Shkruan Berat Buzhala: “Do or die” për Vetëvendosjen


Berat Buzhala
30 Korrik 2019 15:36

Në shqip: “Bëje ose vdis”. Këto zgjedhje për Vetëvendosjen e kanë këtë karakter. A duhet t’i besojmë Albinit, kjo është çështja!

Berat Buzhala

“A duhet t’i besojmë Albin Kurtit”, tash e një kohë kjo është pyetja që më bëhet më së shpeshti prej njerëzve të pavarur politikisht, prej atyre që ose dalin në zgjedhje me njëqind pikëpyetje në kokë, ose në mungesë të një oferte bindëse nuk dalin fare, duke pranuar të bëhen viktima të pasivitetit të tyre qytetar.

Përgjigje ime është pozitive në këtë pyetje, edhe pse më duhet pastaj të jap sqarime shtesë, pra përse duhet dhe mund t’i besojmë Albinit, i cili për aq shumë vite ishte frymëzim i dhunës politike?

A mos ndoshta fshihet ujku nën petkun e ri konvencional me setër-e-pantallona-e-kravatë? Dhe ai, kur ne do të jemi qetësuar dhe relaksuar në sallonet tona, do t’i nxjerrë dhëmbët e tij të frikshëm, për t’u kthyer në origjinën e tij, duke e zhveshur edhe kostumin e burokratit monoton perëndimor, për ta zëvendësuar atë me petkun e revolucionarit latin.

Sigurisht, Kurti do ta ketë problem që ta bindë secilin votues se nuk është më ai i vjetri me megafon në dorë, hipur mbi një mur, duke bërë thirrje që të rrotullohen veturat e EULEX-it. Sigurisht, Kurti do ta ketë problem që ta bindë secilin që deklarata e tij e dhënë, në një tendë, në një ditë proteste, se shqiptarët e Kosovës nuk është që e duan Amerikën, por thjesht frikësohen prej saj, ishte thjesht një deklaratë e dhënë nën ndikimin e adrenalinës së protestës, e jo pse ai ndoshta vërtet mendon ashtu. Ose çfarë nëse ai vërtet ka menduar diçka të tillë, por tash nuk mendon më? Ndoshta ai bashkë me ne ka reflektuar?

Tek e fundit nuk është që po rrezikohet shumë nëse i besohet edhe Albin Kurtit. Këta qytetarë në këto 20 vjet ia kanë dhënë besimin e tyre secilit halabak. Hajna dhe keqbërës të të gjitha ngjyrave e kanë marrë besimin tonë, janë zgjedhur kryeministra dhe presidentë. Një të tillë e kemi ende komandant të përgjithshëm. 

Shpjegimi im pse ne tash mund t’i besojmë Albinit, ose pse Albini është i gatshëm për pushtet, nuk është vetëm dhe thjesht te reforma estetike e tij, te kodi konvencional i veshjes, ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë e vet. Unë them që duhet t’i besojmë Albinit sepse ai në vitet e fundit, posaçërisht në dy vitet e fundit, është rritur dhe është pjekur politikisht. Ai thjesht mund të duket pak i vjetër, pak i përsëritur, mirëpo askush nuk mund të thotë sot se ai është më pak i ditur, ose se në ndërkohë është korruptuar. Jo, ai është i njëjti, por thjesht në këto zgjedhje ka mbetur pa kauzë të fortë elektorale.

Haradinaj është pozicionuar fuqishëm kundër idesë së ndarjes, e me shumë mundësi edhe kundër Thaçit dhe Veselit, ndërsa LDK-ja është në fazën përfundimtare të konsolidimit të saj. Vetëvendosja historikisht ka përfituar elektoralisht kur të tjerët ishin bashkë, kurse këta ishin në anën tjetër. Kështu për shembull ata u rritën shumë në vitin 2017 pasi që LDK-ja kishte dalë nga një koalicion me PDK-në, kurse AAK-ja ishte futur në një koalicion me PDK-në.

Tash është krejt e kundërta. Të gjithë kanë ikur dhe po ikin nga PDK-ja. Është tjetër gjë nëse mund t’u besohet, sepse ka mundësi që edhe AAK-ja e edhe LDK-ja, pas zgjedhjeve vendosin të qeverisin bashkë me Thaçin dhe Veselin, mirëpo në këtë moment kjo nuk ka rëndësi.

Një ambient i tillë politik nuk është përparësi për Kurtin.

Në vitin 2017 ishin pak a shumë dy pole: ai i PDK-së me partnerët e rinj dhe partnerët e vjetër dhe ai LVV-së. Tash ka shumë më shumë. Gjithashtu, ndonëse kaluan vetëm dy vjet, gjendja në vendin tonë dhe në Ballkan në përgjithësi ka ndryshuar në mënyrë radikale. Kurti më nuk është i vetmi lider në Kosovë që po kërkon bashkim me Shqipërinë. Krahas tij këtë e kërkon edhe politikani më i diskredituar në vend, presidenti Thaçi. Është krejt irrelevante të insistohet në atë se kush e ka thënë i pari këtë ide, ose arsyet përse tash po thuhet prej Thaçit. Këtë gjë dhe këtë temë lideri i LVV-së duhet t’ia lërë në diskrecion votuesve. Janë ata që do të vendosin se kujt t’i besojnë ose kujt të mos i besojnë në këtë temë.

Tek e fundit, unë Albinit kurrë nuk i kam besuar në këtë ide. As sot e kësaj dite nuk besoj në idenë e bashkimit kombëtar. Kjo është një kartë populliste e panevojshme. Unë kryetarit të LVV-së i besoj për tjetër gjë. Ai është politikani më serioz në vend për t’i adresuar temat që një banori të thjeshtë të Kosovës ia prishin gjumin natën.

Të rrallë janë ata njerëz në vendin tonë, ata kryefamiljarë, ato nëna dhe baballarë, që i kanë njëmijenjë halle, që zgjohen natën në ankth se mos rastësisht po ndahet Kosova, ose nëse nuk po bashkohen Kosova dhe Shqipëria. Kjo mund të jetë një breng e ndonjë individi, por jo brengë kolektive. Kjo është një temë e mirë për të debatuar në studiot televizive, mirëpo kjo temë nuk ta paguan ratën e kredisë në bankë, nuk ta zgjidhë as temën e shkollimit të vajzës ose të djalit, nuk të ndihmon as në shërimin e një familjari, nuk ta paguan as rrymën, as nuk ta ulë çmimin e saj. Patjetër që ndarja është temë shumë e rëndësishme. Patjetër që duhet të luftohet deri në fund që ajo të parandalohet. Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë nuk kërkohet ndonjë ekspertizë e madhe. Ajo, thjesht, e kërkon një “jo” serioze. Kaq!

Janë ato temat tjera, ato që të lënë pa gjumë, që kërkojnë analiza serioze, që kërkojnë ekspertizë dhe ekspertë, që kërkojnë njerëz të shkolluar, të lexuar, idealistë dhe të ndershëm. Ose së paku disa prej këtyre parakushteve.

Prandaj për temën e ndarjes së Kosovës, për temën e bashkimit me Shqipërinë, kemi kaq shumë ekspertë, kurse për problemet në arsim e shëndetësi, për temën e oligarkisë dhe ndikimit të saj në ekonomi, kemi aq pak. Për kokë banori, të tillë ekspertë më së shumti gjenden në Vetëvendosje. Kjo është edhe një arsye pse në këtë pikë i besoj Albinit më shumë sesa të tjerëve. Nuk mund ta ketë prioritet arsimin një lider i një partie që personalisht nuk di të shkruajë, ose edhe më keq, nuk di as të lexojë rrjedhshëm. Të tillët ka mundësi që e dinë që arsimi është i rëndësishëm, ose kanë dëgjuar që arsimi është i rëndësishëm, por nuk e kanë as idenë më të vogël se, përveç ndërtimit edhe të një objekti shkollor, si mund të rregullohet ky problem. Për PDK-në, por edhe për partitë tjera, gjatë gjithë këtyre viteve Ministria e Arsimit ka qenë Ministri e Infrastrukturës. Jo vetëm për arsim, por edhe për shumë sektorë të tjerë LVV-ja dhe Kurti kanë koncept shumë më të qartë për të bërë ndryshime. Pra rreziku për ta provuar këtë lëvizje në pushtet është minimal.

Vijon nesër: Me kë duhet të bëjë koalicion Lëvizja Vetëvendosje?

Te fundit


Kthehu lart