Në Kujtim të Jimmy-t…


20/08/2014

Në muajin mars të vitit 2011, unë duhej të tërhiqesha nga raportimi i vendeve të përfshira në kryengritje paqësore dhe të armatosura në Lindjen e Mesme gjatë Pranverës Arabe. Në këtë muaj Xhimi kishte shkuar në Libi për të raportuar.

Në prill ai së bashku me Clare Morgana Gillis, Manu Brabo, të dy këta kolegë dhe shokë për mua si dhe fotoreporterin jugo-afrikan Anton Harmmel, ishin kapur në një pritë nga forcat besnike të kolonelit libian Muhammer Gaddaf. Harmmel ishte vrarë, ndërkohë që James, Clare dhe Manu kishin shpëtuar për t’u liruar pas gjashtë javëve të mbajtur peng.

Unë isha i përfshirë në një fushatë për lirimin e tyre, por ç’mund të bënim më shumë pos të shkruanim letra qeverive të ndryshme, për të kërkuar nga ata një ndërhyrje dhe t’i mirëmbanim kontaktet dhe natyrën e komunikimit me individët e ndryshëm në Libi. Në fund të vitit 2011, kisha vendosur të lëvizja drejt Sirisë, ndërsa Jimmy po më thoshte se “duhet të jesh çmendur, nuk është edhe aq lehtë andej, sigurohu mirë me kënd po shkon!”. Dihej që ishte ashtu, sidomos pas vrasjes së korrespondentes së ‘Sunday Times’ Marie Colvin, dhe fotoreporterit francez Remi Ochlik, por unë kisha ndarë mendjen, madje ia thoja Jimmy-t se sapo të ndërtoja kontaktet e qëndrueshme, unë atje do t’i ndaja kontaktet për të krijuar mundësinë që të vinte dhe ai.

Unë kisha hyrë ilegalisht në maj të vitit 2012 dhe nuk mund të prisja më arsyetimet banale të ambasadës siriane në Beograd dhe më 20 Maj 2012, kisha hyrë brenda territorit të trazuar verior sirian, të përfshirë pjesërisht në kryengritje të armatosur dhe në demonstrata të përditshme nga studentët në Aleppo.

Sapo kisha hyrë, ia kisha thënë Jimmy-t: “Hey I am in, it was hard but made it through, do you want to join?” Ai ma kthen përgjigjen: “Duhet të pres edhe pak, dhe shkruhemi.”

Në muajin qershor ai më kishte kërkuar t’i ndaja kontaktet dhe të bisedoja me Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë, nëse mund të siguronin ardhjen e tij. Unë bisedova me UÇS-në dhe u kuptuam që nëse Jimmy do të thërriste ata, do ta mbështesnin për të hyrë brenda.

Por, Jimmy kishte ri-konsideruar pikën kufitare të Sirisë me Turqinë dhe kishte vendosur të hynte nga Libani, gjë që e kishte bërë me kryengritësit sirianë, për çfarë ai më informoi në fillim të qershorit për këtë dhe u thamë se do të takohemi diku në fushëbetejë, ose atje ku njerëzit kanë nevojë për dëshmitarë, për t’i dokumentuar vuajtjet e tyre.

Në fillim korriku u gjetëm bashkë në një fushë sporti në periferi të qytezës Marea, aty po flenim në fusha të hapura, ishte krejtësisht larg fshatit dhe shpresonim se nuk do të mund të ishim shënjestër e forcave ajrore, pastaj kishte edhe gojëdhëna nga banorët se mund të kishte ndërhyrje tokësore gjatë natës, e Ushtria Çlirimtare që përbëhej nga mësuesit, studentët, furrtarët e këpuctarët sirianë, nuk besonim se do të mund t’i bënin ballë ndonjë aksioni të tillë, thjesht donim të ishim të kujdesshëm. Ne shkonim përditë në zona të ndryshme ku dëgjonim për luftime, interesimi ynë ishte kryesisht në pikat e nxehta, fshatra e qyteza te vogla ku kishte banorë shumë, dhe duhej të dokumentonim jetët dhe vuajtjet e civilëve të vrarë e të plagosur.

Ishim bërë shumë gazetarë në një vend (Marea, Aleppo—Syria) dhe dikush duhej të ndahej për ta bërë të mundur mbulimin mediatik të luftës në tërësi, aq sa mundeshim dhe na krijohej hapësira e lirisë së lëvizjes, të gjithë ishim të pavarur, dhe të gjithë po raportonim për media të ndryshme por me lajme dhe pamje të njëjta, prandaj, vlerësuam se ndarja duhej bërë.

Në fund korriku Jimmy vendosi të largohej, ai së bashku me kolegen tjetër Nicole Tung u larguan në drejtim të Deir ez-Zur, rreth 350/km në lindje të Sirisë. E dinim që zona ku Jimmy kishte vendosur të hynte nuk ishte dhe e lehtë, flitej për militantë shovenistë të mbërthyer prapa kuintave të fesë islame, por megjithatë ende sikur e kishim nënvlerësuar rrezikun. Atë ditë pushuam, dikush nga ne po largohej, prandaj duhej të ishim bashkë për një ditë. Në mëngjesin e 14 korrikut, ata shkuan pak pas lindjes së diellit.

Mbrapa ngelëm unë, C. Stormer, B. Szlanko dhe më vonë u bashkua edhe James Harkin nga ‘VanityFair’, por ai shpejt u largua, duke dalur me një botim në muajin maj të këtij viti të titulluar: ‘Të Avulluar në Siri’.

Nuk ishim dëgjuar më me Jimmyn, unë në muajin gusht isha tërhequr për t’u kthyer në Tetor, ku ndodhi të isha rrëmbyer nga grupe të interesit të lidhur me Sauditët, për t’u liruar më pas falë ndërhyrjes së forcave kryengritëse siriane. Fundi i qershorit ishte muaji që kur Siria kishte marrë të zezën, luftëtarë të huaj po hynin me shumicë andej, dhe ata pak që kishin qenë në fillim përkrah forcave kryengritëse siriane, filluan të kalojnë në krahun e kryengritësve me orientime fetare të quajtur ‘Jabhat Al-Nusra’ (Shqip: Fronti Çlirimtar).

Jimmy ishte rrëmbyer në nëntor të vitit 2012 dhe askush nuk e dinte se ku dhe si u rrëmbye! Pas shumë kërkimeve e kuptuam se ai ishte rrëmbyer nga një grup militant islamik, por nuk dihej se kush ishin ata në të vërtetë. Në fushatën për lirimin e tij u përfshimë të gjithë, familjarë, shokë e kolegë për 635 ditë me rradhë. ‘Free James Foley’ (Shqip: Lirojeni James Foley) thërrisnim ne! Nëna dhe babai i Jimmy-t po bënin çmos për të kërkuar mbështetje nga qeveria amerikane dhe asgjë nuk u bë në këtë drejtim.

Për habinë e pabesueshme telepatike, pas 635 ditëve, Jimmy më ishte shfaqur në një ëndërr, teksa po fshiheshim nga një fluturake ushtarake diku në një zonë të panjohur të luftës. Ai po mbante veshur një helmetë dhe nje antiplumb ngjyrë portokalli, dhe po i thoja pse nuk i ke blerë me ngjyrë kamuflazhi Jimm, por ai nuk fliste. Një fluturake e vërtetë ishte duke fluturuar mbi lagjen time, e cila më nxorri gjumin, nuk ndihesha mirë aspak, dhe sapo kisha hyrë në internet, pashë perlat e zeza në profilin e Clare dhe Manu’s, të dy këta shokë të luftës. Hyra në profilin e faqes ‘Free James Foley’, pashë porosinë e Nënës së Jimmy-t. Pastaj pashë një raport të botuar në REUTERS, aty pashë Jimmyn e vërtetë me veshje portokalli! Nuk me kujtonte diçka të mirë ajo ngjyrë. Titulli thoshte se gazetari amerikan ishte ekzekutuar nga militantët islamikë.

Ne e shohim luftën përditë në televizione, të shkruar në gazeta përmes shkronjave, por nëse lufta nuk ju ka prekur në ndjenjën tuaj njerëzore të dashurisë për shokun, shoqen, vëllaun, motrën apo prindërit, sigurisht se s’keni për t’a kuptuar asnjëherë sa e rëndë është! Unë po ju drejtohem juve me këto fjalë, por këto vlenin edhe për mua deri në momentin kur fillova të numëroj shokët e humbur në luftë!

Duke iu referuar rrethanave në të cilat Jimmy është vrarë, e kuptojmë se ndoshta trupin e tij të pajetë nuk mund ta shohim më! Se Jimmy është diku atje gjithnjë, zërat do të na thërrasin pas nesh diku në betejat e fshehta!

E, kusarët shovenistë të fshehur prapa fesë Islame do të mund t’i vrasin trupat tanë, por të vërtetën për përfshirjen e tyre në krime kundër njerëzimit nuk do të mund ta fshehin asnjëherë. Jimmy dhe të gjithë kolegët e tjerë gazetarë do të rrojnë në historinë njerëzore, në piedestal të respektit, e shovenistët nuk do të kenë vend asnjëherë në faqet e bardha të historisë tonë të zezë!

Ne do të jemi gjithnjë atje, për t’ju dhënë zë, atyre që nuk kanë, për të qenë dshmitarë dhe për të vënë në dukje gënjeshtrat tuaja të mbuluara me një maskë të keqe. Ne do të jemi gjithnjë aty!

Vedat Xhymshiti, është gazetar i pavarur. Ai ka raportuar nga Republika Arabe e Sirisë për gjashtë muajt e vitit 2012 për magazinën Gjermane ‘Der Spiegel’. Puna e tij nga territoret e përfshira në kryengritje të armatosura është botuar edhe në amerikanet ‘The Neë York Times, ‘Time Magazine, si dhe francezet ‘Paris Match, AFP etj. Përpjekjet e tij për gazetari të pavarur janë të dokumentuara në ditarin e tij në www.vedatxhymshiti.wordpress.com

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart