Kthehu lart

Si të kurohet ekonomikisht Kosova?

Si të kurohet ekonomikisht Kosova? Autori: Gresa Latifi GazetaExpress

Reformimi i strukturave kërkon përpjekje titanike në dy dimenzione: në themel – aty ku janë qytetarët dhe në krye të shoqërise – aty ku janë elitat politike. Në momentin që ky ‘motor reformash’ vihet në lëvizje, modele ‘baumoliane’ të biznesit kanë gjasa të shpërthejnë njëpasnjëshëm dhe kështu të ç’montojnë në mënyrë kreative ekonominë e vjetër për t’i hapur më pastaj rrugë një ekonomie të re e të bazuar në inovacion

Historikisht e lodhur, Kosova gëzon shtetësinë që nga viti 2008. Nën petkun e tranzicionit nga lufta e fundit, ky vend po vazhdon të jetojë viktimën tash e disa vite. Performanca e përgjithshme ekonomike lë shumë për të dëshiruar. Rritja modeste e Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori (i cila aktualisht është pothuajse përgjysmë më i ulët se BPV për kokë banori i vendeve fqinje [burimi: orldbank]) nuk ka arritur të lë gjurmë të vërejtshme në akomodimin e nevojave të tregut të punës. Konkurreshmëria e Kosovës me vendet fqinje, e matur me produktivitet, ka qenë edhe më keq dy dekadat që lamë pas. Kosova kështu, në rastin më të mirë, vazhdon të ruaj epitetin e një eknomie që vegjeton.

Sfidat ekonomike me të cilat po ballafaqohet Kosova janë bazike, dhe për tejkalimin e tyre nuk është bërë mjaftueshem. Të tilla probleme nuk patën qenë as bërthamë e fushatës së fundit zgjedhore. Sa e papranueshme aq edhe e pajustifikueshme. Politikanët kosovarë vazhdojne të injorojnë sëmundjen ekonomike të vendit dhe shkaktarët e saj. Çfarë mund të bëhet për t’a rikthyer shendetin ekonomik dhe sipërmarrjen produktive në vend? Diagnoza e pacientit tregon të meta gjenerike të cilat kryesisht kanë të bëjnë me (1) kapitalin njerëzor (rrjedhimish me tregun e punës), dhe (2) kualitetin e ulët të qeverisjes duke shkaktuar kështu një mungesë të madhe të besimit në institucione. Këto dobësi strukturore nuk janë lehtë të riparueshme. Ndryshimi në sistemin arsimor që do t’i vihej në funksion përmirësimit të problemit të parë, pra përmirësimit të kapitalit njerëzor të gjeneratave të ardhshme, është një ndërhyrje që kërkon shumë vite për t'u zbatuar. Pasi të implementohet me sukses, duhet një kohë tjetër relativisht e gjatë për të vërejtur efektet e saj në ekonomi. Ndërkohë problemi i dytë, që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe kështu ngritjen e besimit në institutione, është ndoshta ndryshimi më i vështirë institucional që mund të imagjinohet në Kosovë. Kjo për faktin që aspekte të institucioneve joformale si ‘besimi’ (shih North, 1990) që kanë rrënjë të thella e që evoluojnë ngadalë, kanë pak gjasa të ndërrojnë dhe në rastet e ndërhyrjeve “Deus ex Machina”. Megjithatë, ndryshimi është i mundshëm.

Reformimi i strukturave të përmendura më lart kërkon përpjekje titanike në dy dimenzione: në themel – aty ku janë qytetarët dhe në krye të shoqërise – aty ku janë elitat politike. Në momentin që ky ‘motor reformash’ vihet në lëvizje, modele ‘baumoliane’ të biznesit kanë gjasa të shpërthejnë njëpasnjëshëm dhe kështu të ç’montojnë në mënyrë kreative ekonominë e vjetër për t’i hapur më pastaj rrugë një ekonomie të re e të bazuar në inovacion. Një pacient si Kosova nuk do ta ketë të lehtë shërimin. Por po pati një këndellje të suksesshme, do të krijojë një shembull kah i cili do ta kthenin shikimin edhe vendet përtej ballkanike.

Autorja është ligjëruese dhe kandidate e doktoratures në Politecnico di Milano

    Data: 18 Maj 2018 10:31
    Autori: Gresa Latifi

    Të tjera