Shkrimtari: Lavdi krimit


load
Gazeta Express
12 Tetor 2019 14:55

Handke nuk është presedan i shkrimtarit racist që merr çmimin Nobel për Letërsi. Në sferën publike sikur ka pasur ka një garë që shkrimtari të bëjë punë e tjetrit. Handke thoshte se do të dëshironte të ishte murg ortodoks që do të luftonte për Kosovën. Handke duke përkrahur politikat kriminale ka bërë punën e tjetrit. Ai është një racist i hapur. Por, racizmi i intelektualëve ka qenë dhe edhe sot është një burim i madh përfitimi.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Mentari a mentarja (siç e thërrasin intelektualin neoshqitparët ndërmjet dy luftërave botërore), është ky një personalitet me cilësi të veçanta që përfaqëson në mënyrë të qartë mesazhin, vlerësimin, qëndrimin, filozofinë dhe mendimin e vet publik ose në emër të publikut, sikundër shkroi Edëard Said. Po mentari në Perëndim dhe tjetri në një shoqëri tranzicioni edhe krize, apo krizë ende më të theksuar siç ishte rasti i Kosovës, sa do që ai mund të ketë pretendime të njëjta publike, që është shumë e natyrshme dhe madje edhe e domosdoshme, nuk mund të ketë efekt  të njëjtë social, kulturor dhe përgjithësisht publik. Angazhimi social i intelektualëve në Perëndim është krejtësisht i vetëvullnetshëm, nga rasti në rast dhe nga vetë prirja humane e gjithësecilit. Në këtë frymë, heshtja e tyre ka kuptim tjetër nga heshtja e një intelektuali në një shoqëri krize. Një intelektual në Amerikë apo Britani të Madhe nuk është aq e rëndësishme nëse do të jetë zë kritik ndaj qeverisë, dukurive dhe fenomeneve radikale ideologjike, apo çfarë zëri human do të jetë ai. Por, heshtja e një intelektuali në një shoqëri krize edhe konceptohet edhe interpretohet, si edhe pasojat për vetë shoqërinë, manifestohen në përmasë dramatike.

Të mendohet vetëm disidentizmi në shoqëritë ish-komuniste dhe prirja për të joshur dhe përkrahur nga politikat qytetare intelektualët që të dilnin hapur kundër sistemit autoritar. Përfitimet e intelektualëve që dolën në anën e disidentizmit ishin jo të vogla, duke hapur dyert e afirmimit jo vetëm publiko-politik, por edhe artistik. Ata që  heshtën nuk morën asgjë. Heshtja tërhoqi në një mënyrë mbas sanksionin afatgjatë.

Heshtja nuk është e mirë, sikur edhe të folurit gabim! Heshtja tek shoqëritë e lira nuk është edhe aq me peshë, ndërsa tek shoqëritë në krizë i shtrohet aktit të gjykimit, madje edhe të ndëshkimit, së paku etik. Si shembull ilustrues në këtë kontekst heshtjeje do përkujtuar intelektualin e famshëm çifut Primo Levi, i cili mbasi u lirua nga kampi nazist nga trupat aleate, qe shprehur: ”Nuk janë kriminelë ata që vrasin, por ata që heshtin për krimet”. Figurativisht thënë, nuk janë kriminelë vetëm vrasësit, maskaruesit-ushtarët (vetë fjala ushtarë tërheq pas kuptimin –fatkeq dhe vrasës kur jipet urdhëri) pse ata nuk duan të kenë edhe aq ide për atë që bëjnë, por janë fajtorë po aq edhe elitat kulturore, të cilat heshtin dhe nuk u tregojnë atyre që duan të vrasin se do të bëjnë keq dhe atyre që vrasin jeni  duke bërë keq. Madje jeni duke bërë faj të madh bashkë me ata, urdhërdhënës, të cilëve u nënshtroheni dhe nuk i kundërshtoni. Pikërisht në këtë dimension, funksioni i intelektualit në Perëndim dhe i atij në vende të krizës, është i ndryshëm dhe as nuk mund t’u kërkohen të njëjtat, nëse mund të themi, llogari.

Lexova një ditë një shifër se në pesë mijë vjetët e fundit në botë në luftëra të llojllojshme humbën jetën mbi tre miliardë e gjashtëqind milionë njerëz. Seneka kishte në mendje, mbase pikërisht, këtë mosndryshim të agresivitetit dhe johumanizmit gjenetik të njeriut kur shkroi: „Çdo ditë njeriut i kanoset rreziku nga vetë njeriu“. Mund të pajtohemi se mundet, jo gjithmonë i dobëti ta nisë, megjithatë vetëm i forti  mund ta nisë dhe ta vazhdojë gjatë luftën. Atëherë intelektualët e botës së të fortëve, apo mendimtarët e oborreve perandorake që nga antikiteti, kanë pasur arsye dhe përgjegjësi për të qenë zë kritik. Zëri i tyre kritik nuk ka një peshë të njëjtë ndikuese krahasur me zërin kritik të një intelektuali, të një vendi dhe populli të varfër në forcë dhe numër. Përgjegjësia edhe e intelektualëve të të shoqërive Perëndimore për Luftën e Parë Botërore (1914-1918) në të cilën humbën jetën rreth 15 milionë njerëz dhe u plagosën rreth 22 milionë tjerë dhe për Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), e cila ishte ende më tragjike se pësuan mbi 50 milionë njerëz, natyrisht është shumë e madhe.

Dilema edhe sot shtrohet nëse kishte zë të mjaftueshëm kritik në vitet ’90 të shekullit të kaluar për të ndaluar luftëtrat në ish-Jugosllavi. Po të arrihej një gjë tillë, edhe në numrin e përgjithshëm të pesë mijë vjetëve të fundit, do shënoheshin pesë luftëra më pak dhe po kështu rreth 300.000 mijë njerëz më pak të vrarë e të zhdukur. Zëri kritik tek kroatët, boshnjakët, shqiptarët nuk ka bërë punë në atë rrëmujë që diktonte i forti. Zëri i intelektualëve (akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve, mjekëve), kanë ndërtuar së pari platformën politike-nacionaliste serbe, pastaj edhe ushtarake për sulmin. Pra, zëri ndikues intelektual serb në këtë rast, ka qenë shumë më i fuqishëm dhe më rezultues negativ se zërat tjerë të të gjithëve popujve që thirrnin për liri, tolerancë dhe ndarje paqësore, sepse ai zë ishte njësuar me forcën. Fatkeqësisht, ky trend jo pak vazhdon edhe sot.

Se nuk ka vdekur dhe nuk do të vdes ende ky trend, mendim e praktikë, e tregon edhe rasti i nobelistit  të letërsisë për vitin 2019, Handke. Handke nuk është presedan i shkrimtarit racist që merr çmimin Nobel për Letërsi. Në sferën publike sikur ka një garë që secili të bëjë punë e tjetrit. Handke thoshte se do të dëshironte të ishte murg ortodoks që do të luftonte për Kosovën. Handke duke përkrahur politikat kriminale të Millosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë, ka bërë punën e tjetrit. Ai është një racist i hapur. Por, racistët janë përfitues të mëdhenj në botën e sotme, sikur kanë qenë gjatë në të kaluarën.

Racizmi shpaguhet, qoftë edhe financarisht. Këso shkrimtarë, intelektualë, ka kudo, dhe do të ketë kurdo. Kudo ka të tillë shkritmarë, intelektualë, që nuk duan lirinë që kanë për vete edhe për tjetrin. Bëjnë punën që nuk u përket. Po u shikuan edhe dosjet për dënimin e “grupeve nacionaliste të shqiptarëve” në Kosovë në vitet ’40-’60-të të shekullit të kaluar, ka plot denoncues shkrimtarë e intelektualë për kolegët e vet. Pa intelektualë, shkrimtarë, lavdia e krimit dhe e kriminelëve do të ishe evogël.

Në fund të fundit, liria sundon aty ku secili bën atë që askush nuk mund ta bëjë më mirë se ai, shkruan në fillim të shek. XX shkrimtari gjerman, Martin Kessel.

Që nga shek. XIII, mendimtari fitoi të drejtën qytetare, mendon Guya Bedouellea dhe, nuk e ka fare lehtë për ta mbajtur këtë të drejtë sot sikur që nuk e pat edhe ndër shekuj. Por ndryshimi ndërmjet të vepruarit të mentarit në sferën publike nga “puna primare me mendu dhe kriju”  është më shumë se i dukshëm. Përvojat dhe rezultatet janë të ndryshme. Në shoqëritë me organizim të papërgjegjshëm, shkruan Wright Mills, mundësitë e veprimit të intelektualit të pavarur ngushtohen shumë. Vetë kjo gjendje ndikon, jo sall intelektuali t’u shërbejë grupeve dhe institucioneve për manipulimimin e njerëzve, por edhe vetë ai do të jetë i manipuluar. Tek rasti Handke nuk ka ndodhur kjo. Ai nuk jetoi në një shoqëri të papërgjegjshme, por i shërbeu në mënyrë të vetëdijshme, të papërgjegjshme krimit dhe johumanizmit. Në një variant, një e drejtë e shprehjes së mendimit të lirë. Zgjodhi dhe e mbajti deri në fund të drejtën e tij, për të të qenë shkrimtar johuman. Një pajtim me mendimin e Wright Mills: Kur dominon forca mbi mendjen atëherë, autoriteti i së vërtetës zëvendësohet nga e vërteta e autoritetit. Autoriteti i tij njerëzor ishte krimi.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart