Shkruan Berat Buzhala: Beteja e gjatë dhe e dhimbshme me Donald Trumpin


Berat Buzhala
28 Mars 2019 21:16

Raporti i prokurorit Mueller për Donald Trumpin ishte një disfatë e rëndë për të gjitha mediat, dhe mendjet, liberale në botë. Edhe për mua si bira e fundit e kavallit. Tash Trump është shumëfish më i rrezikshëm.

Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore Winston Churchill, lideri historik – dhe cinik – i Mbretërisë së Bashkuar, e kishte humbur durimin në ushtrinë, e cila, sipas tij, po bënte gabime të mëdha në përballje me Gjermaninë naziste. Një ditë ai i kishte thirrur në një mbledhje Shtabin e Përgjithshëm dhe duke bërtitur u kishte thënë: Janë dy mundësi, ose dikush prej jush është i paguar nga Hitleri, ose është shumë idiot.

“Unë shpresoj që është në pyetje rasti i parë, që së paku mos të kemi në radhët tona idiotë që e drejtojnë luftën”, ishte shprehur Churchill, shkruan biografi më i njohur i tij William Manchester.

Në pikun e Luftës së Dytë Botërore Churchill nuk e kishte komoditetin, sikur qysh e kishin amerikanët tash, për të angazhuar një Prokuror Special për të nisur hetime dy vjecare për të vërtetuar se a kishte KOLIZION në mes të gjeneralëve të tij dhe Hitlerit. Ka mundësi që gjeneralët, në fund të procesit, do të shpalleshin të pafajshëm. Në anën tjetër, fatkeqësisht, të qenurit idiot nuk është vepër penale.  

Gjatë vikendit që kaloi, pas dy vitesh, pas dhjetëra arrestimesh të niveleve të larta, Prokurori Mueller i përfundoi hetimet lidhur me dyshimet që vetë Presidenti Trump kishte lidhje me Rusinë. Po kaq vite sa kanë zgjatur këto hetime Presidenti Trump nuk ka pushuar se sulmuari prokurorin Mueller dhe ekipin e tij, duke e quajtur këtë proces një gjueti shtrigash kundër tij. Kurrë më parë në historinë amerikane një president në detyrë nuk e ka kontestuar dhe njollosur një proces të hetimeve, në këtë formë sic ka bërë Trump. Ai po përgatitej për rezultate të tjera, kështu që po provonte ta komprometonte procesin, ende pa përfunduar ai. Madje gjatë rrugës ka pasur edhe viktima, sic ka qënë ish shefi i FBI, James Comey, dhe ish Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, që u shkarkuan prej detyrave të tyre saktësisht për shkak të kësaj afere. Trump kishte kërkuar me cdo kusht që Mueller të bllokohej në punën e tij.

Një gjë e tillë nuk ndodhi. Mueller e përmbylli punën e tij, duke ia dorëzuar raportin Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Amerikës, William Barr, i cili pastaj e bëri një përmbledhje prej katër faqësh të tij dhe, në mes të tjerash, deklaroi urbi at orbi që Trump na qënkësh i pastër si loti. Sa i përket dyshimeve të tjera, si bie fjala që Presidenti Amerikan e ka penguar drejtësinë, gjërat janë më të ndërlikuara. Në ekstraktin prej katër faqeve, që supozohet të jetë një rezume korrekte e raportit të Mueller, Barr ka thënë që Presidenti Trump as nuk fajësohet por as nuk shfajësohet nga kjo akuzë.

Mediat kryesore në Amerikë, dhe Partia Demokratike, po kërkojnë që raporti i bërë nga Mueller të publikohet në tërësi, sepse, tek e fundit, taborri i Trump gëzon cdo gjë tjetër përvec kredibilitetit, prandaj përse duhet t’i besohet kësaj përmbledhjeje të bërë nga një njeri i tij, sic është Barr, i cili kur e kishte marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm kishte deklaruar që “unë do t’i hedhesha granatës përsipër për ta shpëtuar Presidentin Trump”.

Është e paqartë nëse Barr i është hedhur këtë herë granatës përmbi, apo vërtet Mueller ka konstatuar që Trump nuk kishte ‘kolizion’ me rusët. Është gjithashtu edhe më e paqartë se deri në cfarë mase Trump e ka penguar drejtësinë në këto hetime. Sepse nëse Trump ka bërë obstruksion në drejtësi, sic njihet jurudikisht, atëherë ka mundësi që ky obstruksion ta këtë nxjerr Presidentin Trump të pastër si loti. Prandaj, për t’i evituar këto dyshime, të gjithë po kërkojnë që raporti të publikohet i plotë, pa përmbledhje dhe pa ndërhyrje

Sido që të jëtë, po e marrim të mirëqenë përmbledhjen që Barr i ka bërë raportit të Mueller. Për një moment po e marrim si të mirëqenë edhe që Trump nuk e ka penguar dretësinë. Po e konsiderojmë atë të pamëkat dhe të panjollë siikur të krishterët virgjëreshën Mari.

Mirëpo edhe pas të gjitha këtyre shfajësimeve ne nuk mund të shkojmë më larg se sa Churchill me gjeneralët e tij. Disa veprime jopatriotike, për shtetin ose aleatët, mund të kryhen edhe gratis. Për të realizuar veprime të këqija jo cdo herë duhet të ekzistojë qëllimi i keq. Trump ka mundësi që teknikisht është i pafajshëm, mirëpo bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë shpallur fajtor dhe janë dënuar, kurse për disa të tjerë pritet të fillojë gjykimi.

Sido që të jëtë, për shkak të pritjeve të mëdha, për shkak të dënimeve të mëhershme të bashkëpunëtorëve të Trump, rezultatet e raportit të Muellerit ishin një goditje për të gjithë ata që dyshonin që Presidenti i Amerikës ishte një aset rus. Të paktë ishin ata që kishin menduar që raporti do të ishte kaq bardh e zi. Veprimet e Trumpit, posacërisht në raport me NATO’në dhe shtetet e BE’së, dhe flirti i tij me liderin autokratik rus Vladimir Putin, ishin indikacione që në të gjithë këtë histori dicka do të dilte. Mirëpo gabimi më i madh që do të bëhej tash do të ishte që të imitohej Trump, duke e sulmuar punën dhe kredibilitetin e prokurorit Mueller. Sigurisht që investimi i madh në këtë temë i kundërshtarëve të Trump nuk do të kalojë pa pasoja të reputacionit, nëse janë në pyetje mediat, dhe pa pasoja politike dhe elektorale nëse janë në pyetje partitë – në këtë rast Partia Demokratike. Marrë parasysh paternën e sjelljeve të tij, personalitetin e tij, Trump do ta zhvatë maksimalisht këtë moment dhe këtë raport. Cdo sulm tjetër, cdo raportim tjetër negativ ndaj tij, ai do ta njollosë, duke e krahasuar me sulmet “e pabaza” të bëra më herët. Kjo fitore e tij është lajm i mirë për Amerikën, sepse presidenti i tyre nuk është punëtor i Putinit, por është lajm i keq për demokracinë. Fakti që Trump nuk është gjetur fajtor për lidhje me Rusinë, nuk e bën atë lider të mirë, e as lider demokratik. Ai, edhe pas këtij raporti, do të vazhdojë të mbetet i rrezikshëm për demokracinë amerikane dhe atë botërore. Debulesa e tij për diktatorët dhe autokratët është dhe do të mbetet aty, edhe pas këtij raporti. Se Trump e ka pikë të dobët dhe i beson Vladimir Putinit të Rusisë, nuk ka nevojë për hetime shtesë. Ai këtë e ka thënë sa herë i është dhënë mundësia. Se Trump është edhe një gënjeshtar serik as për këtë nuk ka nevojë të kryhen hetime. Sic nuk ka nevojë që të kryhen kurrfarë hetimesh për të konstatuar se Presidenti Amerikan është armik i shtypit të lirë, ashtu sic është secili autokrat në botë. Sa herë i është dhënë mundësia ai i ka quajtur mediat e pavarura si “armik i popullit” kurse ka pasur fjalë të mira vetëm për ato media që kanë raportuar pozitivisht për të. Këtu nuk shoh kurrfarë dallimi të tij, me ta zëmë, Recep Taipt Erdoganin e Turqisë, ose Duterten e Filipineve, ose, ky është një rast pak më i freskët, Bolsoneron e Brazilit. Me frazën “fake news” Trump u ka dhënë ushqim të mjaftueshëm të gjithë atyre diktatorëve dhe autokratëve që ishin në kërkim të një formule për t’i diskualifikuar si të pasakta kritikat që shtypi u bënte atyre, por që nuk dinin se si ta bënin këtë. Prandaj është mjaft ironike, madje antihistorike, se si Trump, për të gjitha arsyet e gabueshme, arriti që të pastrohej para amerikanëve, por edhe para botës, ndaj një akuze që ishte mjaft vështirë e vërtetueshme. Ai mund të mos jetë tradhtar, në kuptimin teknik të fjalës, mirëpo ai duhet të shpallet fajtor për cdo mbrëmje pas orarit të punës, për punën që e ka bërë gjatë ditës.

Asnjë lider Perëndimor, që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, nuk ia ka dridhur themelet demokracisë kaq fort dhe kaq rrezikshëm sikur Donald J Trump në këto dy vite, e që fatkeqësisht tash i ka të sigurta edhe dy të tjera. Por jo vetëm kaq, duke u rreshtuar fuqishëm kundër shkencës dhe kundër shkencëtarëve, askush nuk e ka rrezikuar të ardhmën e njerëzimit në planetin Tokë, sikurse Donald j Trump. Ai, bashkë me një tufë fundamentalistësh të vërber religjioz, janë të vetmit në hemisferën Perëndimorë (madje as Papa jo), që edhe më tutje nuk besojnë që planeti i jonë është futur tashmë rrezikshëm, dhe pothuajse pakthyeshëm, në një spirale klimatike. Paftyrësisht Trump edhe më tutje beson që thëngjilli është e ardhmja, e jo energjia e ripërtritshme. Ardhja e tij, dhe eshallonit që e shoqëron atë, në krye të Amerikës, ka shërbyer dhe po shërben si inspirim për të gjitha mendjet e sëmura të supremcistëve të bardhë. Këtë problem që Perëndimi e kishte kaluar shumë kohë më parë, Trump, falë retorikës së tij, arriti ta riaktualizojë.

Kështu që prokurori Mueller në raportin e tij Presidentin e SHBA’ve e ka hetuar vetëm për një pikë. Lista e pikave të tjera për të cilat Trump është fajtor është shumë më e gjatë dhe më serioze. Prandaj, me gjasë, nuk mjafton vetëm një prokuror për ta mposhtur këtë president. Me gjasë, tashmë kjo po shihet, nuk ka as rrugë të shkurtër për ta mposhtur atë. Kurse, roli im për të bërë dicka në këtë drejtim është baraz me zero. Ndoshta, në fund të procesit, një “a ju kam thënë” ta ofron njëfar kënaqësie.

Te fundit


Kthehu lart