Shkrimi në New York Times në 1-vjetorin e tarifës, vështirë se Albin Kurti do ta heqë atë


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 13:12

Taksa e autoriteteve të Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka mbushur sot një vit prejse ka hyrë në fuqi. E pikërisht në njëvjetorin e taksës, gazeta amerikane me influencë, Nju Jork Times, ka publikuar një shkrim të agjencisë AP ku shfaqen dilema nëse qeveria e re, në krye me Albin Kurtin, do ta heqë taksën e vendosur nga Qeveria Haradinaj, transmeton Express.

Sipas këtij shkrimi, kabineti i ri i Kosovës nuk ka shumë gjasa t’i heqë tarifat të cilat vlejnë për importimin e produkteve serbe dhe boshnjake.

Tutje rikujtohet deklarata e kandidatit për kryeministër nga radhët e VV-së, Albin Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e tetorit, i cili kishte thënë se tarifa e vendosur nga Kosova për produktet serbe e boshnjake, tregon se vendi ka sovranitet dhe subjektivitet të plotë ndërkombëtar.

Më tej, në shkrimin e publikuar në gazetën e cila zë vendin e tretë në SHBA për nga tirazhi, thuhet se që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake, në të gjitha dyqanet e Kosovës nuk mund të shihet as edhe një produkt i shtetit fqinj, Serbisë.

Një qytetar kosovar, Naim Krasniqi, pronar i dyqaneve të vogla në Kosovë, thotë për AP se tarifa 100% e vendosur një vit më parë nga qeveria është e drejtë pasi Serbia po bllokon të gjitha mallrat nga Kosova.

“Ne mund të jetojmë pa to”, thotë Krasniqi për mallrat serbe, të cilat në dyqanet kosovare tani zëvendësohen kryesisht nga importet nga Kroacia, Maqedonia e Veriut apo Bullgaria. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart