Shkon për t’u shëruar në QKUK, 82-vjeçarit i bie tavani mbi kokë, lëndohet rëndë


Gazeta Express
6 Qershor 2019 16:36

Një rast i rëndë ka ndodhur në mesnatën e së enjtes në Klinikën e Pulmologjisë së QKUK’së. Në dhomën numër katër të kësaj Klinike është shembur një pjesë e tavanit, duke i rënë kështu mbi kokë e kraharor një pacienti 82 vjeçar. Nga shembja, pacientit i janë shkaktuar plagë trupore. Ka qepur syrin si dhe ka marrë lëndime në fyt, dorë e në kraharor. Drejtoresha e Klinikës nuk dëshiron të flasë për mediat rreth kësaj pune. Ndërkohë që zyra e drejtorit të ShSKUK’së nuk po i cilëson serioze lëndimet që i ka marrë pacienti nga rënia e tavanit. E dhoma ku ka qenë pacienti sot ishte e mbyllur. Pacientët ishin transferuar në një dhomë tjetër

Gentiana HASANI

Ka më shumë se 10 ditë që prej se është shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë pranë QKUK’së. Pacienti, B. Vllasaliu, ka probleme me frymëmarrje. Por, ky nuk është telashi i vetëm që e ka gjetur 82-vjeçarin nga Novobërda.

Mesnatën e së enjtes atij i ra mbi kokë një pjesë e tavanit të dhomës numër katër të katit të dytë të klinikës së Pulmologjisë së QKUK’së. Nga shembja atij iu shkaktuan lëndime jo të lehta trupore. Pjesë të tavanit i ranë në kokë atij duke ia dëmtuar kështu syrin e majtë, fytin si dhe lëndime ka marrë në dorën e djathtë.

Madje, nga shembja, pacienti i lënduar i është nënshtruar edhe një intervenimi kirurgjik në pjesën e poshtme të syrit. 82-vjeçari, ka shpjeguar
për Gazetën Express se për disa kohë kishte qenë pa vetëdije. Thotë se ngjarja ka ndodhur në orën 1 të mesnatës që e lamë pas.

“Njëherë kam bërtitur. Më ka ndëgjue motra, pastaj kam mbet pa vetëdije. Me rridhte gjak shumë. Pasi më ka ardhur pak vetëdija e kom pa që me kanë pa (mjekët), ma kanë ndal pak gjakun. Pastaj e di që më kanë çu në tjetër spital prej orës 1 të natës deri në 4 kom nejtë në sallë”, shpjegon për rastin ai. Ai thotë se për dy javë kishte qëndruar në dhomën A4. Aty ku ndodhi shembja e tavanit.

“Më së fundi ma kanë qep syrin. Unë që dy javë ditë kam qëndru në atë dhomë. Pak ujë rridhte te çeshmja”, tregon tutje pacienti i lënduar, B.Vllasaliu.

Zyra e ShSKUK’së: E vizituam pacientin, nuk pati lëndime serioze

E lëndimet që i mori në QKUK pacienti që po kërkonte shërim aty, zyra e drejtorit të këtij institucioni shëndetësor, Basri Sejdiut, nuk po i cilëson si serioze.

Për Gazetën Express, këta të fundit u deklaruan se janë të njoftuar për rastin por që nga tavani i Klinikës së Pulmologjisë, mbrëmë ra vetëm një pjesë e lyer e tij. Por, sipas tyre lëndimet e pacientëve që kishin qenë aty, nuk ishin serioze.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se mbrëmë në Klinikën e Pulomologjisë, në një dhomë ka rënë një pjesë lyer nga tavani, por asnjë nga pacientët nuk ka pësuar lëndime serioze. Për të parë gjendjen nga afër, në Klinikën e Pulologjisë, sot ka qëndruar edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, i cili ka vizituar dhomën dhe pacientët që ishin të shtrirë në atë repart”, deklarojnë nga zyra e Basri Sejdiut. Ndërkohë, dhoma ku ndodhi kjo ngjarje e rëndë, sot gjatë ditës ishte e mbyllur. Në të nuk kishte asnjë pacientë.

Ata ishin traferuar në një dhomë tjetër. Drejtoresha e kësaj Klinike, Rukije Mehmeti ka refuzuar të prononcohet me arsyetimin se gazetarët e Expressit nuk kanë marrë leje nga zyra e drejtorit Sejdiu për të biseduar me të.

“Duhet të merrni lejen e pastaj të bisedojmë për rastin në fjalë. Objekti këtu ku jemi është shumë i vjetër. Dhoma ku ka ndodhur ngjarja është e mbyllur. As unë nuk e kamë çelësin e saj”, i është përgjigjur pyetjes të ekipit drejtoresha e Pulmologjisë.

Ndërkaq, nga zyra e drejtorit të ShSKUKsë, kanë refuzuar që t’i japin leje ekipit të Express’it për të folur me drejtoreshën e Klinikës rreth kësaj çështjeje dhe disa problemeve të tjera me arsyetimin se për rastin në fjalë, përgjigje jep veç zyra e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK’së, pra ajo e Basri Sejdiut./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart