Shpërthimi masiv që la mbi 100 të vrarë, video dhe fotografi nga qyteti i Bejrutit - Gazeta Express
string(81) "shperthimi-masiv-qe-la-mbi-100-te-vrare-video-dhe-fotografi-nga-qyteti-i-bejrutit"

Shpërthimi masiv që la mbi 100 të vrarë, video dhe fotografi nga qyteti i Bejrutit

Gazeta Express

05/08/2020 16:41

Së paku 100 të vrarë dhe më shumë se 4.000 të plagosur është bilanci i shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht.

I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, afër pjesës ku ndodhet porti.

Lexo Edhe:

Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani tha se numri i viktimave pritet të rritet.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se 2,750 tonë kimikate bujqësore ishin ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo për gjashtë vjet.

Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me “dënimin maksimal” të mundshëm.

Presidenti, Michel Aoun, tha të mërkurën se hetimi do të zbulojë rrethanat e asaj që ndodhi sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se rezultatet do të bëhen publike në mënyrë transparente.

Në një fjalim televiziv në fillim të një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, Aoun u bëri thirrje gjithashtu kombeve të tjera të shpejtojnë ndihmën për Libanin.

Vendi do të jetë në zi kombëtare për tre ditë.

Kreu i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettani, tha se “ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe”.

Në rrjetin social Twitter, qytetarët kanë postuar pamje të momentit të shpërthimit.

Kimikatet janë konfiskuar nga anija e një biznesmeni rus

Mediat raportojnë se kimikatet që shpërthyen, janë dërguar atje vite më parë nga një anije mallrash, që ishte konfiskuar, dhe e cila ishte në pronësi të biznesmenit rus, Igor Grechushkin.

Ai është një biznesmen nga qyteti siberian i Khabarovsk, por aktualisht jeton në Qipro.

Ministri i Brendshëm i Libanit, Mohamed Fahmi, tha se kimikatet ishin ruajtur në depo, pasi ishin konfiskuar nga një anije mallrash më 2014.

Materiali ishte ruajtur pa masa të sigurisë.

Anija “MV Rhosus” ishte konfiskuar nga autoritetet libaneze, me një urdhër nga inspektorët lokalë në Bejrut, pasi ajo kishte hyrë në port, për shkak të problemeve teknike.

Associated Press raporton se MV Rhosus po transportonte nitrat amoni nga porti i Gjeorgjisë në Detin e Zi në Mozambik dhe rrugës kishte probleme teknike që e detyruan atë të ndalet në Bejrut.

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Ai ishte vrarë më 2005.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.

Reagime pas incidentit

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi dyshime mbi të gjithë situatën, duke thënë se ai besonte se shpërthimi mund të ketë qenë një sulm.

“Unë u takova me disa nga gjeneralët tanë të shkëlqyeshëm. Ata dukej sikur mendonin se ishte një sulm”, tha Trump.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja po e monitoron gjendjen në Liban.

“Unë u shprehë ngushëllimet e mia për të gjithë ata që janë prekur nga shpërthimi masiv në portin e Bejrutit më 4 gusht. Ne po vëzhgojmë gjendjen dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Libanit”, ka thënë Pompeo në një postim në Twitter.

Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi, mohoi spekulimet për përfshirje të Izraelit, duke thënë se shpërthimi ishte një aksident.

“Unë sugjeroj për kujdes me spekulime – nuk shoh ndonjë arsye për të mos i besuar raporteve nga Bejruti”, tha ai, duke iu referuar komenteve nga zyrtarët libanezë.

Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie dhe shpërthimi i Bejrutit vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve dhe grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit jugor të Libanit dhe në Siri.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq, u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për pasoja në personelin e OKB-së.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas incidentit, duke u ofruar mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.

BE-ja tha se ka aktivizuar sistemin e saj të mbrojtjes civile për të grumbulluar punëtorët e urgjencës dhe pajisjet në mënyrë që të ndihmohet Bejruti.

Komisioni Evropian tha se plani është që menjëherë të dërgohen mbi 100 zjarrfikës me automjete, qentë gjurmues dhe pajisje të dizajnuara për të gjetur njerëz të bllokuar në zonat urbane.

Republika Çeke, Franca, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Holanda po marrin pjesë në ndihmë, dhe vendet tjera kanë paralajmëruar se do të bashkohen.

Sistemi i navigimit satelitor të BE-së do të ndihmojë autoritetet libaneze për të përcaktuar masën e dëmit.

Franca tha se do të dërgojë menjëherë ndihma në Liban. Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të udhëtojë të enjten në Bejrut për të “takuar të gjithë aktorët politikë”, tha presidenca franceze.

Macron, ka biseduar me presidentin libanez, Michel Aoun, menjëherë pas shpërthimit. Libani ka lidhje të thella historike me Francën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur tronditje pas pamjeve të shpërthimit në Liban, ka thënë zëdhënësi, Sebastian Fischer.

Gjermania thotë se është e gatshme të dërgojë një ekip prej 47 ekspertësh të kërkimit-shpëtimit në Bejrut.

Gjermania gjithashtu njoftoi se ambasada e saj ishte dëmtuar gjatë shpërthimit, por diplomatët janë vendosur në një ndërtesë tjetër dhe janë në gjendje të vazhdojnë punën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Kosova qëndron pranë Libanit në këtë kohë të vështirë.

Libani po ballafaqohet me krizë të thellë ekonomike. Shumë libanezë, që varen nga kursimet, tani janë duke u përballur me varfëri.

Koronavirusi i ri konsiderohet se ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike në këtë shtet.