“Mos e boni t’madhe”


09/02/2019

Më e rëndë se fjalia “e ke lypë” që një vajzë e dhunuar mund ta dëgjojë është veç “mos e bë të madhe”. Vajzat shqiptare janë dhunuar dhe kanë vazhduar të durojnë dhunimin me krenari në emër të heshtjes, vetëm për mos ta bërë të madhe.

Sidoqoftë, në seancën e djeshme të Kuvendit, fjalitë pak a shumë po përsëriteshin nga të gjithë deputetët. Një nga një po e shpjegonin nga fillimi se si vajza nga Drenasi, si e mitur, u shfrytëzua seksualisht nga profesori, e u kthye në skllave seksi nga polici të cilit i kishte kërkuar ndihmë.

Asgjë nuk të bënte përshtypje sepse nuk po prisnim nga ta të rregullonin diçka. Nuk po prisnim që dhuna të ndalej për shkak se kështu po lexonte në fjalimet e deputetëve. Seancën po e mbanin sepse donin ta mbanin, t’i thoshin disa fjali rreth dhunës së grave. Ishte rendi për diçka asisoj.

Interesant për mua që po ndiqja seancën ishte vetëm fjalimi i deputetes së PDK-së, Xhevahire Izmaku. Sepse ishte më skandalozi. Ajo mirë e kishte, sikur të fliste për një amendament të ndonjë neni të një projektligji rreth sigurisë, e jo për dhunimin e një të miture që tashmë kishte ndodhur.

Deputetja tha se ndjen keqardhje, si nënë, si grua e si qytetare, për ata që i ndodhi të miturës në Drenas. Unë besoj plotësisht se zonjës i dhimbset vajza, edhe i vjen keq për atë çfarë i ka ndodhur. Por, kjo nuk e bën më pak skandaloze një grua që ka ulëse në Kuvend dhe e ka hall se pse u bë e madhe në jetën publike rasti i dhunimit dhe po kërkonte që ky të mos shihej si fenomen në shoqërinë tonë.

Do ta prisja nga një e moshuar 70-vjeçare, pa asnjë ditë shkollim, që të thoshte se i dhemb shpirti për çfarë i ka ndodhur vajzës, por duhet “të mos bëhet e madhe”, megjithatë jo nga një deputete.

Për mua gjëja më e mirë që ka ndodhur nga kjo fatkeqësi është se si pothuajse gjithsecili e mori personale, e ngriti zërin ndaj dhunimit të një vajze të një familjeje në Drenas. Dhuna e të gjitha llojeve, diskriminimi, shkelja, nëpërkëmbja e gruas shqiptare po vazhdon të jetë e përmasave të mëdha për shkak të mosdenoncmimit, për shkak se po i fshehim e s’po i bëjmë të mëdha, ashtu siç kërkoi deputetja.

Përfaqësuesja në Kuvend po thoshte se ky i fundit, pra dhunimi i vajzës nga Drenasi është vetëm një RAST, e nuk është FENOMEN.

Çdo ditë në raportin policor janë dhjetëra raste të dhunës ndaj gruas. Ka aq shumë gra kosovare të vrara nga burrat. E mitura akuzonte profesorin dhe policin se e dhunan një pas një, e deputetja thotë se nuk kemi të bëjmë me fenomen. Kjo do të ishte vetëm qesharake, po të mos thuhej mes një tragjedie e në sy të të gjithë popullit, në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se vendet e tjera, duke iu drejtuar mediave, i fshehin kur kanë informacione edhe me të rënda, ndërsa te ne, e bëmë të madhe e e mori vesh e gjithë bota. Kjo deputete ka shkollim, edukim a lexim në fushën e mediave?

Madje, mori shembull se si në Francë po i fshehkan skandalet në nivel kombëtar, e po e marrkan si referencë për të keqe rastin që ndodhi në Kosovë.

Deputete, denoncimi i dhunës seksuale, mobilizimi për ta luftuar, protestimi ndaj këtij FENOMENI u përkrah nga aleatët tanë perëndimorë. Mos u shqetëso për francezet, sepse ato, së paku, në shkolla shkojnë prej shekujsh, e trashëgimi i hises nuk është e drejtë që duhet luftuar për të. Sa për krime, e vërtetë, ato ndodhin në të gjithë botën dhe s’keni thënë asgjë të re me këtë.

Ndërsa, halli më i madh i deputetes ishte se po njollosej e po lëkundej besimi i qytetarëve në Polici, në institucionet e sigurisë.

Nuk e kuptoj dëshirën e përfaqësuesve politikë që të mbrojnë institucionet në degradimin e të cilave më së shumti hise kanë partitë e tyre. Në fakt e kuptoj, megjithatë nuk dua ta politizojë këtë çështje sepse fjalimin të cilin po e komentoj s’ka rëndësi se nga deputeti i cilit subjekt doli, por që u tha në Kuvend.

Besimi në institucione, deputete është lëkundur, kur barazisht me detyrat e tyre për çka janë të thirrur, ose për çka paguhen t’i kryejnë, nga Policia kanë dalë incidente e skandale. Janë edhe rastet kur ata kanë kryer punën e tyre siç duhet, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të zgjohemi çdo mëngjes e t’i themi faleminderit Policisë që po e kryen punën e saj.

Vetëm muajve të fundit, ka ndodhur vrasja e një gruaje në Gjakovë, bashkë me vajzën shtatë vjeçare nga burri, të cilin viktima e kishte denoncuar disa orë më parë në Polici. Por, policia të cilës ju po i besonit pafundësisht, nuk e kishte bërë të madhe e nuk i kishte marrë seriozisht shqetësimet e saj. Ka dhe raste të tjera kur policëve nuk u bën përshtypje që u shkojnë gratë e mavijosura nga grushtet e burrave. Polici seksiste.

Në mediat, që për hallin tënd, po i nxjerrim marritë e institucioneve, muaj më parë u publikua një video, ku policët po abuzonin me dy homoseksualë në stacion, pa i marrë seriozisht konfliktet/shqetësimet e tyre. Polici homofobe.

Janë institucionet e sigurisë ato që shokuan një vit më parë kur kidnapuan disa shtetas të huaj, të cilët kishin leje qëndrimi. Këtu nuk po them polici ksenofobe, por siguri e politizuar.

Znj. Izmaku, Franca, Perëndimi, para të cilëve ruhesh të mos bëhemi horë, nuk rrëmbejnë shtetas të huaj. Mirë që nuk dole në mbrojte të ish-shefit tënd që i dhuroi gylenistët, e të na thuash “mos e bëni të madhe”.

Deputetja, që po e komentonte me ftohtësi profesionale rastin e 16-trevjeçares të shfrytëzuar seksualisht, tha se me këtë duhet të merret drejtësia. Cila drejtësi? Drejtësia e Prontos?

Ajo që e ka mbyllur rastin, duke e injoruar plotësisht dhe duke mos ndjekur shkaqet që mund ta kenë shtyrë vajzën e mitur të ndërronte deklaratën për profesorin, që njëherë e ka akuzuar se e ka shfrytëzuar seksualisht.

Drejtësia që e ktheu mësuesin e akuzuar për ngacmim seksual sërish në shkollë? Drejtësia që dështoi t’ia kapte telefonin personal policit përdhunues, ndonëse shtëpia e tij u bastis pa paralajmërim nga IPK-ja?

Jo znj. deputete. Uroj t’i bëjmë sa më të mëdha rastet e tilla. Të mos pushojmë pas një jave, por që t’i ngritim çdo ditë. T’iu japim dënim publikisht. Të raportojmë secilin rast në media. Ashtu që këta, që nuk i frikësohen ligjit, të tmerrohen nga damkosja publike që mund t’ua bëjmë.  Ashtu që mësuesit të mos guxojnë t’i prekin nxënëset, e policët të mos i privatizojnë për shërbime seksi, viktimat që i besojnë shtetit e ligjit.

Dhe jo, nuk po përgjithësojmë. Sepse policët, mësimdhënësit e përgjegjshëm duhet distancuar nga kolegët e tyre, t’i bashkohen turmës tonë. Policët, zyrtarët që ndihmojnë kolegët pedofilë, me knaqësinë më të madhe do t’i fusim në thesin e njëjtë. Le të të pengojë ky lloj përgjithësimi sa të dojë.

(Deputetja Izmaku, pas transmetimit të fjalëve të saj nga mediat, ka publikuar me shkrim në profilin e saj në Facebook. Ai fjalim ishte i përgjysmuar, dhe znj. Izmaku kishte hequr pjesët të cilat u komentuan në media.)

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart