Shpenzoi vetëm 9.5 milionë euro në investime kapitale, kritikohet Komuna e Prishtinës - Gazeta Express

Shpenzoi vetëm 9.5 milionë euro në investime kapitale, kritikohet Komuna e Prishtinës

Lajme

Gazeta Express

02/11/2019 18:56

Pak para ka shpenzuar Komuna e Prishtinës për investime kapitale gjatë nëntë muajve të këtij viti, pavarësisht nevojës së madhe, që, sipas opozitës, ka kryeqyteti për përmirësim të infrastrukturës.

Sipas raportit financiar të Komunës, nga 48 milionë euro sa janë në dispozicion për këtë kategori, janë shpenzuar vetëm 9 milionë e 456 mijë euro, apo 19.55 përqind, raporton 038 në KTV.

Shpenzimet për investime kapitale kanë rënë për 15.9 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, ku për nëntë muaj ishin shpenzuar 35.45 përqind të mjeteve për këtë kategori.

Kjo shumë e buxhetit e shpenzuar për investime kapitale këtë vit, sipas LDK-së, është shumë e ulët.

Kjo parti opozitare thotë se komunës sivjet do t’i mbesin pa i shpenzuar 40 milionë euro, rreth 15 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Këtë gjendje, Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson si fatkeqësi për kryeqytetin e vendit.

Eman Rrahmani nga kjo parti, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Shpend Ahmeti.

Iniciativa për Progres, e cila monitoron punën e komunës, thekson se ky nivel i ulët i shpenzimeve kapitale është si pasojë e keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit të projekteve.

Kur ky raport i shpenzimeve për tremujorin e tretë të këtij viti u diskutua në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa, aty nuk mori pjesë asnjë nga drejtorët komunal, përveç asaj të Arsimit, Shpresa Shala, e cila raportoi për fillimin e vitit të ri shkollor.

Madje, sipas raportit, ka drejtori si ajo e Shërbimeve Sociale që për këta nëntë muaj nuk ka shpenzuar asnjë cent për projekte.

Kryetari Shpend Ahmeti, ka siguruar se paratë nuk do të mbesin pa u shpenzuar, pasi ato do të barten në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Ashtu siç kam thënë në dhjetor të vitit të kaluar, kur ishin në pyetje mbi 20 milionë, pjesa më e madhe e tyre janë shpenzuar sivjet. Pra, ky nuk është suficit, por bartje e mjeteve që ndodh çdo vit”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka mohuar mundësinë që këtë vit të mbesin pa u shpenzuar 40 milionë euro.

“Vlera e tyre assesi nuk do të jetë 40 milionë, por shumë më pak. Sivjet situata është edhe më e mirë, sepse prokurimi për secilin projekt ka përfunduar. Janë disa mjete që barten prej vitit në vit, siç është kolektori në ‘Kalabri’ që pret zgjidhen e problemit të pronës edhe pak kohë, por ne nuk i lëvizim ato fonde sepse është projekt prioritar. Pra, pa siklet. Prishtina e ka rritur buxhetin për 50 përqind për këto 6 vjet dhe këto fonde shkojnë në të mirë të Prishtinës pa humbur asnjë fond”, ka thënë Ahmeti.

Në shumën prej 48 milionë eurove për investime kapitale këtë vit është përfshirë edhe bartja nga buxheti i vitit 2018.

Në anën tjetër, në përgjithësi shpenzimet për muajt korrik, gusht, shtator, sipas raportit, janë rritur për 30 përqind, krahasuar me këtë periudhë të vitit 2018.

Shtatë milionë e 700 mijë euro kanë shkuar për paga, për mallra dhe shërbimet janë shpenzuar 3 milionë e 600 mijë euro, subvencione janë dhënë në vlerë të 1 milion e 700 mijë eurove, kurse shpenzime komunale kanë qenë 485 mijë euro.

SHPENZIMET KORRIK-SHTATOR 2019

Tremujori i tretë: 18,334,188.38 €

Paga: 7,737,989.90 €

Mallra dhe shërbime: 3,665,299.02€

Shpenzime komunale: 485,931.08 €

Subvencione: 1,769,508.24 €