqjes”: Nga sëmundjet që kanë Hysniu me Hakinë, duhet t’i lehtësojmë pak, kurse Ramizin…

Shqiperi

Gazeta Express

18/01/2021 9:01

Publikohet një dokument i panjohur i nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), i cili i përket datës 10 janar të vitit 1973, ku bëhet fjalë mbi një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Enver Hoxha ka folur lidhur me shëndetin e “shokëve të udhëheqjes”, duke diskutuar konkretisht për sëmundjet që kishin Hysni Kapo, Haki Toska dhe ai vetë me diabetin.

Diskutimi i plotë e Enverit në atë mbledhje për sëmundjet e disa prej anëtarëve të Byrosë Politike dhe sekretarëve të Komitetit Qëndror që kishin ngarkesë të madhe pune dhe propozimet konkrete të tij, se si do të liroheshin disa prej tyre nga punët e shumta që ata kryenin, fillimisht duke shtuar në organikë edhe një Sekretar të Komitetit Qëndror, si dhe duke mos pranuar më raporte e materiale të gjata nga vartësit e tyre!

Lexo Edhe:

“Natyrisht, asnjë nga ne nuk i shmanget punës, përkundrazi ne bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të kryer detyrat plotësisht, po vihet re se shpesh kalohet mbi rregullat që duhet të zbatojmë në punë lidhur me shëndetin. Fakt është se pikërisht për këto arsye duken disa shqetësime shëndetësore si te Hakiu, edhe te Hysniu, edhe tek unë. Prandaj tani është koha të marrim disa masa për ta vënë më në rregull ngarkesën tonë me punë, kryesisht të përmirësojmë metodën dhe stilin e punës këtu, në aparatin e Komitetit Qendror”. Kështu është shprehur në mes të tjerash Enver Hoxha në diskutimin e tij në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku si temë kryesore ka qenë “Të tregojmë kujdes për shëndetin e shokëve të udhëheqjes”. Për më shume se çfarë është diskutuar në atë mbledhje të datës 10 janar të vitit 1973, na njeh dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë.

Fjala e Enverit në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, me temë: “Të tregojmë kujdes për shëndetin e shokëve të udhëheqjes”

                Diskutim në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH

10 janar 1973

Meqenëse jemi mbledhur, doja të flisja pak për kujdesin që duhet treguar për ruajtjen e shëndetit të shokëve të udhëheqjes, në mënyrë të veçantë të shëndetit tuaj, shokë të Sekretariatit. Nuk dua të futem në çështjet që u përkasin mjekëve, këshillat e të cilëve duhet t’i zbatojë çdonjëri prej nesh. Të gjithë e kuptojmë rëndësinë e tyre. Por lidhur me shëndetin unë e kam fjalën për organizimin e punës këtu, në Sekretariatin e Komitetit Qendror.

Mendoj se ju, të tre shokë sekretarë dhe në mënyrë të veçantë Hysniu me Hakiun, jeni shumë të ngarkuar me punë. Për këtë, të gjithë e kemi për detyrë të shqetësohemi. Lidhur me ngarkesën e shokut Ramiz, mendoj se gjendja nuk është shqetësuese, për arsye se është ca më i ri se ne të tjerët dhe me shëndet të mirë.

Natyrisht, asnjë nga ne nuk i shmanget punës, përkundrazi ne bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të kryer detyrat plotësisht, po vihet re se shpesh kalohet mbi rregullat që duhet të zbatojmë në punë lidhur me shëndetin. Fakt është se pikërisht për këto arsye duken disa shqetësime shëndetësore si te Hakiu, edhe te Hysniu, edhe tek unë. Prandaj tani është koha të marrim disa masa për ta vënë më në rregull ngarkesën tonë me punë, kryesisht të përmirësojmë metodën dhe stilin e punës këtu, në aparatin e Komitetit Qendror.

Në radhë të parë, mendoj të lehtësohemi ca, nga punët e shumta të përditshme. Në radhë të dytë, të lehtësohemi duke vendosur një rregull, stil e metodë pune më të mirë nga ai i gjer tanishmi. Se për çfarë stili e metode është fjala, ne kemi folur edhe herë të tjera, megjithatë gjer tani ngarkesa e secilit nga ne është e tillë që juve, sidomos, ju sërviren çdo ditë materiale të shumta, bëni takime të shumta, që ju shkaktojnë lodhje të madhe fizike e mendore.

Kjo sjell pastaj pasojat e veta në organizmin tonë, që shprehen me shqetësime të zemrës, dhimbje koke etj. Prandaj, propozoj që shokët sekretarë të Komitetit Qendror të lehtësohen ca nga punët e shumta, sidomos Hysniu dhe Hakiu. Po si mund të bëhet ky lehtësim konkretisht? Për këtë mendoj se ka dy rrugë: E para është që shokët, të cilët punojnë me ju, të marrin përgjegjësi të plota për sektorët ku janë ngarkuar. Kur shihni se ata ju sërvirin orë e çast çështje të vogla për të zgjidhur, në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pranoni. Ju nuk duhet as të lejoni t’ju sjellin materiale të papërpunuara, t’ju pasojnë të lexoni me qindra faqe materiale në ditë, për të cilat kërkohet t’u jepni mendimin.

Ata duhet të mësohen të punojnë në mënyrë të tillë që nga një material i gjatë, ta zëmë, prej 50 faqesh t’ju paraqesin esencën, vetëm pesë faqe, kurse për zgjidhjen e problemeve të tjera që ngrihen aty, të mendojnë vetë, t’i tretin mirë, pastaj të marrin masa dhe përgjegjësi e të vijnë t’ju raportojnë juve thelbin e çështjes.

Përveç këtyre që thashë, të cilat duhet të zbatohen absolutisht këtej e tutje, mendoj se në Sekretariatin e Komitetit Qendror, kemi nevojë edhe për një sekretar tjetër. Me se do të merret sekretari i ri I Komitetit Qendror? Me ata sektorë që mendojmë t’ia heqim Hysniut dhe Hakiut për t’i lehtësuar. Se cilët sektorë do t’u heqim Hysniut dhe Hakiut nuk e vendosim dot sot, këtë mendojeni ju vetë, diskutojeni me njëri-tjetrin, pastaj e shohim bashkërisht.

Hakiu, mendoj të shkarkohet akoma më shumë se Hysniu, jo se sëmundja e tij është diçka serioze, po natyra e sëmundjes së tij e kërkon këtë lehtësim. Ai e njeh vetë sëmundjen që ka dhe një gjë e tillë është absolutisht e nevojshme. Çështja e veseve të zemrës është delikate, prandaj të sëmurit nuk mund t’i fshihet, ashtu sikurse nuk mund të më fshihet mua diabeti që kam, ndryshe do t’u futesha të ngrënave pa kufizim dhe do të dëmtohesha.

Kjo do të thotë se mjekët duhet të na i thonë neve medoemos sëmundjet që kemi, të na bëjnë të qartë situatën, që të dimë si të mbrohemi dhe çfarë regjimi të mbajmë. Këto çështje i diskutoni më parë me njëri-tjetrin dhe, kur të keni arritur në përfundim, bisedojmë përsëri si do të veprojmë e t’i bëjmë propozimet përkatëse Plenumit të ardhshëm të Komitetit Qendror.

Më parë ne duhet t’ia paraqesim realisht situatën Byrosë Politike, e cila besoj se do ta pranojë shtimin e një sekretari tjetër të Komitetit Qendror. Duhet të kuptojmë mirë se shëndeti ka lidhje me jetën, po edhe me punën e Partisë. Qëllimi i Partisë është që njerëzit e udhëheqjes, sidomos, të japin për Partinë, sa më shumë e sa më gjatë gjersa të kenë forca.

Është e natyrshme që vijnë momente biologjike, kur duhet frenuar veprimtaria e shokëve. Kjo është në interesin e dyfishtë, të Partisë dhe të shokëve kryesorë, të cilët duhet t’i ruajmë, ndërsa të tjerëve, më të rinjve, t’u japim përgjegjësi. Sot ne marrim një masë të tillë, në një kuadër të ngushtë, në krahasim me atë që mund të marrim nesër, kur ndonjëri nga ne mund të lehtësohet akoma më tepër.

Kështu si po fillojmë të veprojmë ne, edhe shokët më poshtë mësohen të marrin më shumë përgjegjësi dhe të kryejnë me guxim detyrat, të kenë edhe satisfaksion më tepër në punë. Prandaj t’i racionalizojmë sa më mirë energjitë, këto të shpenzohen atje ku nevojiten më tepër. Këtë e lypin interest e Partisë./Memorie.al