Kthehu lart

Projekti ATOMI ka nevojë për përkrahjen e të gjithëve, edhe të shtetit të Kosovës!

Projekti ATOMI ka nevojë për përkrahjen e të gjithëve, edhe të shtetit të Kosovës! Autori: Jusuf Thaçi GazetaExpress

Pse Projekti ATOMI ka nevojë për përkrahjen e shtetit?

Të dashur qytetarë,

Këtë shkrim nuk po e bëj në emër timin personal si Jusuf Thaçi, qytetar i zakonshëm, por në cilësinë e Menaxherit të Projektit ATOMI.

Së shpejti bëhen 5 vite që kur unë punoj në Projektin ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë. Së bashku me disa kolegë, këtë projekt e kemi ngritur nga hiqi dhe tashmë është projekti me reputacionin më të mirë në vend e me njohje ndërkombëtare nga organizatat më të fuqishme të kësaj fushe dhe nga universitetet më prestigjioze. Për ta arritur këtë brenda 4-5 viteve, unë personalisht jam përkushtuar me tërë qenien time e pa kursyer asgjë nga vetja, madje edhe duke lënë anash obligimet familjare, edhe duke lënë anash interesin tim ekonomik, edhe duke lënë anash ngritjen e avancimin tim akademik. Këtë e kam bërë e do ta bëj për shkak se i çmoj e i dua këta fëmijë/nxënës po aq sa e dua vajzën time, Janinën, dhe për shkak se besoj fuqishëm që këta fëmijë/nxënës janë kapitali më i vlefshëm e më i rëndësishëm i shoqërisë dhe vendit tonë.

Për të pamundësuar çfarëdo mundësie të politizimit e degjenerimit të këtij projekti, deri në konsolidimin e tij, gjatë dy viteve të para, nuk kemi pranuar të marrim kurrfarë përkrahje financiare nga institucionet tona shtetërore e publike, qendrore e lokale. Vetëm pas vitit të dytë kemi kërkuar edhe përkrahjen e ministrisë së arsimit dhe të komunave të Kosovës. Duke parë natyrën dhe rëndësinë e projektit, në dy vitet e kaluara projektin e kanë përkrahur ministria e arsimit, përkatësisht qeveria e udhëhequr nga PDK&AKR, dhe disa komuna të Kosovës të udhëhequra nga subjekte të ndryshme politike (komuna e Prishtinës e udhëhequr nga LDK, Komuna e Ferizajt e udhëhequr nga PDK, Komuna e Suharekës e udhëhequr nga AAK, komuna e Drenasit dhe e Skënderajt e udhëhequr nga PDK dhe komuna e Prishtinës e udhëhequr nga LVV).

Në vitin e vet të pestë (2015/2016) Projekti ATOMI (tashmë projekti është shndërruar organizatë në vete e jo vetëm projekt – Instituti ATOMI) ka planifikuar të zgjerohet dhe të punojë në tri drejtime:

1. Ofrimin e shërbimeve të ndryshme përkrahëse për nxënësit (atomistët) e përzgjedhur në ciklet e mëparshme, posaçërisht në Shkollën+ që ofrohet për 30 të shtuna gjatë gjithë vitit me 17 kurse të ndryshmet fushave e shkencave të ndryshme me profesorët më të mirë universitarë.

2. Realizimin e përzgjedhjes së atomistëve të rinj të klasëve 7-10 nga të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës përmes testimit me teste të standardizuara të inteligjencës dhe ofrimin e shërbimeve përkrahëse për të përzgjedhurit e rinj.

3. Konceptimin dhe përgatitjen e detajuar të një shkolle të mesme të lartë jo-fitimprurëse (të posaçme për nxënësit me potencial të jashtëzakonshëm intelektual), siç janë plan-programet, syllabuset, literatura, profesorët, donacionet, etj..

Për realizimin e këtyre aktiviteteve shumë profesionale e shumë voluminoze, projekti ka pasur nevojë për rritje të kapaciteteve e rrjedhimisht edhe për mjete financiare shtesë. Prandaj, i jemi drejtuar ministrisë së arsimit me kërkesën që të ndajë për një vit të projektit 100 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër të mjeteve e kemi siguruar nga donacionet tjera vendore e ndërkombëtare. Ministria na ka premtuar këtë përkrahje, edhe zyrtarisht edhe publikisht, dhe bazuar në këtë premtim ne kemi filluar të punojmë me personelin ekzistues në tri drejtimet e sipër-përmendura në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të fushave përkatëse, pa u fokusuar shumë në sigurimin e mjeteve tjera financiare për këtë cikël të projektit (meqë jemi shumë pak staf në projekt).

Bazuar në kërkesën tonë, ministria e arsimit i ka bërë kërkesë qeverisë për mjete shtesë për këtë ministri për ta përkrahur Projektin ATOMI me ato mjete, por kjo kërkesë është refuzuar, me arsyetimin që ministria mund të ndajë mjete vetëm nëse i merr ato nga buxheti i vet. Pas kësaj, ministria e arsimit na ka informuar që nga kursimet e ministrisë i ka ndarë mjetet për Projektin ATOMI dhe për ndarjen e këtyre mjeteve duhej vendim i qeverisë. Dhe për këtë e ka përcjellë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procedim për vendim në qeveri. Por, kur ka ardhur puna këtu, projekti është bllokuar nga një apo disa zyrtarë në ministrinë e financave apo në kabinetin e kryeministrit me arsyetimin se ministria e arsimit ka borxhe të tjera të pashlyera dhe nuk mund ta përkrahë Projektin ATOMI.

Nëse kjo është arsyeja e vërtetë e mospërkrahjes së Projektit ATOMI nga qeveria, atëherë më duhet të them dy gjëra. E para, arsimi në Kosovë nuk zhvillohet duke u përqendruar vetëm në shlyerjen e borxheve e duke lënë anash projekte të rëndësishme, siç është Projekti ATOMI, i cili është i vetmi në Kosovë që merret me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve/nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, të cilët në perspektivë mund të jenë kategoria e vetme e personave që për shkak të arritjeve e sukseseve të tyre të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare (nëse investojmë tek ta) do t’i bëjnë nderë Kosovës dhe do t’i kontribuojnë më së shumti mirëqenies e zhvillimit të gjithëmbarshëm të këtij vendi. E dyta, ministria e financave do duhej që me kohë ta informonte ministrinë e arsimit, e përmes saj edhe neve, se nuk do të përkrahet Projekti ATOMI as nëse ministria e arsimit ndanë mjete nga buxheti i vet, në mënyrë që ne me kohë të mos fillonim aktivitetet e sipërpërmendura dhe të mos i lenim në pritje ata qindra prindër e fëmijë/nxënës që janë të interesuar për të aplikuar në kuadër të Projektit ATOMI. Kësisoj, ne së paku do të reduktonim aktivitetet dhe do t’i përqendronim një pjesë të resurseve (shumë të pakta) në ngritjen e fondeve. Atyre që më akuzojnë mua e kolegët e mi se kemi qenë naivë që iu kemi besuar premtimeve publike të institucioneve shtetërore, ua pranoj akuzën si të drejtë. Kemi qenë naivë!

Me këtë rast, nuk mund të mos e përmend edhe një element. Duke u bazuar në faktin që njëherë është kërkuar që ministria e arsimit t’i ndajë mjetet nga buxheti i vet për Projektin ATOMI e pasi që ajo e ka bërë këtë, kërkesa është bllokuar në qeveri ose në ministrinë e financave, si dhe bazuar në disa “dyshime” e “thashetheme” që kam dëgjuar, arsyeja e mos-procedimit të kësaj kërkese për miratim në qeveri mund të jetë edhe fakti që një apo disa zyrtarëve në ministrinë e financave apo në kabinetin e kryeministrit, unë, Jusuf Thaçi, si menaxher i Projektit ATOMI, nuk ua plotësoj kriterin e “përshtatshmërisë moralo-politike” për shkak se kam qenë drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit të Komunës së Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit të LVV-së dhe për shkak se kam qenë dhe jam kritik i qeverisë dhe partive në pushtet.

Nëse kjo është arsyeja e vërtetë e mospërkrahjes së Projektit ATOMI nga qeveria, atëherë kjo është vërtet absurde, sepse s’mund ta kuptoj se ç’lidhje mund të kenë bindjet, qëndrimet e opinionet e mia personale filozofike, ideologjike e politike me punën time profesionale në Projektin ATOMI apo në fushën e arsimit në përgjithësi në Kosovë, me të cilat unë merrem profesionalisht?! Unë asnjëherë nuk i ngatërroj bindjet, qëndrimet e opinionet e mia personale me punën time profesionale. Për ta dëshmuar këtë, po përmend vetëm tre shembuj:

1. Njëra nga shkollat më të mira private në Prishtinë i ka ofruar Projektit ATOMI dy bursa të plota për gjithë shkollimin parauniversitar 12-vjeçar (mbi 2500 euro në vit) për dy fëmijë atomistë që fillojnë klasën e parë. Njëri nga këta dy fëmijë që e kemi dërguar si bursist nga projekti në këtë shkollë ka qenë pikërisht fëmija i një ish-deputeti të LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Kjo për faktin e thjeshtë se ky fëmijë ka qenë në mesin e dy atomistëve të vegjël që kanë pasur rezultatet më të larta në mesin e fëmijëve të testuar të kësaj moshe. Imagjinoni sikur për shkak të bindjeve të mia e për shkak të bindjeve të prindit të këtij fëmije ne ta diskriminonim këtë fëmijë e të mos ia ofronim këtë mundësi?! Kjo do të ishte më shumë se kriminale!

2. Unë kam qenë drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit të Komunës së Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit për gjashtë muaj. Gjatë kësaj periudhe 6-mujore nuk kam lejuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të ndëshkimit, avancimit, diskriminimit a favorizimit të askujt bazuar në asnjëlloj bindje a përkatësie (as filozofike, as ideologjike, as etnike, as politike, as partiake, as regjionale, as gjinore, as socio-ekonomike, etj.). Për ta konfirmuar këtë, mund të pyeten zyrtarët e DKA-së, drejtorët e shkollave e çerdheve, mësimdhënësit e personeli tjetër i shkollave e çerdheve, asamblistët e KK-së së Prishtinës të të gjitha subjekteve politike, mediat e organizatat e shoqëria civile që e kanë monitoruar këtë drejtori. Nuk kam lejuar asnjë rast të ndëshkimit, avancimit, diskriminimit a favorizimit të askujt mbi asnjë bazë sepse besoj thellë, po aq sa besoj në ekzistencën time, që arsimi është një fushë e shenjtë për një vend dhe si i tillë duhet të mbështetet vetëm në kritere e standarde shkencore, profesionale e etike. Po të mos udhëhiqesha nga ky parim do të isha një kriminel!

3. Pavarësisht se ministria e arsimit udhëhiqet nga PDK, të cilën unë e kritikoj, unë kam pranuar që në cilësinë e ekspertit të jashtëm të jem anëtar i disa këshilleve të rëndësishme shtetërore në kuadër të kësaj ministrie dhe jam nga anëtarët më të rregullt dhe më kontributdhënës, pavarësisht që nuk kam pranuar të kompensohem materialisht  për këto angazhime, megjithëse një gjë e tillë parashihet me ligj (sinqerisht ndihem keq që më duhet ta përmend këtë fakt, por më duhet ta përmend për ta pamundësuar interpretimin e disave që unë kam shkuar në këto këshille sa për të marrë pagesë). Këtë e bëj si një kontribut modest vullnetar për vendin tim dhe për fushën e arsimit në Kosovë që është fusha e kompetencës sime. Imagjinoni sikur për shkak të bindjeve të mia të mos pranoja të jap kontributin tim në përmirësimin e arsimit në Kosovë, vetëm pse ministrinë e arsimit e udhëheqë PDK?! Kjo do të ishte më shumë se kriminale!

Pse Projekti ATOMI ka nevojë për përkrahjen e shtetit?

E di që shumëkush mund ta shtroj pyetjen se përse Projekti ATOMI duhet të mbështetet edhe nga shteti. Janë shumë arsye për këtë, por po provoj të përmend përmbledhtazi disa prej tyre që dëshmojnë që ky projekt ka nevojë që të përkrahet nga shteti i Kosovës:

1. Kategoria e nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual (me dhunti e talente) është kategori ligjore e kodifikuar në nenin 39 (pika 4) të Ligjit Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, për të cilën kategori ligji parasheh “arsim të posaçëm” në funksion të zhvillimit të potencialit të plotë intelektual të këtyre nxënësve duke iu përshtatur karakteristikave të tyre dhe Projekti ATOMI është ndërmarrja e parë dhe e vetme në Kosovë që merret me këtë kategori të fëmijëve/nxënësve.

2. Në Projektin ATOMI, duke qenë projekt shumë specifik, vetëm procedura e përzgjedhjes (përgatitjet, informimi dhe testimet) së fëmijëve/nxënësve zgjatë deri në tetë muaj, meqë interesimi i madh i aplikuesve dhe burimet e kufizuara profesionale që i kemi në Kosovë, në njërën anë, si dhe kriteret dhe standardet shkencore, profesionale e etike të përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës në anën tjetër, na detyrojnë për këtë. Prandaj, shumë donatorë vendorë e ndërkombëtarë i shmangen përkrahjes së këtij projekti sepse ky nuk është projekt që sjellë efekte e rezultate të menjëhershme.

3. Projekti ATOMI merret me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve/nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, të cilët sigurisht që janë shumë të paktë në numër (një përmijëshi i popullatës apo 1 më i miri në 1000 raste). Kjo bën që numri i nxënësve të përzgjedhur apo target-grupi final i këtij projekti të jetë shumë i vogël (rreth 50 në vit) në ndërkohë që kostoja e përzgjedhjes dhe e ofrimit të shërbimeve për ta është shumë e lartë, sepse na duhet të angazhojmë ekspertët e profesorët më të mirë universitarë për të punuar me ta. Prandaj, shumë donatorë vendorë e ndërkombëtarë i shmangen përkrahjes së këtij projekti sepse sipas politikave të tyre ky ju duket një investim joproporcional.

4. Në rastet e projekteve specifike, sidomos të fushës së arsimit, siç është Projekti ATOMI, donatorët ndërkombëtarë shpeshherë nuk ofrojnë përkrahjen e tyre nëse nuk e shohin se këto projekte përkrahen edhe nga vet institucionet shtetërore, sepse i frikësohen paqëndrueshmërisë së projektit. Pra, sa më shumë ofron përkrahje shteti për projekte të tilla, aq më shumë rriten gjasat për sigurimin e përkrahjes së donatorëve ndërkombëtarë dhe e kundërta.

5. Projekti ATOMI i konsideron fëmijët/nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme si pasurinë më të madhe kombëtare dhe si kapitalin më të vlefshëm të kësaj shoqërie, prandaj nuk lejon që këta fëmijë/nxënës të komercializohen as nga vet projekti e as nga të tjerët. E gjithë kjo bëhet me qëllim që këta fëmijë/nxënës të mos keqpërdoren nga askush dhe për asgjë. Prandaj, shumë biznese e kompani vendore e ndërkombëtare hezitojnë të përkrahin projekte të tilla jokomerciale.

Pse po e shkruaj këtë shkrim publik? Për disa arsye:

1. Për t’i garantuar atomistët ekzistues dhe prindërit e tyre se ATOMI do të vazhdojë që gjatë këtij cikli t’i ofrojë për ta të gjitha shërbimet e aktivitetet e parapara dhe të premtuara.

2. Për t’i informuar ata qindra nxënës e prindër të tyre që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e Projektit ATOMI se do ta kenë këtë mundësi dikur kah tetori-nëntori i vitit 2016, kur do të hapim konkursin për aplikim, meqë për këtë cikël tashmë e kemi të pamundur.

3. Për t’i informuar ata dhjetëra atomistë (dhe prindërit e tyre) që kanë qenë të interesuar për t’u bërë pjesë e Shkollës ATOMI (shkolle e rregullt e mesme të lartë jo-fitimprurëse), shkollë e posaçme për nxënësit me potencial të jashtëzakonshëm intelektual, se do ta kemi të pamundur që ta fillojmë këtë shkollë në shtator të vitit 2016, duke i garantuar gjeneratat e ardhshme se do të bëjmë gjithë çfarë varet prej nesh që të fillojmë me këtë shkollë në shtator të vitit 2017.

4. Për t’i bërë thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës (të gjitha subjekteve politike) që të ndajnë buxhet të rregullt për Projektin-Institutin ATOMI, në mënyrë nxënësit me potencial të jashtëzakonshëm intelektual në Kosovë të mund të trajtohen siç e meritojnë dhe kësisoj t’ju mundësojmë këtyre personave zhvillimin maksimal të potencialit të tyre, gjë e cila, herët a vonë, do t’i kthehet si krenari, mirëqenie e zhvillim këtij vendi e kësaj shoqërie.

5. Për t’i bërë thirrje të gjithë individëve, bizneseve, donatorëve e institucioneve publike e private që të ndihmojnë në çfarëdo forme që munden këtë kategori të nxënësve.

Para përfundimit, dua patjetër të falënderoj të gjithë ata që e kanë mundësuar jetësimin dhe zhvillimin e Projektit ATOMI në Kosovë.

Së pari dhe më së shumti e falënderoj Rockefeller Brothers Fund (RBF) si donatori i parë, donatori më i madhi dhe donatori tradicional në këto 5 vite i Projektit ATOMI. Falënderoj edhe Raiffeisen Bank Kosova (RBKO) që ka qenë e vetmja kompani si sponsor i rregullt i Projektit ATOMI për këto 5 vite.

Përveç këtyre, falënderoj edhe të gjitha ato institucione që në vitet e kaluara e kanë përkrahur Projektin ATOMI financiarisht: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K), përmes projektit DSP që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), The Balkan Trust for Democracy (BTD), Komuna e Prishtinës, Drenasit, Suharekës, Ferizajt dhe Skënderajt.

Gjithashtu, falënderoj të gjithë ata që në forma të ndryshme (jo-financiare) e kanë përkrahur Projektin ATOMI: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Drejtoritë Komunale të Arsimit, Universiteti i Prishtinës (UP), Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), Kolegji UNIVERSUM, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Zero Pozitiv, Pixels, BIRN, INIT, Koperativa, RTK, Grupi KOHA, Klan Kosova, RTV21, Koha.net, Telegrafi.com, Gazetaexpress.com, Indeksonline.net, Zeri.info, Gazetablic.com, etj..

Gjatë kohës sa kemi qenë duke pritur një përgjigje nga qeveria e Kosovës për përkrahjen e Projektit ATOMI i kemi bezdisur shumë dhe shpesh katër persona (prof. Arsim Bajramin, prof. Muhamet Mustafën, prof. Hajredin Kuçin dhe z. Asdren Osaj), të cilët na kanë informuar rreth procedurave dhe kanë lobuar për Projektin ATOMI, të cilët dua t’i falënderoj gjithashtu dhe t’ju kërkoj ndjesë për bezdinë që ua kemi shkaktuar.

Me respekt,

Jusuf Thaçi – Menaxher i Projektit ATOMI

Prishtinë, më 30 dhjetor 2015

    Data: 31 Dhjetor 2015 11:09
    Autori: Jusuf Thaçi

    Të tjera