"Shoferi tha se e zuri gjumi", si erdhi deri te aksidenti tragjik në Kroaci - Gazeta Express
string(72) "shoferi-tha-se-e-zuri-gjumi-si-erdhi-deri-te-aksidenti-tragjik-ne-kroaci"

Lajme

Gazeta Express

25/07/2021 14:44

“Shoferi tha se e zuri gjumi”, si erdhi deri te aksidenti tragjik në Kroaci

Lajme

Gazeta Express

25/07/2021 14:44

10 persona kanë vdekur e mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident tragjik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Slavonski Brod të Kroacisë. Në mesin e të vdekurve është edhe një prej shoferëve të autobusit, i cili në momentin e aksidentit nuk ishte duke vozitur, raporton Express.

Shoferi i cili ishte duke vozitur në momentin e aksidentit e ka pranuar gjatë intervistimit nga Policia se për një moment e kishte zënë gjumi. I njëjti është arrestuar menjëherë pas aksidentit.

Lexo Edhe:

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëvendësprokurori komunal Slavko Pranjiq.

 “Sipas fakteve të vërtetuara deri tash, ka të bëjë me daljen e autobusit në anën jugore të rrugës. Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti në Prishtinë, transportues i Deva Tours me seli në Prishtinë. Shoferi i autobusit u gjet në vendngjarje, ai u arrestua. Një hetim është kryer, veprime tjera janë marrë për të filluar procedura penale.

Shoferi u arrestua me dyshimin për drejtimin e një automjeti në mënyrë të papërshtatshme. Nuk mund të flasim për shkaqet e daljes nga rruga. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do të përcaktojmë të gjitha ato me kohë”, ka thënë Pranjiq, raporton Dnevnik.hr.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

 “69 persona, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë u përfshinë në aksident”, tha Berosh. “15 persona u plagosën rëndë”, shtoi ai.

“Kishte edhe të mitur në aksident, një vajzë u lëndua rëndë”, theksoi ministri kroat.

Ai tha se në terren ishin përfshirë shpejt 6 ekipe të ndihmës së shpejtë.

Ndërkohë, kreu kroat i Mbrojtjes Civile, Damir Trut tha se në autobus kishte edhe fëmijë.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samardzhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Për aksidentim tragjik, ka reaguar kompania turistike “Deva Tours”, ku ka njoftuar se në mesin e të vdekurve është edhe një prej shoferëve.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që fatkeqësisht sot rreth orës 6:30, njëri nga autobusët tanë i linjës Frankfurt-Prishtinë ka pësuar aksident në Slovanski-Brod, Kroaci. Bazuar në informatat që i kemi nga vendi i ngjarjes, na bëjnë me dije që si pasojë disa nga pasagjerët tonë (ndër ta edhe njëri nga shoferët tonë) kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe disa të tjerë janë lënduar”, thuhet në reagim.

Kjo kompani ka shprehur ngushëllime për gjithë familjarët e viktimave dhe ka thënë se do t’u qëndrojë me të gjitha mundësitë familjeve të viktimave dhe të të lënduarve.

 “Duke ndarë dhimbjen dhe shqetësimin e thellë me të gjithë familjarët e pasagjerëve, ju sigurojmë që kompania jonë me të gjitha mundesitë do t’u qëndrojë afër familjarëve të viktimave dhe të të lënduarve në këtë aksident. Përfaqësuesit tonë nga Gjermania dhe Kosova janë rrugës për në vendin e ngjarjes dhe për detaje tjera do t’u mbajmë të informuar me kohë”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Për rastin, kanë reaguar edhe krerët e institucioneve shtetërore.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që kanë vdekur sikurse edhe të të lënduarve.

“Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ende s’kanë konfirmime zyrtare për detajet, por se luten që të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.

Ai ka bërë me dije se Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla është nisur për në Kroaci.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, ka shkruar Kurti.

Edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka reaguar pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Konjufca ka thënë se duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, “bashkëndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan”.

 “Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident i rëndë në autostradën Slavonski Brod në Kroaci! Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë, i mbushur me bashkatdhetarë. Duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, bashkëndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në këtë ngjarje të trishtë”, ka shkruar Konjufca./Gazeta Express