Edhe Italia e mbështet Kurtin - Gazeta Express
string(29) "edhe-italia-e-mbeshtet-kurtin"

Edhe Italia e mbështet Kurtin

Gazeta Express

28/02/2020 13:28

Ambasada italiane në Prishtinë e ka mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia, raporton Gazeta Express.

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka shkruar në Twitter se pajtohen me deklaratën e Bashkimit Evropian si dhe inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin që t’i rifillojnë bisedimet.

Lexo Edhe:

“Ne plotësisht pajtohemi me deklaratën e Bashkimit Evropian. Italia inkurajon Beogradin dhe Prishtinën që të rifillojnë bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë proces”, ka shkruar Orlando.

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

 Një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

Përmes një deklarate të zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, është thënë se ky hap mund ta ofrojë një mundësi për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të restaurohet në mënyrë urgjente. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient që është i favorshëm për vazhdimin e dialogut, për të mirën e të dyja vendeve. Zëvendëspresidenti/Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog nga ana e Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.

Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.

“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. /Gazeta Express