Ma nxjerr mua njërin sy, kundërshtarit të dy (2)


load
Berat Buzhala
3 Prill 2019 20:37

Kjo ka qenë pak a shumë logjika që ka dominuar në të gjithë aferën e Brexitit. Qytetarët e revoltuar nga pabarëzia e madhe e krijuar në dy tri dekadat e fundit mendonin që duke dalë nga Bashkimi Evropian më së shumti do të dëmtohen elitat politike dhe biznesore në Britani të Madhe.

Kur ia ngarkoi vetës kryqin e rëndë të ndarjes me BE’në Theresa May i kërkoi dy vjet kohë për të negociuar divorcin në mes të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Dy vjet janë bërë në muajin e kaluar, me datën 29. Sic mund ta dimë të gjithë ajo, dhe tre ministrat e saj përgjegjës për Brexit, kanë dështuar në këtë mision. Britania vazhdon të përpëlitet në purgator.

Në fakt May e kishte arritur një marrëveshje me BE’në, por e njëjta i është përplasur asaj për fytyre disa herë në Parlament. Mirëpo ia vlenë që t’i shkruajmë disa rreshta për ta kuptuar më mirë gjithë logjikën e kësaj historie dhe histerie, se kush ka votuar dhe si ka votuar për këtë marrëveshje. Kundër saj votuan ata që mendojnë që kjo marrëveshje është në dëm të Britanisë së Madhe sepse e largon shumë nga BE dhe ata që mendojnë që kjo marrëveshje është shumë e butë dhe se e mbanë shumë afër me BE’në. 

Kur një gjë e tillë ndodhi, kur Theresa May u poshtërua nga partia e saj përmes votës, disfata më e thellë e një kryeministri britanik në 100 vitet e fundit, ajo ju nënshtrua votëbesimit dhe vendi pritej që të shkonte në zgjedhje. Mirëpo, sikur për cdo gjë tjetër, deputetët prapë votuan kundër. Me fjalë të tjerë deputetët britanikë tash e disa javë po votojnë vetëm kundër.

Pasiqë marrëveshja i vdiq, por ajo mbijetoi, Theresa May udhëtoi urgjentisht për në Bruskel për ta lutur Bashkimin Evropian që t’i jepte një marrëveshje më të volitshme, dhe bashkë me të edhe pak kohë më shumë, sepse ishte e pamundur që ta kapte afatin e fundit, që ishte 29 marsi. Prej anës së tyre Bashkimi Evropian munden t’i jepte vetëm edhe pak kohë më shumë, por jo edhe marrëveshje tjetër. Ata nuk po talleshin, kështu që ia dhanë edhe dy javë të tjera, por jo edhe hapësirë manovruese të re.

Kështu, nëse deri me 12 prill Parlamenti Evropian nuk e aprovon atë marrëveshje, Bashkimi Evropian e dëbon Britaninë e Madhe nga unioni, përvec nëse May, në këtë ndërkohë, nuk shkon në Bruksel për t’u penduar për të gjitha avanturat e bëra nga ajo dhe populli i saj në këto vitet e fundit

Në ndërkohë, sa më shumë që po kalon koha, sa më afër afatit final, politika në Britani të Madhe, në vend që të bashkohet, po ndahet. Në 10- 15 ditët e fundit Parlamenti britanik ka votuar JO mbi 25 herë.

Ndarja kryesore atje është në mes të dy partive më të mëdha, konzervatorëve të Theresa May’it dhe laburistëve të Jeremy Corbin.

Të parët, parimisht, janë në favor që Britania e Madh të del nga Bashkimi Evropian me marrëveshje, por edhe brenda tyre janë së paku tri grupe. Grupi i parë, që janë më të shumtët, janë në kërkim të një marrëveshje të butë me Bashkimin Evropian, e cila do ta respektonte rezultatin e referendumit, por që gjithashtu do ta mbante Britaninë e Madhe brenda unionit doganor të BE’së. Pastaj grupi i dytë në këtë parti janë radikalët, të cilët kërkojnë që nga Bashkimi Evropian të dilet qoftë edhe pa asnjë marrëveshje. Kurse grupi i tretë, ata më të arsyeshimit, që Britania e Madhe ta organizojë një referendum të dytë, ku do t’i pyeste edhe njëherë qytetarët për mënyrën se si të dilet konkretisht, apo edhe mos të dilet fare.

Hic më e mirë nuk është gjendja as në partinë e udhëhequr nga kriptokomunisti Jeremy Corbin. Më së miri pozicionin e tij e ka përshkruar një gazetar i njohur britanik, Nick Cohen, në një kolumne të tij. Ai thotë se konzervatorët dëshirojnë të dalin nga Bashkimi Evropian, sepse u duket sikurse Bashkimi Sovjetik, kurse Jeremy Corbin dëshiron të del prej atyre sepse nuk i duket mjaftueshëm si Bashkimi Sovjetik. E kaluara e Corbin është mjaft e dyshimtë. Përvec si politikan me prirje ekstreme të majta, ai është sulmuar edhe si mbështetës i grupeve antisemite brenda partisë së tij, por edhe simpatizues i organizatave të konsideruara terroriste, si Hezbollah dhe Hamas.

Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore Corbin nuk ka arritur ta unifikojë partinë.

Shumica e kësaj partie, posacërisht e elektoratit, e mbështesin edhe një referendum të dytë për këtë cështje. Corbin e ka mbështetur këtë ide vetëm nën presion të madh nga poshtë, por edhe nga deputetët e tij. Në anën tjetër, një pakicë e laburistëve gjithashtu është pro daljes nga BE, mirëpo kategorikisht kundër është Londra, e cila udhëhiqet nga laburisti Sadik Kahn. Ditë më parë, mu në Londër, protestuan mbi 1 milionë qytetarë – ndoshta më e madhja protestë në historinë e Britanisë së Madhe. Ata kërkuan që të mos dilet nga Bashkimi Evropian.

Plasaritjet brenda këtij subjekti rreth kësaj teme ishin aq të mëdha, sa javë më parë një grup deputetësh vendosi që të dilte nga partia për ta krijuar një grupacion tjetër politik. Këtyre deputetëve u janë bashkuar edhe disa të tjerë nga konzervatorët. Lëvizja nuk ishte aq e madhe, po flasim për rreth 10 deputetë, mirëpo frika brenda strukturave partiake ishte e jashtëzakonshme.

Shumë të tjerë paralajmëruan largimin nga Partia Laburiste, nëse Corbin do të vazhdonte me injorimin e kërkesës gjithnjë në rritje për një referendum të dytë. Nën këtë presion, Corbin dhe Partia Laburiste edhe zyrtarisht kanë kërkuar që cfarëdo marrëveshje që kalon në Parlament – nëse kalon ndonjë – duhet të votohet edhe në popull, e shoqëruar me pyetjen nëse edhe më tutje e mbështesin daljen, ose tash janë pro qëndrimit në Bashkim Evropian.

Përvec këtyre përplasjeve ideologjike rreth kësaj teme, cështja e Brexitit po shkakton dallga të larta edhe në Irlandë. Implikimet atje janë të jashtëzakonshme. Një dalje e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nënkupton edhe ndarjen me kufi të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, kjo e fundit pjesë juridike e Britanisë së Madhe. Forcat radikale katolike dhe protestante në Irlandën Veriore janë në pozicione të kundërta me njëra tjetrën. Katolikët kërkojnë të qëndrojnë sa më afër me shtetin e tyre amë, Republikën e Irlandës, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian, kurse protestantët një gjë të tillë e kundërshtojnë kategorikisht. Këta të fundit nuk e përkrahin asnjë marrëveshje me Bashkimin Evropian që në cfarëdo forme do ta legjitimonte Irlandën Veriore si më të afërt me Republikën e Irlandës se sa me Britaninë e Madhe. Dhuna dhe aktet terroriste në këtë rajon kanë përfunduar pak më shumë se 20 vjet më parë, por plagët edhe më tutje nuk janë shëruar plotësisht. Akomodimi i planit të paqës, të quajtur Marrëveshja e të Premtës së Mirë, ishte arritur edhe falë perspektivës evropiane. Katolikët irlandëzo-verior i kishin ulur armët duke e ditur që do të jetonin brenda një unioni të përbashkët, sic ishte Bashkimi Ebropian, me vëllezërit e tyre nga Republika e Irlandës. Të gjithë janë të shqetësuar që rivendosja e kufirit mund ta kthejë problemin në fillim. Kurse protestantët nuk pranojnë asgjë më pak se sa shkëputje nga BE dhe unitet i plotë me Britaninë e Madhe. Deputetët irlandez në Parlamentin britanik, që janë në koalicion me Theresa May’in, e kundërshtojnë fuqishëm pjesën e marrëveshjes që ajo e ka arritur me BE’në që flet për raportet në Irlandë. Në anën tjetër, jo për të njëjtat arsye, por edhe skocezët janë tepër të frustruar nga situata aktuale. Para disa vitesh në Skoci ishte organizuar një referendum, ku banorët ishin pyetur nëse do të dëshironin të vazhdonin të ishin pjesë e Britanisë Madhe, apo të ndaheshin prej saj. Më përpjekje të mëdha, nën kërcënimin e Bashkimit Evropian, skocezët kishin votuar në favor të unionit me Britaninë e Madhe. Tash, kur vetë Britania e Madhe po dëshiron të dalë prej BE’së, skocezët po ndihen të tradhëtuar. Në referendumin e organizuar ata kishin votuar me shumicë kundër daljes nga BE, por kjo gjë nuk kishte mjaftuar.

Paradoksi më i madh i gjithë kësaj situate absurde është Uellsi. Ky rajon është përfituesi më i madh i ndihmave të dhëna nga Bashkimi Evropian në fushën e agrikulturës, por që në referendum ata kishin votuar për të dalë nga BE. Këtë gjë edhe më tutje askush nuk ka arritur që ta shpjegojë në mënyrë të logjikshme. Si është e mundur të votosh kundër dickaje, nga e cila ke qënë përfituesi kryesor.

Prej të gjitha rajoneve që e përbëjnë Britaninë e Madhe (lexo: Mbretërinë e Bashkuar) Anglia e ka përgjegjësinë më të madhe për të gjithë kaosin. Banorët e pjeës qëndrore dhe veriore kishin votuar më të madhe për dalje nga Bashkimi Evropian. Përvec tjerash, ata ishin frikësuar tej mase që shteti i tyre do të vërshohej nga emigrantët. Nuk kishte se si të ishte ndryshe kur megafoni kryesor i popullit ishte Nigel Farage, një politikan qesharak, i një partie qesharake, por që në një moment dobësie e kishte rrëmbyer fatin e popullit të tij me propagandë populliste të natyrës “nëse qëndrojmë në BE miliona emigrantë do të futën në vendin tonë”. Ai këtë e ilustronte me billborda ku shiheshin refugjatët sirianë, mirëpo jo në kufirin me Britaninë e Madhe por në kufirin me Turqinë.

Te fundit


Kthehu lart