Kthehu lart

Njëmbëdhjetë Shtatori Tjetër

Njëmbëdhjetë Shtatori Tjetër Autori: Vedat Xhymshiti GazetaExpress

Njerëzimi duhet që të bashkohet për të krijuar rrethana detyruese për zbatimin e respektimit të vlerave universale për cilësinë dhe dinjitetin e jetës së njeriut, deri tek cilësitë e lirive tona civile dhe politike për të gjithë

Dyzet e tre vjet më parë, më 11 shtator, 1973 - presidenti socialist i Kilit Salvador Allende, u rrëzua në një grusht shteti. Ai thuhet se bëri vetëvrasje në rrethana misterioze, derisa trupat ushtarake e kishin rrethuar pallatin e tij duke shënuar instalimin e një diktature nën udhëheqjen e gjeneralit Augusto Pinochet, i cili për 15 vjet kishte shtypur të drejtat njerëzore, civile dhe politike të kilianëve. Që nga ajo kohë, shërbimi inteligjent amerikan i njohur si C. I. A., [Central Intelligence Agency] ka pranuar se ka pasur njohuri - por nuk e kishin pranuar përfshirjen e tyre në komplot. Agjencia "ishte në dijeni të komplotit të grushtit të shtetit - nga ana e ushtrisë, për të cilën veprimtari ata thonin se nuk e kishin dekurajuar marrjen me dhunë të pushtetit, në fakt sipas dokumenteve nëpër të cilat kam gjurmuar sot e një muaj të deklasifikuara dyzet vjet pas grusht-shtetit - C. I. A., ka kërkuar të nxisë një grusht shteti që në vitin 1970, siç dokumentohet në një histori të operacioneve të saj në vendet e Amerikës së Jugut. Dokumentet e deklasifikuara zbulojnë se si administrata e Nixon kishte udhëzuar agjencinë për të minuar qeverisjen e presidentit Salvador Allende, i cili ishte zgjedhur nëpërmjet një procesi demokratik zgjedhor.

Zakonisht tregimet e disa prej autorëve, redaktorëve dhe gazetarëve e komentuesve Makiavelist - mbështetës të retorikës zyrtare të neo-liberalizmit, nuk e përmendin Kilin e vitit 1973, për makiavelistët dhe të painformuarit njëmbëdhjetë shtatori fillon në vitin 2001.

Shumë prej tyre nuk e përmendin as Iranin e vitit 1935, Guatemalën e vitit 1954, Kongon e 1960-ës, Republikën Domenikane të vitit 1961, Vietnamin Jugor të vitit 1963, Brazilin e visit 1964 etj. Makiavelistët sherbëtorë të oligrakisë po dështojnë që ta mashtrojnë publikun edhe me atë që u quajt “Pranvera Arabe” deri tek lufta civile në Siri, si dhe puçi i dështuar në korrikun e këtij viti në Turqi. Fanatikët e neo-liberalizmit fillojnë historitë me Thatcher dhe Reagan, ata i admirojnë edhe të ikurit e drejtësisë George Bush e Tony Blair, ngase kjo qasje e padrejtë por e famshme, ju duket sikur një modë e kohës që ata e quajnë “koha moderne”.

Për publikun shqiptarë, lexuesin kurioz e mendjehapur kam gjurmuar shumë ngjarje, sot është njëmbëdhjetë shtatori i vitit 2001, njerëzimi sot do të ndez një qiri për viktimat e kullave binjake në Nju Jork, por mbase dikush tjetër në Kili vuan sot e 43 vjet nga padrejtësia, e shumë të tjerë vazhdojnë të vuajnë edhe sot, pikërisht në kohën sa ju lexues po i lundroni sytë tuaj në këto rreshta. Këto ngjarje pak kush nga ju mund t’i keni dëgjuar e lexuar.

Unë refuzoj të injorojë dëshminë e të vërtetës pasi besoj se liria e shtypit nuk është për të zbavitur dhe argëtuar, as për t'i theksuar vogëlsirat dhe sentimentet anësore e aq më pak "për t'i dhënë publikut atë që dëshiron", - por për të informuar, për të ngjallur, për të reflektuar, për të deklaruar rreziqet dhe mundësitë tona, për t'i treguar krizat në të cilat jemi dhe për të kërkuar zgjidhje të cilat iu përgjigjen interesave të të gjithë neve. Liria e shtypit është për të çuar pluhurin që e ka zaptuar të vërtetën, për të edukuar, dhe ndonjëherë edhe zemëruar opinioni publik. Prandaj, unë po gjurmoj tema të cilat pak kush është i interesuar të gjurmoj, sepse dua që ju të zemëroheni nga padrejtësia dhe t'i jepni fund asaj, para se ajo ta ketë shënuar fundin tuaj.

Krahu i “djashtë politik" veprimtaria e të cilëve karakterizohet me kapitalizëm fashist, kanë krijuar një fuqi e cila duke përjashtuar demokracinë në vepër, por duke e përdorur teorinë si një pluhur mbi praktikën e tyre, kanë krijuar një shtet të fuqishëm diktatorial i cili kontrollohet nga një grup i vogël oligarësh, por me shumë sherbëtorë të paguar, në të cilat fletë të pagave duket se nuk janë përjashtuar as politikanët tanë në Prishtinë.

43 vjet më parë një sulm ishte orkestruar mbi qeverisjen e Presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Kilit Salvador Allende, kështu me këtë sukses oligarkët e kishin inkurajuar administratën e Shtëpisë së Bardhë aq shumë sa 28 vjet më vonë ata guxuan që të krijojnë rrethana të atilla që të vrasin edhe qytetarët e tyre në Nju Jork në mënyrë që ata të mund të kenë një dorë kontrolli në fushat e Afganistanit për të zgjeruar tubacionet e gazit, një projekt ky në interes të oligarkëve sauditë dhe atyre amerikanë, deri tek aspiratat e tyre për t'i zaptuar dhe shfrytëzuar fushat e Irakut të pasura me ar të zi, duke kërkuar zgjerimin e aventurave të tyre të mëtejshme në atë që ata e quajtën "Pranvera Arabe" - e që kishte për qëllim për të rrëzuar udhëheqjet politike që ishin diktaturë, por që nuk kontrollohej dot nga diktatura në Uashington dhe që po rrezikonte qenien e diktaturës aleate në Riad. Kjo aventurë shkatërrimtare nuk ka ndaluar duke arritur në Damaskë, duke dështuar [tani-për-tani] në Ankara, por që sipas ish-gjeneralit të ushtrisë amerikane Wesley Clark, ky veprim pretendon të hapëroj deri në dikakturën kryeneqe të Teheranit në Iran.

Lufta kundër terrorizmit është një mashtrim, kjo është ndryshe një luftë kundrejt pasojave të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, e cila politikë vazhdimisht ka krijuar rezistencë kundër një pushtuesi të padrejtë, shfrytëzues e shkatërrimtar.

Katër javë pas njëmbëdhjetë shtatorit në Nju Jork, Kabuli ka përjetuar një sulm të padrejtë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Bombardimi në Afganistan nuk kishte të bënte me asnjërin prej terroristëve të raportuar të Nju Jorkut, pasi Bin Ladeni ishte një saudit dhe paratë e Arabisë Saudite e kishin financuar organizatën e tij ‘Al-Kaida’, dhe se pesëmbëdhjetë prej nëntëmbëdhjetë rrëmbyesve ishin shtetas sauditë për të cilët u tha se i rrëmbyen fluturaket civile duke i përplasur ato me Kullat Binjake në Nju Jork dhe shënjestra të tjera. Pavarësisht kësaj — vetëm tre javë para se kockat e fëmijëve, grave dhe burrave të pafajshëm Afganë do të copëtoheshin nga bombardimet amerikane në Kabul, Princi Saudit Sulltan Bin-Bandar, i cili njihej edhe si "Bandar Bush" — ishte ambasador i Arabisë Saudite në atë kohë, i cili "rastësisht" ngjau që të gjendej në një darkë me presidentin Bush, pikërisht më 13 shtator, 2001, pra vetëm dy ditë pas tragjedisë 9/11 me qëllim që të negocionte kthimin e familjarëve të sauditëve të cilët ishin identifikuar si rrëmbyes të fluturakeve famëkeqe në Nu Jork.

Asnjë saudit i vetëm i implikuar në sulmet në Nju Jork nuk ishte kapur ose vrarë në Afganistan.

Në vend të kësaj, një nga kombet më të varfra, më të goditura nga qeveria amerikane ishte terrorizuar nga disa qeveri të tjera më të fuqishme - deri në pikën ku pilotët amerikanë kishin drejtuar tytat e tyre "ushtarake" duke shkatërruar shtëpitë prej balte, spitalet, depot e Kryqit të Kuq, kamionët e ngarkuar me refugjatë dhe kudo që kishin gjetur mundësinë e parë t'i shfrynin "topat" e fluturakeve të tyre, për çfarë George Bush dhe Tony Blair, duhet doemos t'i përgjigjen njerëzimit se çfarë ka të bëjë me Osama bin Laden - vdekja e dhunshme e miliona civilëve të pafajshëm në mesin e tyre fëmijë, gra e burra të Afganistanit e Irakut, pushtimin e të cilit vend më vonë u përpoqën ta arsyetojnë me armët e Pagjetura të shkatërrimit në Masë të Sadam Huseinit, të cilin e vranë.

Njëmbëdhjetë Shtatori 1973

Në të '60-at, Kili ishte tokë pjellore me interes për industrinë korporative amerikane, duke përfshirë “Pepsi Cola” dhe "IT & T", e cila zotëroi industrinë e bakrit. Për shkak të kulturës së tyre të padrejtë shfrytëzuese, "Pepsi dhe IT & T", panë një rritje në mbështetje të një ideologjie politike e cila do të vihej në mbrojtje të interesave kiliane. Në fillim të '70-ave "shqetësimet" e tyre u dëgjuan nga administrata e Presidentit Nixon dhe operacionet praktike ishin ndërmarrë për të parandaluar ndonjë përparim të një ideologjie politike e cila kishte për qëllim të shënonte fundin e shfrytëzimit të padrejtë të korporatave amerikane dhe fillimit të një jete të re e përparimtare për kilianët.

Në vitin 1970 një koalicion i një ideologjie politike e »Majtë dhe Qendër« kishin kërkuar fitoren elektorale në Kili. "Unidad Popular" udhëhiqej nga një mjek, mason dhe marksist "Bon Vivant '- Senatori Salvador Allende.

Derisa zgjedhjet vendit po ofroheshin, kandidati i majtë Salvador Allende, i cili kishte premtuar se do të shtetëzojë industrinë e bakrit në Kili, kishte fituar mbështetje masive nga njerëzit. Përderisa ideja e Allendes kishte mobilizuar njerëzit që të qëndrojnë për të, Oligarkët në Uashington filluan të shpenzojnë miliona dollarë nëpërmjet një shoqërie të krishterë demokratike në Kili, për të përgatitur këstin e instalimit të satelitëve amerikanë që kishin qëllim të parandaluar çdo përpjekje përparimtae të popullit kilian. Allende u identifikua me socializmin e majtë në mes të luftës së ftohtë, një veprim ky i cili ngriti shqetësime serioze në Uashington, administratë kjo e cila që nga vrasja e Presidentit Kennedy, nuk i ka me prioritet të gjithë njerëzit, derisa qeverisja e re në Kili, ishte një klasë politike me fokus dhe prioritetet në interesin e të gjithëve, ngjarje kjo që i kishte alarmuar oligarkët amerikanë të cilët kishin bërë lëvizjet e tyre parandaluese. Në prill të vitit 1973, oligarkët amerikanë u ulën në Kongres për t'i adresuar shqetësimet e tyre se dikush i "rrezikshëm" ishte duke fituar mbështetje, prandaj ata e donin atë të vdekur.

Kreu i korporatës së industrisë së bakrit Harold Geneen nga "IT & T" - i bëri thirrje Kissingerit për të ndërmarrë veprime kundër Allendes, -derisa presidenti i "Pepsi Cola" Donald Kendall, i kishte përsëritur të njëjtat shqetësime me një mik të vjetër, presidentin Richard Nixon.

Më 4 shtator 1970 - Allende fitoi një shumicë të votave, ku dukej e sigurt se fitorja e tij do të konfirmohej nga Kongresi kilian, derisa C. I. A., ishte jo shumë larg prapa, ata ishin tashmë në kontakt me njerëzit e gjeneralit Rene Schneider, komandantin popullor të ushtrisë kiliane. Edhe pse, C. I. A., kishte deklaruar se Allende nuk ishte një kërcënim kombëtar për Shtetet e Bashkuara, Nixon tha se presidenca e Allendes ishte e papranueshme. [-shih faqen 70: Enciklopedia e Politikës së Jashtme Amerikane - Nga Glenn P. Hastedt]

Tre vite më herët, më 15 shtator 1970, presidenti Nixon ishte takuar në Zyrën Ovale me Henry Kissinger dhe Richard Helms, drejtor i C. I. A. - Helms në atë takim kishte sjellur shënime që trajtotonin një plan për të parandaluar ardhjen e Allendes në pushtet, rreziqet ishin të përjashtuara në atë veprim përfshirës, duke përjashtuar përfshirjen e Ambasadës amerikane, me 10 $ milionë në dispozicion dhe më shumë para nëse do të ishte e nevojshme.

Një tjetër shënim [Memo] i brendshëm i C. I. A.,- që daton më 16 Shtator, përshkruan politikën zyrtare, por sekrete të zbatuar nga C. I. A., nën mbikëqyrjen e Henry Kissinger, i cili i kërkoi Helms t'i raportonte drejtpërsëdrejti atij, mbi detajet e operacioneve të grushtit të shtetit, të mbajtura fshehur edhe ndaj departamenteve të mbrojtjes, si dhe ambasadës amerikane në Kili. Plani i veprimit i njohur si "Track II" - sipas një publikimi në faqen zyrtare të C. I. A., ishte një ".. strategji, në të cilën C. I. A., është udhëzuar për të kërkuar mundësinë e nxitjes së një grusht shteti për të parandaluar Allenden nga marrja e detyrës".

"Si këshilltar i Richard Nixon, Kissinger kishte ndjekur një veprim Makiavelist në rastin e Kilit" - kujton ambasadori amerikan në Kili Edward Korry, i cili ishte dërguar në Santiago në vitin 1967 për t'u tërhjekur nga detyra në vitin 1971 - si rezultat i shqetësimeve të tija të ngritura kundrejt një plani veprues i cili kërkonte rrëzimin e Allendes.

Ky kabëll diplomatik i shkëmbyer me selisë së C. I. A., në Langley, VA., dhe stacionit të tyre - në Santiago - adreson dërgesën e fshehtë të armëve dhe municionit për përdorim në një komplot për të rrëmbyer komandantin ushtarak kilian, gjeneralin Rene Schneider.

"Neutralizimi" i Schneider ishte një parakusht kyç për një grusht shteti ushtarak; ai kundërshtoi çdo ndërhyrje nga forcat e armatosura për të bllokuar zgjedhjen kushtetuese të Allendes. Dokumenti i zbuluar sugjeron se C. I. A., ka furnizuar me armë "sterile" një grup oficerësh kilianë të udhëhequr nga gjenerali Camilo Valenzuela - për veprimin e një taktike e cila ishte dizajnuar për t'i fajësuar mbështetësit e Allendes dhe për të shkaktuar marrjen e pushtetit nga forcat ushtarake. Në vend të kësaj, më 22 tetor, Gjenerali Schneider u vra nga një grup tjetër të udhëhequr nga gjenerali në pension Roberto Viaux - me të cilët C. I. A., kishte bashkëpunuar. Por, gjërat nuk iu kishin shkuar mbarë amerikanëve, pasi në vend të një grushti shteti, ushtria dhe vendi u bashkuan me Allenden pas ratifikimit të fitores së tij nga Kongresi Kilit më 24 tetor.

Koloneli Paul Wimert, i cili ka punuar në ambasadën amerikane në Santiago, dëshmoi duke thënë se: "C. I. A., më dha $ 250.000, për të na ndihmuar ta heqim qafe Gjeneralin Shnajder"., - megjithatë paratë e dërguara nga C. I. A., për të larguar Gjeneralin Schneider nuk ishin të nevojshme, pasi një ekip tjetër i C. I. A., e kishin asgjësuar atë tanimë. Vrasja tronditi vendin, ndërsa politikanët në Kili u mblodhën përkrah Allendes dhe konsoliduan fitoren e tij zgjedhore.

Në qytetet e varfra të Kilit, u pritën shresa të mëdha se presidenti i ardhshëm do të jetë në gjendje për të vendosur zbatimin e reformave për të ndihmuar ndryshimin e jetëve për të gjithë nga një varfëri e mjerë që kishte prekur thuaja çdokend si pasojë e shfrytëzimit të padrejtë nga korporatat e huaja dhe një politike nënshtruese ndaj tyre, tek një cilësi e përparim të dinjitetit jetësor pa ndërhyrje të jashtme, me barazi të plota të drejtave njerëzore, civile dhe liri politike për të gjithë. Pasi u konfirmua me fitoren Allende ishte i vetëdijshëm për një krcënim që po i vinte atij dhe popullit të tij, në një paraqitje televizive Presidenti Salvador Allende i ishte drejtuar kombit duke thënë se Shtetet e Bashkuara, duhet të respektojnë vullnetin e popullit të Kilit. Ata duhet të respektojë të drejtën e popullit të Kilit për të zhvilluar ekonominë e tyre në mënyrën se si duan ata në mënyrë që ajo të jetë në interesin e tyre. Hapi i parë i madh i presidentit i cili po shijonte një mbështetje mbarëkombëtare nga të gjitha partitë politike, kishte për qëllim të shtetëzojë industrinë e bakrit - industrinë më të madhe të Kilit, e cila ishte ende nën kontrollin efektiv të SHBA-së.

E veja e presidentit Allende, Znj Hortensia Allende gjatë një paraqitje televizive kujtohet të ketë thënë: "... kur S. Allende shtetëzoi bakrin, nuk ishte një masë arbitrare. Ai e bëri atë për të marrë burimet tona me qëllim të zbutjes së varfërisë në vendin tonë ".

Derisa Allende ishte i këmbëngulur në atë që ai e ka quajtur si Revolucioni për përparim shoqëror, fëmijëve në shkolla në përditshmëri iu ishte dhënë një gotë e qumështit. Gjersa shtresat e mesme ishin në buzë të kapitullimit duke pritur dhe mbështetur përpjekjet për të rritur përparimin e mëtejshëm të vendit, Shtetet e Bashkuara ishin siguruar që njerëzit në Kili do të vdisnin nga uria, mismë kjo e presidentit Nixon, i cili kishte thënë se do të shkaktonte ‘klithjen’ e ekonomisë kiliane.

Retorika e Shteteve të Bashkuara ishte po ajo që ne të gjithë sot e njohim. Ne ishim të shqetësuar për të ardhmen e popullit, u frikësuam se shteti do të rrezikojë procesin demokratik dhe të ardhmen e lirive njerëzore në Kili thonin ata. Por shqetësimi i Presidentit Nixon për të ardhmen e njerëzve ishte regjistruar nga shumë dokumente shtetërore në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte transmetuar edhe nga Kristian Gustafson, autor i librit "Qëllimi Armiqësor: Operacionet e Fshehta Amerikane në Kili, 1964 - 1974" - në të cilin citohet presidenti Nixon të ketë thënë: "Kili sigurisht se është i interesuar në marrjen e kredive nga organizatat ndërkombëtare dhe unë e kam qartësuar se kudo që ne kemi një votë ku Kili është i përfshirë, ne do të votojnë kundër ".

Paratë e C. I. A., - ndihmuan për të paguar pronarët e kamionëve për ta sjellur vendin në një varfëri dhe uri të skajshme, veprimi i 'kamionistëve' ishte vdekjeprurës për qytetarin e thjeshtë kilian.

Më 4 dhjetor 1972 - Presidenti Salvador Allende, mbajti një fjalim në Këshillin e Sigurimit. Ai akuzoi se korporatat amerikane që po përfitonin nga vjeljet e industrisë së bakrit në Kili "IT & T" - ishin duke u përpjekur për të provokuar një luftë civile duke thënë: "... ata propozuan ngulfatjen ekonomike, sabotimin diplomatik dhe çrregullim social, për të prodhuar panik në mesin e njerëzve, duke e lejuar ushtrinë për të përmbysur një demokraci dhe të instaloj një diktaturë ".

Allende nuk do të gjente ndonjë mbështetje të mirëkuptimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, prandaj ai do të shkojë në Moskë duke kërkuar mbështetje financiare për të vazhduar revolucionin e tij të ekonomisë sociale për të luftuar varfërinë dhe për të sjellë kombin në një cilësi dinjitoze dhe përparimtare të jetës, por kërkesat e Presidentit Allende nuk i kishin lënë përshtypje Moskës zyrtare e cila në atë kohë po shpenzonte shumë për të ruajtur zhvillimin e Kubës. Nikolai Leonov, shefi i analizave në KGB, në vitin 1985 botoi kujtimet e tij nën titullin "Kohë të Vështira", ai ndër të tjera sqaron se Moska kishte ardhur në përfundim se Presidenca Allende së shpejti do të merrte dhenë.

"Kundërshtarët e tij ishin duke u përpjekur për të larguar atë me mjete shumë demokratike. Dhe ne kemi besuar se do të bëhej pa përdorimin e armëve, veprimtari këto të cilat nuk mund të frenojnë asnjë rezistencë të forcave të opozitës, prandaj ne mendonim se nuk mund të ndihmojnë" shkruan ai mes tjerash.

Me popullaritetin qeveritarë në rritje, gjatë muajit qershor të vitit 1973, në Santiago kryeqytetin e Kilit, oficerët ushtarakë të krahut të djathtë dolën në rrugë në një grusht shteti të dështuar në tentativë. Gjithnjë kur SHBA-të janë të përfshira, derisa shtypi botëror regjistron dëshmitë e krimit, atëhere personeli i medias do të jenë në shënjestër, kështu pësoi edhe kameramani suedez Leonardo Henrichsen, i cili nuk mundi t'i mbijetoj plagëve pasi u qëllua dhe u vra nga një oficer kilian më 29 qershor 1973.

Përpjekja e grushtit të shtetit ushtarak i mbështetur nga SHBA-të - në qershor 1973 kishte dështuar që të realizohej me sukses tre muaj më vonë. Ky veprim shënoi edhe ditën kur Gjenerali i besuar i Allendes - Augusto Pinochet, i cili qe emëruar si kreu i ushtrisë kiliane në qershorin e dështuar amerikan, e tradhëtoi kombin e tij për ta instaluar udhëheqjen e tij dikaktoriale, e cila për 15 jet kismet shtypur mizorisht liritë njerëzore, civile dhe politike të popullit kilian, si pasojë e mbështetjes së oligarkëve në Uashington.

Grushti i shtetit i cili qe orkestruar nga C. I. A., - filloi veprimet e menjëhershme në shtator duke përdorur pronarët e kamionëve për të paralizuar eksport-importimin e mallërave në vend. Dyqanet u mbyllën për shkak të mungesës së mallrave, njerëzit e uritur vërshuan rrugët, amviset e klasës së mesme dolën në rrugë për të bërë zhurmë me pjatat dhe kanaçet e tyre në shenjë proteste, derisa "e Djathta" e dhunshme marionetë e qeverisë amerikane - kishte vepruar me frymëzim ku pas mesditës së 11 shtatorit, nën urdhërat e Përgjithshëm të Gjeneralit Pinochet - avionët gjuetarë britanikë kishin përshkuar mbi pallatin presidencial "La MONEDA".

Zjarri i ndezur si pasojë e bombardimeve nuk ishte shuar për disa javë, duket të ketë shënuar përshtypje të "mrekullueshme" për ambasadorin amerikan në Santiago Nathaniel Davis, i cili gjatë një internist televizive duke zbuluar kujtimet e tij citohet të ketë thënë: "Gruaja ime dhe fëmijët tanë ishin në shtëpi, dhe ata kishin një pamje të mrekullueshme të këtyre avionëve të cilët zhyteshin nga qielli duke hedhur bomba në pallatin "La Moneda".

Atë mëngjes nga "La MONEDA" - President Allende nëpërmjet një transmetimi iu kishte drejtuar kombit duke thënë: "Punëtorë, unë kam besim në Kili dhe fatin e tij. Shkoni përpara sa më shpejt, rrugët do të hapen dhe njerëzit së bashku do të ecin të lirë, për të ndërtuar një shoqëri më të mirë. Rroftë Kili, populli dhe punëtorët ". Disa orë më vonë ai ishte gjetur i vdekur. Thuhet se ai do të ketë premtuar se nuk do të heqë dorë i gjallë. Në libra e shënime të ndryshme kujtimesh, ai kujtohet të ketë thënë se më parë do të vdiste duke mbrojtur kushtetutën e vullnetit të popullit të vendit se të dorëzohej.

Veprimi i padrejtë e i pandëshkuar i Shteteteve të Bashkuara, kishte detyruar vetëvrajsen e një Presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike. SHBA-të ndihmuan instalimin e gjeneralit Pinochet, i cili menjëherë kishte vulosur shenjën e tij në vend, duke vdekur i pandëshkuar [-nëntë muaj pas vdekjes së Millosheviqit] në dhjetor të vitit 2006.

Pinochet, ishte një gjeneral i mbështetur nga politika amerikane, diktatura e të cilit sipas Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit [i njohur si Komisioni RETTIG] - dhe Komisionit Kombëtar për Burgime Politike dhe të Torturës [i njohur si Komisioni Valech], ishte përgjegjës për shkeljen e drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut në Kili për të paktën 35.000 njerëz, prej të cilëve 28.000 u torturuan, mbi 2,279 u ekzekutuan dhe mbi 1,248 të tjerë nuk dihet ku janë.

"Mendoj se Kili ishte veprimi më i korruptuar ndër të gjitha veprimet, për shkak se nuk kishte asgjë të bëjë me sigurinë kombëtare." - thotë Seymour Hersh, autor i librit "Çmimi i Pushtetit".

I dashun njeri, lexues mendjehapur, unë jam këtu për t'i shërbyer askujt, por etikës sime profesionale në fushën e gazetarisë të cilën e dua me dhembshuri. Pasioni im për gazetarinë është aq i fortë kështu që unë i kam premtuar se do të qëndrojë përkrah etikës së saj edhe në qoftë se është e nevojshme të sakrifikojë jetën time për atë. Për mua dhe të gjithë ne për të ushtruar lirisht këtë veprimtari profesionale dhe të gjitha punët e tjera - me siguri se duhet të mbështesim idetë politike të cilat do të ndihmojnë për të ofruar siguri dhe fitore të vlerave universale mbi cilësinë dhe liritë njerëzore, civile dhe politike për të gjithë. Unë nuk do t'i mbështes politikanët, por idetë politike që na shërbejnë të gjithëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës një fuqi ekzekutive në vendin tonë tash e 17-vjet, kanë mbështetur një klasë politike në vend e cila shkatërroi ekonominë, cilësinë e jetës, inkurajoi administratën tonë të na varfëroj, të na shtohet padrejtësia dhe papunësia. SHBA-të janë djepi i Vlerave Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut, por ata vazhdimisht kanë dështuar praktikimin e këtyre vlerave për shkak të faktit se institucionet e Uashingtonit zyrtarë janë përmbytur tmerrësisht nga oligarkët, të cilët me siguri kanë pasur sukses për të krijuar bazë dhe e kanë rrëmbyer shtetin. SHBA, është një vend teorikisht demokratik, prandaj ne njerëzimi, duhet doemos të kërkojmë largimin e oligarkëve nga administrata e Shtëpisë së Bardhë, e cila po vuan nga gjaku i fëmijëve, grave dhe burrave të pafajshëm, vdekja e të cilëve ishte planifikuar nga oligarkët dhe praktikuar në emër të të gjithë neve pa lejen tonë.

Ne duhet ta largojmë ndikimin e tyre, për ta zvogëluar fuqinë e tyre dhe kështu për t'i larguar ata nga pushteti në Uashington Ne duhet t'i ndjekim dhe t'i dërgojmë ata atje ku e kanë vendin, ata duhet të përballen me drejtësinë dhe fati i tyre duhet të jetë një dënim shembullor nga mirësia e njerëzimit për të ardhmen tonë më të sigurtë. Ne duhet t'i japim fund kulturës së tyre të mosndëshkimit të krimit para se ata t'i kenë vënë një fund shpresave tona për një të ardhme më të mirë e përparimtare. Njerëzimi duhet që të bashkohet  për të krijuar rrethana detyruese për zbatimin e respektimit të vlerave universale për cilësinë dhe dinjitetin e jetës së njeriut, deri tek cilësitë e lirive tona civile dhe politike për të gjithë.

Oligarkët duhet dëbuar para se ta ata ta kenë shkatërruar folenë tonë në Uashington. Ne duhet t'u japim atyre një mësim shembullor se pikëpamja e tyre vdekjeprurëse dhe shfrytëzuese për jetë në planetin tokë është e gabuar, se varfëria, padrejtësia dhe vrasjet masive janë veprime të gabuara.

Prandaj, zgjohu!

•     Burimet: Arkivat Kombëtare për Studime të Pavarura – Florida, SHBA; Libri i Fakteve të C. I. A; Faqja zyrtare e internetit të C. I. A.; RETTIG COMISSION; VALECH COMISSION;

•     Mediat: The New York Times; The Guardian; The UK Telegraph; BBC World News; Foreign Policy Magazine; Los Angeles Times; FoxNews.

•     Librat: “Price of Power” – Seymour Hersh; “Hostile Intent: U.S. Covert Operations in Chile, 1964-1974” —Kristian Gustafson; “Encyclopedia of American Foreign Policy” — Glenn P. Hastedt; “Lies and Deceits” - Eugene L. Solomon; “The Iraq War and Democratic Politics” - Alex Danchev and John MacMillan; “Secret History, Second Edition: The CIA’s Classified Account of Its Operations in Guatemala, 1952-1954; “Killing Hope: US Military and CIA Interventions Since World War II” - William Blum; “Safe for Democracy: The Secret Wars of the CIA” - John Prados;

•     Portalet: CIA.gov; hss.fullerton.edu; Arkivi i Sigurisë Kombëtare, Universiteti "George Washington" - nsarchive.gwu.edu; scholar.princeton.edu; TheAtlantic.com; slate.com; ForeignPolicy.com globalresearch.ca; DemocracyNow.com; ForeignAffairs.com; historycommons.org; USAToday30.com; 2.gwu.edu; iraqbodycount.org; Cursor.org; Marxsists.org; The Baffler; Imago.org;

Vedat Xhymshiti; është gazetar dhe korrespondent i pavarur lufte. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek Foreign Policy Journal, Gazeta Express, Magazina ‘2.0’ në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

    Data: 12 Shtator 2016 10:52
    Autori: Vedat Xhymshiti

    Të tjera