Shpërthimi në pikën e karburantit, Policia sqaron çfarë ndodhi mbrëmë. Midis të plagosurve dy fëmijë të vegjël


Gazeta Express
25 Gusht 2019 9:55

Shkak i zjarrit të fuqishëm në një pikë karburanti mbrëmjen e shkuar në Lezhë ka qenë shpërthimi i një bombole gazi që shërbente për mbushjen e automjeteve.

karburantlezhe

Kështu bën me dije policia e Lezhës, sipas të cilës nga ngjarja kanë mbetur të plagosur pesë persona, midis të cilëve dy vajza të mitura 5 dhe dy vjeçe.

Dy prej të plagosurve janë transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa të tjerët po marrin kurim në spitalin rajonal të Lezhës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia lokale sqaron se nga hetimet e para, ngjarja dyshohet të jetë aksidentale.

Njoftimi:

Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.

Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit  B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen,  forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.

Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve  nga perimetri i sigurisë, si dhe  bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.

Te fundit


Kthehu lart