Shoqërohet në polici arsimtarja që akuzohet për kërcënime e tortura ndaj nxënësve


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 14:04

Një mësimdhënëse e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, në kryeqytet është shoqëruar sot gjatë ditës në polici. Bëhet fjalë për arsimtaren e historisë, Afërdita Misini, për të cilën Express raportoi të hënën se po akuzohet për kërcënime e tortura ndaj nxënësve. Ndërkohë, shoqërimi i saj në polici besohet të ketë ndodhur pas ankesës së një prindi, i cili pretendon se është kërcënuar nga mësimdhënësja në fjalë.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se e dyshuara është duke u intervistuar, derisa nuk ka dhënë detaje tjera.

“Rreth orës 11:00, policia është njoftuar për një rast “Kanosje”. E dyshuar e rastit është  një femër. Policia është duke e intervistuar të dyshuarën për këtë rast”, ka thënë Krasniqi.

Rreth këtij rasti është deklaruar edhe Drejtori i Shkollës, Agron Mexhuani.

Sipas Mexhuanit, shoqërimi i Misinit në polici është bërë pas ankesës së një prindi, i cili pretendon se është kërcënuar nga mësimdhënësja në fjalë.

“Një prind është ankuar, thotë se është kërcënuar nga mësimdhënësja. Në shkollë ka dalë policia e cila e ka shoqëruar mësimdhënësen. Unë nuk kam qenë prezent dhe nuk mund të them saktësisht se çka ka ndodhur”, ka thënë ai.

Ndryshe, Gazeta Express ka raportuar të hënën se si prindërit po e akuzojnë Misinin se po abuzon me fëmijët e tyre dhe se i ka kërcënuar me jetë.

Vetë Misini e kishte mohuar se kishte përdorur dhunë ndaj nxënësve të kësaj shkolle.

 “Nuk jam ajo që përdori dhunë ndaj tyre. Kam fituar me shkallën e dytë të Inspeksionit të Punës, kam fituar në bashkëpunim me Inspeksionin e Arsimit ku i kanë gjetë dëshmitë… tjetra kam fituar me gjykatë”, thotë Misini.

Ajo deklaronte se asnjëherë nuk i kishte kërcënuar nxënësit.

“Unë jam mësimdhënëse jo e vështirë por principiele… Po do të vazhdoj se fëmijët i kam prapa”, kishte thënë Misini për T7.

Ndërkohë, në Komunën e Prishtinës kishin deklaruar se po merren me rastin në fjalë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, i ka thënë Gazetës Express se probleme me këtë mësimdhënëse ka edhe drejtori i shkollës.

“Drejtoria e Arsimit është duke u marrë me rastin dhe ka dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar gjendjen dhe për të parë nga afër ankesat e nxënësve. Javën e kaluar drejtori i shkollës e ka raportuar një problem që e ka pasur me mësimdhënësen në fjalë, disa fyerje që mësimdhënësja ia ka bërë drejtorit”, tregon ajo.

Shala kishte thënë se për shkak të shkeljeve, Misini ishte larguar nga Shkolla “Pjetër Bogdani”, për t’u transferuar më pas në Shkollën “Emin Duraku”, ku sërish do të përballej me të njëjtat ankesa.

“Edhe këtu pas ankesave menaxhmenti i shkollës, prindërit dhe nxënësit, komisioni disiplinor në nivel komunal e ka larguar nga puna për moskryerjen e punëve dhe detyrave që parashihen në kontratën e punës dhe disa shkeljeve”, thuhej në përgjigjet e Shalës drejtuar Gazetës Express.

E pavarësisht ankesave, e para e DKA-së deklaron se në gusht të këtij viti, ata kanë pranuar vendim nga gjykata me të cilin obligoheshin që ta kthejnë në vendin e punës.

Ndryshe, ditë më parë prindërit e nxënësve të kësaj shkolle kanë protestuar duke kërkuar që kjo mësimdhënëse të mos e vazhdojë punën pasi sipas tyre, e njëjta po ushtron dhunë psikike ndaj nxënësve. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart