Shpend Ahmetit i ikë nga dora Salla Koncertale, fajëson Dhurata Hoxhën “që i shkroi Brukselit”


Liridonë Çeta
11 Korrik 2019 17:23

Bashkimi Europian kishte ofruar një donacion prej 15.4 milionë eurosh për ndërtimin e Sallës Koncertale në Prishtinë. Meqenëse Komuna e Prishtinës nuk arriti t’i bëjë vend këtij projekti, BE’ja ka vendosur që ta ridestinojë donacionin. I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po e fajëson Ministren e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxhën, për kërkesën e ridestinimit të të hollave. Ndërkaq Hoxha ka thënë për Gazetën Express se Ahmeti nuk mund ta fajësojë askë për mos angazhimin e tij për ta gjetur një lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e këtij objekti kulturor

Salla Koncertale e planifikuar të ndërtohet në objektin e ish-Gërmisë në qendër të Prishtinës, ka ngjallur edhe një herë debat në mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, po e fajëson Ministrinë e Integrimeve Evropiane, saktësisht Ministren Dhurata Hoxha, për përfshirje në anulimin e tenderit nga ana e BE’së, duke thënë se ajo ka dërguar letër në zyrën e BE’së në Bruksel, për ridestinimin e mjeteve të ndara për këtë projekt.

“Ministria e Integrimeve Evropiane ka dërguar letër në BE për të ridestinuar mjetet për Sallën Koncertale në Prishtinë. Kur kemi kontaktuar kryeministrinë, thonë se nuk janë në dijeni për veprimin e Ministres. Në BE thonë se për herë të parë letra është dërguar direkt në Bruksel e jo përmes zyres së BE në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti të enjten në Facebook.

Por, këto pretendime të Ahmetit, po i hedh poshtë Hoxha. Në një përgjigje për Gazetën Express, Hoxha ka thënë se nuk është e vërtetë se ka kërkuar ridestinimin e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e Sallës Koncertale.

“Nuk është e vërtetë që kemi kërkuar ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve. Ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës”, ka thënë Hoxha.

Hoxha shton se ka qenë Zyra e BE’së ajo e cila i ka njoftuar se mjetet financiare do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, pasi Komuna e Prishtinës ka zgjedhur një lokacion që nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike.

“Meqë lokacioni i propozuar nga Komuna e Prishtinës nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike, Zyra e BE-së na ka njoftuar që mjetet financiare që ishin të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në kuadër të pakos IPA 2019, do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, projekt ky po ashtu në kuadër të IPA 2019 dhe i cili sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së BE-së po del të jetë më i shtrenjtë se sa ishte paraparë”, ka theksuar Hoxha.

Hoxha ka bërë të ditur se mjetet financiare për ndërtimin e Sallës Koncertale në kryeqytet, nuk janë të humbura.

Ajo thotë se është përgjegjësi e Ahmetit gjetja e lokacionit për ndërtimin e sallës, ndaj mos angazhimin e tij në këtë aspekt nuk mund ta mbulojë duke u munduar ta hedhë fajin aty ku nuk është.

“Ndërkohë që, sipas Zyrës së BE-së, kur të gjendet lokacioni tjetër për sallën e koncerteve, atëherë BE do të ndajë mjetet e nevojshme financiare në kuadër të fondeve në ardhje IPA III 2021-2027. Pra, edhe pse Zyra e BE-së ka bërë ridestinimin e mjeteve financiare, ajo çfarë është e rëndësishme këtu është fakti që mjetet nuk janë humbur, por gjithashtu MIE nuk ka shkruar letër për ridestinim, por ka qenë BE-ja qe ka vendosur dhe na ka njoftuar lidhur me këtë vendim. Kryetari Ahmeti mosangazhimin e vet për të gjetur një lokacion tjetër për ndërtimin e sallës nuk mund ta mbulojë me shfajësim dhe hedhje të fajit aty ky nuk është”, ka deklaruar Hoxha.

Se Shpend Ahmeti nuk ka bërë sa duhet për ta jetësuar ndërtimin e Sallës Koncertale e thonë edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë për Gazetën Express se zyra e Kryeministrit Haradinaj ka bërë përpjekjet maksimale që ky projekt të jetësohet.

“Angazhimi personal i Kryeministrit Haradinaj dhe i zyrës së tij me gjithë stafin përcjellës kanë qenë maksimal që ky objekt të ridestinohet a po të iu takojë artistëve, konkretisht sallës koncertale. Kemi bërë përpjekjet maksimale dhe në afatet rekorde çdo obligim tonin që e kemi pasur si zyre e Kryeministrit, madje edhe angazhimet tjera administrative që nuk kanë qenë tonat kemi qenë të angazhuar edhe stafi i Kryeministrit për këtë proces”, ka thënë Gashi.

Gashi shton se Zyra e Kryeministrit ka qenë në vazhdimësi e angazhuar që të kryejë të gjitha përgjegjësitë për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti.

“Kemi qenë të angazhuar edhe me zyrën e BE’së dhe Komunën e Prishtinës që të iniciohet sa më parë ky proces dhe të ruhen fondet dhe të dedikohen pikërisht për këtë projekt, pastaj në procedurat e tjera që nuk kanë qenë të ndërlidhura me neve nuk e di se çka është bërë, është çështje më shumë e BE’së dhe komunës”, thotë Gashi.

Gashi ka shtuar se ajo që ka ndodhur më pas nuk është përgjegjësi as kompetencë e Zyrës së Kryeministrit.

“Më vonë pasi është marrë vendimi, ka qenë diskutabile që objekti është në listën e përkohshme të Trashëgimisë Kulturore, edhe pse ka qenë kështu Qeveria pikërisht për ta jetësuar këtë projekt e ka ndryshuar vendimin në mbledhjen e Qeverisë, është heqë pjesa ku thuhet se duhet të ruhet një pjesë e objektit si Trashëgimi Kulturore, me qëllimin e vetëm që të mos ketë pengesa administrative ky projekt, e kemi njoftuar edhe zyrën e BE’së edhe Komunën e Prishtinës që asgjë për këtë projekt nuk ka pengesa”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq që nga marrja e vendimit për ndërtimit të Sallës Koncertale në objektin e ish-Gërmisë, Komuna e Prishtinës është përballur me kritika të shumta.

Për rrënimin e mundshëm të objektit të ish-Gërmisë, pati reaguar edhe analisti Shkëlzen Maliqi, i cili për Gazetën Express kishte thënë se nuk ka kurrfarë logjike të rrënohet ky objekt që sipas tij është njëri ndër më të mirët që ka Prishtina.

“Sipas tyre nuk qenka objekt i përshtatshëm, edhe pse nuk e kanë treguar planin që e kanë bërë. Sipas meje ky është dashtë me qenë diskutim publik. BE ka dhënë një donacion dhe nga frika që ky donacion do të humbasë Komuna e Prishtinës po ngutet duke mos e shikuar mirë planin për ndërtimin e kësaj Salle Koncertale. Është mirë që ajo të ndërtohet, por nuk është nevoja që patjetër të rrënohet objekti i ish-Gërmisë, pasi ky është një objekt ndër më cilësoret të arkitekturës moderne që ka Prishtina”, ka thënë Maliqi.

Ndërkaq ishte nënshkruar edhe një peticion i cili kërkonte të mbrohej objekti i ish-Gërmisë, pasi ai cilësohet si një nga objektet më ikonike në kryeqytet./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart