Shpallet i pafajshëm polici i akuzuar se ndërhyri në tiketën për kundërvajtje


Gazeta Express
23 Shtator 2019 13:45

Gjykata Themelore në Gjilan, pas kthimit të rastit në rigjykim, e ka liruar nga akuza për falsifikim të dokumentit zyrtar, policin Erduan Banushi.

Ai akuzohet se në janar të vitit 2018, ka falsifikuar dokumentin zyrtar, duke ndryshuar të dhënat në tiketën për kundërvajtje, përkatësisht fletëparaqitjen e zyrtarit policor, Skender Dushica, ndaj kundërvajtësit Arton Hyseni, duke shënuar në vend të nenit 188, i cili parasheh dënim me gjobë prej 100 – 300 euro,  kishte shënuar nenin 118, ku i dënuari kishte paguar vetëm 10 euro përkatësisht, 50% të gjobës së paraparë prej 20 euro, sipas nenit 118.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur të hënën, kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, i cili ka thënë se gjykata ka vlerësuar se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale dhe se ka munguar qëllimi kriminal.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Shaqiri, brenda afatit ligjor, mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas gjykatësit Shaqiri, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit në gjykatore nuk prezantuan i akuzuari Erduan Banushi, dhe prokurori i rastit  Shaban Spahiu.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 21 nëntor 2018, e kishte shpallur fajtor Erduan Banushin dhe e kishte dënuar me tre muaj burgim me kusht, mirëpo dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte bërë mbrojta e të akuzuarit Banushi, me arsyetimin se aktgjykimi ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ka shkelje të Kodit Penal, si dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksonin penal.

Gjykata e Apelit e Kosovës, më 6 mars 2019, kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit, kurse aktgjykimin e shkallës së parë e ka kthyer në rigjykim, ku ndër të tjerash ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me vetveten në përshkrimin e saj faktik.

Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj Erduan Banushit, më 27 mars 2018 me dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, zyrtari policor, Erduan Banushi,  më 8 janar 2018 në stacionin policor në Gjilan ka falsifikuar dokumentin zyrtar duke ndryshuar të dhënat në tiketën për kundërvajtje–fletëparaqitjen e zyrtarit policor, Skender Dushica, ndaj kundërvajtësit Arton Hyseni, duke shënuar në vend të nenit 188, i cili parasheh dënim me gjobë prej 100–300 euro,  kishte shënuar nenin 118, ku i dënuari kishte paguar vetëm 10 euro përkatësisht, 50% të gjobës së paraparë prej 20 euro, sipas nenit 118. /BetimipërDrejtësi

Te fundit


Kthehu lart