Shkruan Berat Buzhala: Pse Biden, e jo Trump - Gazeta Express
string(42) "shkruan-berat-buzhala-pse-biden-e-jo-trump"

Gazeta Express

19/10/2020 15:57

Shkruan Berat Buzhala: Pse Biden, e jo Trump

Gazeta Express

19/10/2020 15:57

Sepse Trump është një president idiot në kuptimin shkencor të fjalës. Ai nuk e di që është një idiot shkencor, sepse nuk beson në shkencë. Edhe katër vjet të tjera me të në krye të Shtëpisë së Bardhë, asgjë e bardhë nuk pritet të ndodhë.

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Kanë mbetur edhe vetëm dy javë prej momentit kur amerikanët do ta zgjedhin personin më të fuqishëm në botë. Një gjë e tillë në vetvete është e padrejtë. Në kushte ideale, meqë të gjithë ne jemi përfitues ose viktima të kësaj përzgjedhje, do të duhej të kishim të drejtë të votës. Në mungesë të kësaj mundësie arma e vetme që e kemi në dorë është “të bëjmë thirrje”. Zakonisht thirrjet nuk vlejnë as pesë pare. Ai amerikani në Florida nuk do t’ia dijë shumë nëse Biden ose Trump është më i mirë për punën e Asociacionit. Ai e sheh bilancin vjetor në restorantin e tij, duke e krahasuar se a më shumë ka pasur qarkullim në kohën e Obamës a në kohën e Trumpit. Në masë prej 99 për qind kështu votojnë edhe shqiptarët tanë që jetojnë në ato hapësira. Thirrjet e politikanëve nga Prishtina ose nga Tirana nuk shkojnë më larg sesa deri në studiot tona televizive. Prandaj duket bukur pretencioze që dikush nga selia e partisë së tij në Prishtinë t’ua orientojë votat atyre që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, sepse ata para së gjithash votojnë për president të mirë për vete, e jo për një president të mirë për ne. Po të dëshironin ndryshe do ta bënin të mundur që për president të tyre të votojnë edhe ata që nuk paguajnë taksa në Amerikë. Prandaj, është gabim i madh, që fatkeqësisht po përsëritet në vitet e fundit, që politikanët e vendit tonë të bëhen pjesa e betejave të brendshme politike në Amerikë. Përfitimi i Kosovës, në rast se fiton kandidati i preferuar, është shumë i vogël në krahasim me dëmin, në rast se fiton kandidati tjetër. Prandaj çdo politikan normal evropian hesht. Janë krejt tjetër gjë preferencat e qytetarëve, shoqërisë civile, botës akademike, gazetarëve, artistëve etj. Këta janë në të drejtën e tyre që të bëhen me njërin ose tjetrin kandidat. Siç e konsideroj edhe veten në të drejtën time të plotë për të dhënë një opinion për zgjedhjet në “Romë”. Një opinion i tillë nuk rrezikon t’i sjellë kurrfarë fature shtetit ku unë jetoj, pra Kosovës. Presidenti që do të dalë nga kutitë e votimeve më 3 nëntor nuk do ta drejtojë gishtin nga Kosova për të thënë që filan gazetari e mori këtë qëndrim ose atë.
Kështu që në krye të herës dëshiroj ta bëj të qartë, ndoshta për të disatën herë, se për çdo njëri normal, në këto zgjedhje, pozicionimi kurrë nuk ka qenë më i lehtë dhe më bardhezi. Dhe kjo tashmë nuk ka asgjë të bëjë me atë se kush prej tyre është më i mirë për Kosovën dhe për shqiptarët. Ta trajtosh këtë problem në këtë dritë është, madje, shumë cinike dhe shumë egoiste. Gjërat kanë shkuar aq larg sa bëhet fjalë për shumë më shumë se kaq. Përballë njëri-tjetrit janë, thënë thjesht, një “njeri i mirë” dhe “njeri i keq”, janë “njeriu i shkencës” dhe “njeriu i antishkencës”. Me këto epitete kontradiktore do të mund të vazhdonim edhe shumë gjatë. Në secilën prej tyre presidenti Donald Trump gjendet në anën negative. Nuk ka asnjë dyshim që nëse ai rizgjidhet edhe këtë herë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo Ballkani, as Evropa, por e ardhmja e botës do të vihet në pikëpyetje. Madje, këtë herë nuk bëhet fjalë për karakterin e tij malicioz, qasja e tij ndaj demokracisë a rendit e ligjit, mënyra se si ai i sheh racat dhe religjionet. Këto të gjitha janë të rëndësishme, por sado të rëndësishme që janë, të gjithë këto probleme do të mund të duronin edhe një pengesë katërvjeçare në Shtëpinë e Bardhë. Ajo çfarë nuk mund të presë edhe katër vjet është e ardhmja e Planetit tonë Tokës, shtëpisë sonë të përbashkët, e cila na jep strehë të gjithë neve, ani pse pa fajin e saj, shpeshherë nuk jemi banorë të barabartë në të. Donald Trump e ka dëshmuar në këto katër vjet, është zotuar që do ta vazhdojë njësoj edhe në katër vjetët e ardhshëm, që ai do të jetë armiku numër 1 i planetit tonë. Ai dhe baza e tij e votuesve nuk e kuptojnë dhe nuk e pranojnë këtë problem, ani pse çdo shkencëtar prominent botëror tashmë është i bindur që nëse diçka e madhe dhe radikale nuk do të ndërmerret shumë shpejt, brenda vitit, Planeti Tokë është shumë afër asaj që njihet si “Tipping Point”, për të keq, që nuk ka kthim prapa. Ky problem është “nana” të gjitha problemeve. Është problemi i parë dhe i fundit. Çdo gjë mund të presë edhe katër vjet, edhe zgjidhja e problemit me Serbinë, edhe pozita e Ujgurëve në Kinë, edhe tensionet në Lindje të Mesme, edhe BREXIT-i, por jo edhe shkatërrimi i Amazonës, lirimi i shfrenuar i dyoksidit të karbonit në atmosferë në përmasa të papara në qindra-mijëra vitet e kaluara, ngrohja e deteve dhe oqeaneve, shkrirja e akullnajave në të dy polet e planetit tonë, atij në veri dhe në jug, shkrirja e glaciereve etj., etj. Këto janë probleme që nuk presin dhe nuk pyesin. Që prej zgjedhjes president i SHBA-së, Trump jo që nuk është marrë dhe nuk është interesuar për t’i dhënë rrugë këtij problemi, por ai vetëm e ka thelluar hendekun. E ka braktisur marrëveshjen e arritur në Paris që parashihte një plan për ta mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë celsius krahasuar me periudhën paraindustriale. E ka tallur këtë marrëveshje dhe nënshkruesit e saj. Ai dhe qeveria e tij kanë vazhduar t’i përkrahin industritë që e përkeqësojnë këtë problem, siç janë ato që merren me eksploatimin e thëngjillit dhe naftës. Sepse ai është një president idiot në kuptimin shkencor të fjalës. Dhe ai nuk e di që është një idiot shkencor, sepse ai nuk beson në shkencë. Se ai nuk beson në shkencë, se ai nuk beson në shkencëtarë, e kemi parë edhe mënyrën se qysh ai e ka menaxhuar COVID-in në shtetin e tij. E ka menaxhuar edhe më keq sesa SHBA-ja të mos kishte fare president. Për të shkencëtarët janë të mirë dhe të duhur vetëm nëse besojnë në teoritë e tij “shkencore”, që janë unike dhe të padëgjuara më parë. Pritjet e tij ishin që, përveç tjerash, kjo sëmundje të trajtohej dhe të shërohej jo në bazë të sugjerimeve të mjekëve dhe shkencëtarëve, por në bazë të këshillave të tij. Kishte shkuar aq larg sa kishte dalë edhe me formulën mjekësore për trajtimin e COVID-it: injektimin e detergjentit në trup. Nuk e kishte thënë me humor. E kishte thënë seriozisht në një konferencë për shtyp. Para disa ditësh ishte vetë Trumpi që u infektua me këtë virus, e që falë përkujdesit mjekësor ai e kaloi këtë pengesë pa probleme serioze. Mirëpo, ka mundësi që ky virus t’i shkaktojë atij probleme serioze më 4 nëntor. Kjo do të ishte hakmarrja më e perfeksionuar e natyrës ndaj armikut kryesor të saj. Kjo do të mund të quhej edhe një dhuratë e natyrës për pjesën tjetër të njerëzimit. Ky do të duhej të ishte fundi i këtij mentaliteti të rrezikshëm. Do të duhej të ishte pësimi nga i cili do të mësonin të gjithë. Ai, shpresojmë, që do të mësohet në histori si aksidenti më i rrezikshëm politik, nga i cili për pak kemi shpëtuar. Kjo është hera e parë në këto 200 e kusur vite zgjedhjesh amerikane, që pjesa tjetër e botës do ta presin me ankth se si fati i tyre do të vendoset në disa rrugë të Pensilvanisë, që herë votojnë për demokratët e herë për republikanët.

p.s.


Përndryshe gjëja që më bëri më së shumti përshtypje në mbështetjen që Albin Kurti i bëri Joe Bidenit, ishte kur ai tha se po e mbështeste edhe për faktin se angazhoheshin për një planet të gjelbër. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, LVV-ja ishte çdo gjë përveç e gjelbër. Nëse Albin Kurti do t’i kishte duart e lira në ekonomi, ai do të ishte shumë më shumë trumpist sesa bidenist, kur jemi te eksploatimi i thëngjillit. Mirëpo, nuk është thëngjilli pse Albini është me Bidenin. Është Grenelli arsyeja.