Shpërndanin drogë me veturë të inspektorit policor. Përveç trafikantëve, hetohet edhe polici


Gazeta Express
20 Gusht 2019 15:45

Ministria e Brendshme ka ngritur procedurë disiplinore ndaj një inspektori policor në rajonin e Tetovës, nën dyshimin se ka qenë pjesë e skemës së narko-trafikantëve.

Javën e kaluar u arrestuan dy persona në fshatin Kamjan të Tetovës, ku në veturën që po e ngisnin u gjet një sasi e konsiderueshme e drogës. Dyshohet se veturën që po e ngisnin ka qenë e inspektorit në fjalë.

Alsat mëson jozyrtarisht se inspektori në polici ka deklaruar se veturën e ka shitur shumë kohë më parë.

Me rastin tani po merret kontrolli i brendshëm i MPB-së ndërsa detaje të tjera pritet të jepen me përfundimin e hetimeve.

Për këtë rast kanë reaguar edhe partitë shqiptare në opozitë.

Aleanca për Shqiptarët thotë se inspektori i dyshuar është i afërt me funksionarët e BDI-së dhe se për këtë qëllim i njëjti nuk është përfshirë në hetim me kohë.

“Automjeti me të cilin është bërë shitja nuk është mbajtur për ekzaminimet e mëtutjeshme. Kjo është brengosëse pasi që automjeti ka qenë ne shfrytëzim të inspektorit i cili në fakt është vëllai i funksionarit te lartë të BDI-së. Ky funksionar ka qenë shef kabineti në Komunën e Gostivarit kur kryetar ishte Nevzat Bejta, ka qenë shefi i shtabit të BDI-së në Gostivar, ka qenë përfaqësues i BDI-së në KKZ. Si mundet qe i gjithë ky rast te përfundon vetëm me mbajtjen e, siç u theksua në mediume, të dy shitësve, pa mos vazhduar më tutje dhe hetuar rastin se cili ka qenë roli i inspektorit si dhe njerëzve te tjerë? ” thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Lëvizjes Besa akuzon MPB-në se duke dashur të mbrojë inspektorin, nuk e ka mbajtur për ekzaminim veturën me të cilën janë kapur trafikantët e arrestuar, e në të cilën është gjetur drogë.

“Pas fshehjes së rastit në Tetovë ku deputeti i BDI-së gjuajti në një aheng familjar dhe lëndoi dy persona, tani tentojnë të fshehin edhe rastin ku u kapën dy persona duke shpërndarë lëndë narkotike. Sipas informatave, policia ka kapur dy persona të cilët e kanë shpërndarë atë duke e shfrytëzuar veturën e inspektorit të policisë nga sektori i punëve te brendshme në Tetovë. Vetura me të cilën është bërë shitja nuk është mbajtur për ekzaminimet e mëtutjeshme pasi ka qenë në shfrytëzim të inspektorit, që në media u liferua se bëhet fjalë për vëllain e shefit të kabinetit të nënkryetarit të BDI-së, Nevzat Bejta. Ky është edhe një shembull se në këtë vend ka drejtësi selektive” njoftojnë nga Lëvizja Besa.

Javët e fundit në rajonin e Pollogut policia ka forcuar kontrollet anti-droge ndërsa numri i të ndaluarve për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike ka shkuar mbi 20, përfshi këtu edhe ish-punonjës dhe punonjës të policisë.

Te fundit


Kthehu lart