Shkodra si qendra e marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare - Gazeta Express
string(58) "shkodra-si-qendra-e-marredhenieve-austro-hungaro-shqiptare"

OP/ED

Gazeta Express

17/07/2025 21:38

Shkodra si qendra e marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare

OP/ED

Gazeta Express

17/07/2025 21:38

Shkruan: Kurt Gostentschnigg

Në prag të rënies së Perandorisë Osmane Austro-Hungarisë i duhej Shqipëria si shtet i pavarur, si aleate e vetme në Ballkan kundër pansllavizmit nga njëra anë dhe kundër imperializmit italian në anën tjetër. Shkodra ka qenë qendra e marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare, të cilat shtriheshin në fushat shkencë, politikë, ekonomi, ushtri dhe kulturë. Shkodra ka qenë selia e administrimit ushtarak austro-hungarez, d.m.th. e komandës së korpusit të 19-të dhe e këshillit civil administrativ austro-hungarez në vitet 1916 deri 1918. Shkodra ka qenë gjithashtu selia e Komisisë Letrare Shqipe, e cila është themeluar me nismën  e komisarit civil austro-hungarez August Kral dhe është miratuar me urdhrin  e komandës së korpusit ushtarak austro-hungarez më 30 qershor 1916.

Monografia ime “Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918”[1] (shqip: „Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“) ofron një rikonstruksion të fushave „Shkencë/Albanologji“, „Politikë“, „Ushtri“ dhe „Austrofilë“ sipas teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s. Ky studim i përgjigjet pyetjes së lidhjes së shkencës, politikës dhe ushtrisë në këto marrëdhënie bilaterale duke zbatuar teorinë e imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut, emërton aktorët individualë dhe kolektivë të fushave të lartpërmendura, tematizon perspektivat e tyre, tipizon aktorët individualë të fushave “shkencë/albanologji” dhe “austrofilë” si dhe përmban një tematizim të ndërveprimit të fushave dhe një rikonstruksion të ashtuquajturës „fushe të pushtetit“.

Ne i referohemi këtu teorisë së praktikës (prakseologjisë) sipas Pierre Bourdieu-s[2], e cila përmban këta terma kryesorë: fushë, illusio, doxa, kapitale, si kapital ekonomik, kapital kulturor, kapital social dhe kapital simbolik, dhe fushë e pushtetit. Termi kryeurë i referohet modelit “qendër-periferi”[3], sipas të cilit bota përbëhet nga kombe në qendër dhe kombe në periferi dhe çdo komb në vetvete ka një qendër e një periferi të tijën. Kryeura është baza e ndikimit të kombit në qendër mbi një komb në periferi. Në këtë rast është fjala për elitën vendase, e cila është e gatshme për bashkëpunim dhe i përshtatet gjerësisht botëkuptimit të metropolit, me interesa vetiake për ruajtjen e raporteve ekzistuese. Ky model është pikënisja e teorisë së imperializmit informal ose të imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut[4] me termat e saj kyç dhunë strukturore dhe dhunë kulturore. Esenca e imperializmit kulturor është dhuna kulturore, një term, i cili u referohet aspekteve të kulturës si për shembull fesë ose ideologjisë, të cilat legjitimojnë dhunën në formën e saj direkte ose strukturore.[5] Në rastin e dhunës strukturore nuk ka një aktor personal, por dhuna shkaktohet nga struktura në bazë të pabarazisë.

Në vijim unë do të nxjerr esencën e monografisë sime duke u përqendruar në përgjigjen e pyetjeve se çfarë nënkuptohet me tipat e shkencëtarëve/albanologëve austro-hungarezë, me Fushën e Pushtetit dhe me tipat e austrofilëve shqiptarë. Si përfundim do të përpiqem të emërtoj shkaqet vendimtare për mosrealizimin e interesave të Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve austrofilë.

Tipat e shkencëtarëve/albanologëve

Illusio-ja specifike e Fushës së Shkencës ose Albanologjisë, d.m.th. interesat e përbashkëta të shkencëtarëve ose albanologëve, qëndronte në ndriçimin e aspekteve të panjohura të historisë, kulturës dhe gjuhës së shqiptarëve. Doxa-ja specifike, e caktuar nga Fusha e Politikës edhe në Austri edhe në Hungari, d.m.th. kredot e përbashkëta të pavetëdijshme të albanologëve se në këtë Monarkia e Dyfishtë duhej luajtur rolin e pionierit, ndikonte në përzgjedhjen e temave të kërkimit.

Këta aktorë konkurronin në bazë të kapitalit të tyre ekonomik, d.m.th. pasurisë monetare dhe pronës materiale, kapitalit të tyre kulturor, d.m.th. formimit dhe pozitës profesionale, kapitalit të tyre social, d.m.th. marrëdhënieve dhe rrjeteve, dhe kapitalit të tyre simbolik, d.m.th. prestigjit dhe reputacionit social, për mbajtjen ose ndryshimin e lidhjeve të pushtetit brenda Fushës së Albanologjisë austro-hungareze.

Thelbësor për analizën është fakti fundamental se ne, brenda Fushës së Albanologjisë austro-hungareze, e kemi të bëjmë me tre tipa të ndryshëm të aktorëve: tipin e pastër shkencor, tipin e përzier politiko-shkencor dhe tipin e përzier ushtarako-shkencor.[6] Tipi i pastër shkencor përfaqësohet nga Konstantin Jireček, Milan Šufflay, Carl Patsch, Gustav Meyer, Arnold Schober, Franz Miklosich, Hugo Schuchardt, Wilhelm Meyer–Lübke, Norbert Jokl dhe Maximilian Lambertz. Tipi i përzier politiko-shkencor me lidhje me ose edhe pjesëmarrje në Fushën e Politikës përfaqësohet nga Johann Georg von Hahn, Ludwig Thallóczy, Teodor Ippen dhe Franz Nopcsa. Tipi i përzier ushtarako-shkencor me lidhje me ose madje pjesëmarrje në Fushën e Ushtrisë përfaqësohet nga Georg Veith, Camillo Praschniker, Franz Seiner, Arthur Haberlandt, Nopcsa, Jokl dhe Lambertz. Përmendja e dyfishtë e Nopcsa-s, Jokl-it dhe Lambertz-it ka të bëjë me faktin se ata, në periudha të caktuara, kishin lidhje me Fushën e Politikës dhe/ose me Fushën e Ushtrisë.

Por lidhur me këtë kompleks pyetjesh, ne mund të konstatojmë që tani me siguri se ka pasur dy tipa shkencorë parimorë, për sa i përket gërshëtimit të albanologjisë me politikën, respektivisht tipin e përshtatur dhe tipin e papërshtatur. Shembulli klasik i tipit shkencor të përshtatur ishte Ippen, karakteristika e të cilit ishte bindja paraprijëse, sepse ai, për shkak të pozitës së tij zyrtare, i kishte duart të lidhura. Personifikimi i tipit shkencor të papërshtatur ishte pa dyshim Nopcsa. Për shkak të pozitës së tij sociale si aristokrat dhe hulumtues i njohur ai kishte lirinë të shkruante dhe thoshte se çfarë të donte.

Fusha e Pushtetit

Lidhur me këtë temë të gjërë dhe të ndërlikuar ne duhet të kemi parasysh fenomenin e përkatësisë së shumëfishtë të aktorëve individualë në fushat e ndryshme. Vetëm nëpërmjet pozicionit të njëkohshëm të albanologëve austro-hungarezë në dy ose disa fusha krijohej një gërshetim automatik të Fushës së Shkëncës/Albanologjisë me Fushën e Politikës dhe Fushën e Ushtrisë. Marrëdhëniet midis Fushës së Albanologjisë nga njëra anë dhe Fushës së Politikës dhe Fushës së Ushtrisë nga ana tjetër mund të fiksoheshin në disa aktorë individualë, të cilët u përkisnin vazhdimisht ose përkohësisht disa fushave. Kishte shumë lidhje të rëndësishme dhe formime klikash në kuptimin e partneritetit dhe kundërshtimit, miqësisë dhe armiqësisë midis aktorëve edhe me përkatësi të njëjtë edhe të ndryshme tek fushat. Si ilustrim mund të përmendim rrjetet e Carl Patsch-it, Franz Nopcsa-s, Alfred Rappaport-it, August Kral-it dhe Heinrich Clanner-it.

Fushën e Pushtetit, e cila shtrihej nëpër të gjitha fushat e tjera, duke kontrolluar kuotën e këmbimit të kapitalit ekonomik, kulturor, social dhe simbolik midis fushave, ne mund ta emërtojmë si motorin e imperializmit kulturor.[7] Fusha e Albanologjisë ishte deri diku e ekspozuar ndaj Fushës së Pushtetit, d.m.th. imperializmit kulturor. Ky fakt konfirmohet nga analiza e pozitës së saj si nënfushë brenda fushës më të madhe të balkanologjisë dhe e lidhjeve të saja me fushat fqinje Politikë dhe Ushtri. Nëpërmjet të dy tipave të përzier të aktorëve të Fushës së Albanologjisë ne kemi të bëjmë që në fillim me një gërshetim automatik të fushave të përfshira Shkenca, Politika dhe Ushtria. Kjo ndërthurje e fushave, e cila zotëronte lidhur me tema të caktuara, vërtetohet gjithashtu nga korrespondenca dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm midis aktorëve kolektivë ministria e jashtme, ministria e kulturës dhe arsimit, akademisë së shkencave në Vjenë, ministria e luftës, shtabi i përgjithshëm, kancelaria ushtarake e Princit trashëgimtar Franz Ferdinand-it dhe komanda supreme e ushtrisë/shtatmadhoria.

Fusha e Pushtetit zhvillohej vazhdimisht që nga 1890 deri 1918 dhe ishte e përbërë në mënyrë të ndryshme në kohë. Ajo u manifestua plotësisht për herë të parë rreth vitit 1896, pra në kohën e aksionit për Shqipërinë të Ballhausplatz-it. Në çdo kohë kishte një bërthamë ose një rreth të ngushtë të kësaj Fushe të Pushtetit. Kësaj bërthame u përkisnin aktorët kolektivë si ministria e jashtme, shtabi i përgjithshëm, kancelaria ushtarake e Princit trashëgimtar, instituti i Ballkanit në Sarajevë që nga 1904 dhe komiteti për Shqipërinë në Vjenë që nga 1913. Aktorët individualë, të cilët u përkisnin bërthamës së Fushës së Pushtetit dhe ishin nga të katër fushat Politika, Ushtria, Shkenca ose Albanologjia dhe Austrofilët ose Kryeura, ndryshonin me kalimin e kohës.

Tek marrëdhëniet qendër-periferi, të cilat qëndronin në shenjën e imperializmit kulturor, që kryhej me anë të dhunës strukturore dhe kulturore, bëhej fjalë për një interaksion kompleks të aktorëve kolektivë dhe individualë të fushave pjesëmarrëse Albanologjia, Politika, Ushtria dhe Kampi i Austrofilëve shqiptarë, protagonistët e shquar Fusha e Pushtetit të të cilave ishin Ippen, Thallóczy, Clanner, Leo Ghilardi, Rappaport, Kral dhe Nopcsa. Austro-Hungaria luante një rol të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, por njëkohësisht ajo, me anë të dhunës strukturore dhe kulturore respektivisht imperializmit informal ose kulturor, përpiqej ta drejtonte vendin e vogël politikisht, ekonomisht dhe ushtarakisht kundër pansllavizmit dhe imperializmit italian, duke dashur që albanologjia të luante një rol kyç si “pushtet i butë” në afat të gjatë.

Instrumentalizimi i shkencës për qëllime politike, komerciale dhe ushtarake kishte për bazë një program politik të ministrisë së jashtme, i cili ishte i zhvilluar vetëm në fillimet e para. Kështu mbështetja e albanologjisë nuk ishte pjesë e aksionit për Shqipërinë të Ballhausplatz-it rreth 1900. Qeveria austro-hungareze kufizohej në përgjithësi në përkrahjen e kërkimeve albanologjike në mënyrë zemërgjerë nëpërmjet subvencioneve dhe pranimit të projekteve kërkimore dhe ekspeditave kërkimore, me qëllim që albanologjia në rast nevoje, i cili bëhej realitet në Luftën e Parë Botërore, të vihej me gatishmëri në shërbim të politiës, ushtrisë dhe ekonomisë.

Tipat e austrofilëve shqiptarë

Individët dhe grupimet e kryeurës austro-hungareze në territoret shqiptare ishin përfaqësuesit e klerit katolik, të fiseve zakonisht katolike të Shqipërisë Veriore – kryesisht në Mirditë dhe Dukagjin –, të çifligarëve më shumë myslimanë të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore si dhe të ish-studentëve shqiptarë në Austro-Hungari, të cilët i përkisnin elitës intelektuale me edukim perëndimor.[8] Personalitetet më të njohura përkatëse ishin Gjergj Pekmezi, Syrja Bej Vlora, Eqrem Bej Vlora, Ferit Bej Vlora, Fazil Bej Pasha Toptani, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemal Vlora, Prenk Bibë Doda, Marka Gjoni, Aqif Pasha Elbasani/Biçakçiu, Myfit Bej Libohova, Faik Bej Konica, Lazër Mjeda, Jak Serreqi, Prenk Doçi, Pashk Trokshi, Bajram Curri, Hasan Bej Prishtina, Isa Boletini, Sali Bej Butka dhe Zef Curani.

Fusha e Austrofilëve Shqiptarë përbëhej nga aktorë të ndryshëm individualë dhe kolektivë, të cilët duhen parë në mënyrë të diferencuar. Ata u përkisnin shtresave të ndryshme sociale dhe kishin motive të shumëllojshme për të qenë pjesë e kësaj fushe. Duke marrë parasysh larminë e dukshme të aktorëve kolektivë, ne mund të flasim patjetër për nënfusha, të cilat dallohen për sa u përket termave kyçë doxa, illusio dhe kapitale. Udhëheqësit e fiseve katolike të Shqipërisë së Veriut, klerikët katolikë të Shqipërisë së Veriut dhe bejlerët myslimanë të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, tri nënfusha potenciale të Fushës së Austrofilëve të Monarkisë së Dyfishtë në vendbanimet shqiptare, kishin fillimisht vetëm pak lidhje me njëra-tjetrën. Kryetarët e fiseve dhe klerikët e Veriut kishin më shumë lidhje me njëri-tjetrin sesa me bejlerët e Jugut.

Le të shohim dallimet në doxa dhe illusio të këtyre tri nënfushave. Jeta, zakonet dhe pikëpamjet e anëtarëve të fiseve të Shqipërisë së Veriut ishin të formuara nga kanuni, e drejta zakonore tradicionale, e njohur si doxa-ja e malësorëve. Klerikët shqiptarë të Shqipërisë së Veriut, gjithashtu të rritur në botën e kanunit, ishin të ndikuar kulturalisht nga kolegët e tyre italianë dhe austro-hungarezë dhe të formuar fetarisht nga mësimi katolik, pra doxa-ja e të krishterëve, ku duhet evidentuar ndryshimi midis klerit qytetar dhe klerit fshatar. Bejlerët myslimanë ishin të ndikuar kulturalisht nga orienti dhe otomanizmi dhe të formuar fetarisht nga shkollimi islamik, ndryshe doxa-ja e myslimanëve.

Çdo nënfushë kishte illusio-n, d.m.th. qëllimin e vet. Fiset e Shqipërisë Veriore synonin zakonisht një ekspansion të territoreve të tyre në kurriz të fiseve fqinje dhe një autonomi brenda Perandorisë Osmane. Më i suksesshmi këtu ishte  kapedani i Mirditës Prenk Bibë Doda. Kleri i Shqipërisë Veriore – nën drejtimin e abatit të Mirditës Prenk Doçi – ëndërronte për një principatë katolike të emërtuar “Shqipëri e Epërme”. Deri në Luftrat Ballkanike bejlerët e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore lëkundeshin midis opsioneve të autonomisë brenda Perandorisë Osmane dhe pavarësisë së vilajeteve të bashkuara shqiptare. Që nga Kongresi i Berlinit përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar përpiqeshin – edhe me ndihmën e njërës ose tjetrës fuqi të madhe, si Austro-Hungaria dhe Italia – të krijonin një illusio të përbashkët, e cila do të stimulonte zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe themelimin e një shteti të pavarur kombëtar. Ministrisë së Jashtme austro-hungareze, interesat e së cilës në rastin e shembjes së Perandorisë Osmane konvergonin me interesat e patriotëve shqiptarë, i duhej vetëm të merrte në dorë frenat e drejtimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke u përpjekur që t’i bashkonte të gjitha këto nënfusha në një fushë të vetme austrofile.

Aktorët individualë konkurronin me anë të kapitalit ekonomik, kulturor, social dhe simbolik të tyre për ruajtjen ose ndryshimin e marrëdhënieve të pushtetit brendapërbrenda Fushës së Austrofilëve. Lidhur me kapitalin simbolik duhet bërë dallimi midis atij që njihet si prestigji mes të barabartëve, pra prestigji që aktorët kishin midis njëri-tjetrit, dhe prestigjit që ata gëzonin në popullsinë lokale. Fitimi i kapitaleve duhet shqyrtuar për çdo rast në studime të veçanta. Këtu mund të bëjmë vetëm vërejtje përgjithësuese.

Kryetarët e fiseve katolike të Shqipërisë Veriore e fitonin kapitalin e tyre ekonomik – në varësi të madhësisë së territorit të fisit – nga madhësia e pronës së tyre, nga përmasa dhe pjelloria e kullotës së përdorur vetëm nga ata, nga numri i bagëtisë së tyre dhe nga madhësia e presë së luftës në kohët e konfliktit me fiset fqinje, me shtetet fqinje ose me qeverinë osmane. Për sa i përket kapitalit kulturor të kryetarëve të fiseve katolike, vështirë të arrihet në përfundime shteruese. Për shembull lidhur me Marka Gjonin dhe Prenk Bibë Dodën, as në literaturë as në arkiva të konsultuara deri më tani nuk gjenden të dhëna mbi një shkollim të mundshëm. Doda, për shkak të qëndrimit në Stamboll, në kohën e rinisë së tij, mund të kishte ndjekur ndonjë shkollë atje. Kapitali social i bajraktarëve dhe kryetarëve fisnorë qëndronte në aftësinë për të lidhur besë ose aleancë me udhëheqësit e tjerë fisnorë për nxitjen dhe ruajtjen e paqes të fisit të vet me fiset fqinje. Për sa i përket kapitalit simbolik në kontekstin shoqëror të malësisë shqiptaro-veriore, ne duhet të diferencojmë midis prestigjit brenda fisit të vet dhe prestigjit nën fiset e tjera. Prestigji përkatës ushqehej nga nderi personal dhe familjar, nga zbatimi zemërgjerë i së drejtës së mikpritjes, sukseset e gjuetisë, aftësia e qitjes dhe trimëria në konflikte luftarake.

Kapitali kulturor i anëtarëve të klerit katolik të Shqipërisë Veriore përbëhej nga vendi, grada dhe suksesi i shkollimit të kryer si dhe nga pozita e arritur brenda hierarkisë kishtare. Prestigji i tyre në popullsinë lokale varej nga fakti, nëse bëhej fjalë për një klerik shqiptar apo të huaj. Në rast se ai ishte një i huaj, atëherë ishte me rëndësi, nëse ai ishte italian apo austriak dhe nëse banorët lokalë ishin italofilë apo austrofilë me shumicë. Sigurisht luante një rol se cila nga të dy fuqitë e mëdha angazhohej diplomatikisht dhe politikisht më shumë për interesat shqiptarë dhe cila nga të dy propagandat në vend ishte më aktive dhe më efektive. Prestigji i atyre klerikëve shqiptarë, të cilët i përkitnin kryeurës së Austro-Hungarisë, shtohej në popullsinë lokale, kur ajo ishte gjithashtu austrofile me shumicë.

Për shkak të çifligjeve dhe pasurisë së tyre financiare bejlerët myslimanë të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore kishin zakonisht edhe kapital ekonomik të konsiderueshëm. Kapitali i tyre kulturor varej nga vendi dhe grada e edukimit dhe nga fakti, nëse ata ishin nëpunës të administratës lokale osmane ose të qeverisë perandorake. Kapitali i tyre social përbëhej nga numri i të afërmve dhe nga marrëdhëniet me familje të tjera të bejlerëve, me eliten osmane në Stamboll dhe me konsullata, ambasada dhe qeveri të Fuqive të Mëdha. Nga e gjitha kjo krijohej kapitali i tyre simbolik, për shtimin e të cilit, duke u nisur nga viti 1900, luante një rol gjithnjë e më të madh edhe përkatësia në “partinë kombëtare”.

Lojaliteti i aktorëve individualë dhe kolektivë ndaj qendrës ndryshonte sipas gradës dhe kohëzgjatjes, kështu që ata mund t’i përkitnin njëkohësisht  kryeurës së një qendre tjetër ose pas njëra-tjetrës kryeurës së disa qendrave të tjera. Për periudhën kohore nga aksioni për Shqipërinë 1896/1897 deri në fund të Luftës së Parë Botërore dalloheshin tre tipa të aktorëve austrofilë ose partner: tipi vazhdimisht besnik/lojal; tipi përkohësisht besnik/lojal dhe tipi manovrues-luhatës. Tipi austrofil vazhdimisht besnik/lojal ishte lojal gjatë gjithë zgjatjes së bashkëpunimit midis qendrës dhe kryeurës. Tipi austrofil përkohësisht besnik/lojal ishte lojal në faza të caktuara kalimtare, d.m.th. ai mund t’i përkiste për disa vite kryeurës së njërës qendër dhe pastaj mund të kalonte në kampin e një qendre tjetër dhe të bëhej kundërshtar i qendrës së mëparshme. Tipi austrofil manovrues-luhatës kalonte sipas interesave midis kampeve të dy ose madje disa qendrave ose u përkiste njëkohësisht kampeve të dy ose madje disa qendrave. Sipas Nopcsa-s, korruptimi i shumicës së shqiptarëve austrofilë kishte ndodhur në përgjithësi për shkak të ndikimit të “civilizimit”, por në veçanti kishte të bënte me faktin se, nëpërmjet integrimit të Shqipërisë në politikën ballkanike të Fuqive të Mëdha, shqiptarëve u paguheshin ryshfete nga palët e ndryshme.[9] Si pasojë shqiptarët kërkonin gjithnjë e më shumë dhe kërcënonin të kalonin në qendra të tjera konkurruese, kur ryshfetet nuk u mjaftonin. Albanologu hungarez pohon se ka ndodhur shpesh që një person u detyrohej disa shteteve.

Individët dhe grupimet e kryeurës austro-hungareze në territoret shqiptare ishin përfaqësuesit e klerit katolik, të fiseve zakonisht katolike të Shqipërisë Veriore – kryesisht në Mirditë dhe Dukagjin –, të çifligarëve më shumë myslimanë të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore si dhe të ish-studentëve shqiptarë në Austro-Hungari, të cilët i përkisnin elitës intelektuale me edukim perëndimor. Personalitetet më të njohura përkatëse ishin Gjergj Pekmezi, Syrja Bej Vlora, Eqrem Bej Vlora, Ferit Bej Vlora, Fazil Bej Pasha Toptani, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemal Vlora, Prenk Bibë Doda, Marka Gjoni, Aqif Pasha Elbasani/Biçakçiu, Myfit Bej Libohova, Faik Bej Konica, Lazër Mjeda, Jak Serreqi, Prenk Doçi, Pashk Trokshi, Bajram Curri, Hasan Bej Prishtina, Isa Boletini, Sali Bej Butka dhe Zef Curani.

Në vijim do të përpiqemi t’i klasifikojmë ata sipas të tre tipave të aktorëve austrofilë. Tipit vazhdimisht besnik/lojal i përkisnin me siguri vetëm Lazër Mjeda dhe Gjergj Pekmezi. Tipit përkohësisht besnik/lojal i përkisnin Faik Konica, Myfit Libohova, Isa Boletini dhe Hasan Prishtina. Tipit manovrues-luhatës i përkitnin Ferit Vlora, Prenk Doçi, Pashk Trokshi, Ismail Qemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Prenk Bibë Doda dhe Marka Gjoni. Syrja Vlora, Eqrem Vlora, Aqif Elbasani/Biçakçiu, Bajram Curri, Sali Butka, Fazil Toptani dhe Jak Serreqi duhen parë me pikëpyetje: ose si pjesë e tipit të parë ose të tipit të dytë të aktorëve austrofilë.

Një gjë mund të themi me siguri: shumicën e përfaqësuesve e gjejmë në tipin përkohësisht besnik/lojal dhe tipin manovrues-luhatës, të cilët duket se i shkojnë për shtat situatës së shqiptarëve. Kalimet midis këtyre dy tipave janë gjithashtu të rrjedhshme, dhe prandaj kategorizimi i përfaqësuesve të tyre mund të variojë sipas pikëpamjes dhe interpretimit subjektiv. Përveç kësaj nuk kemi mjaft të dhëna në dispozicion mbi të gjithë aktorë individualë austrofilë, kështu që kategorizimi i tyre mund të ndryshojë sipas interpretimit të informacioneve të reja. Një popull i vogël, i cili sa po fillonte të vendosej si komb dhe, për shkak të partikularizmit ende mbizotërues, rrezikohej të shndërrohej në top futbolli në duart e Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, përpiqej në elitën e tij zgjuese të emancipohej nga fuqitë e huaja dhe të mbronte interesat e tij nëpërmjet luhatjes dhe manovrimit. “Luhatje” dhe “manovrim” përdoren këtu në një kuptim neutral, pa asnjë konotacion negativ, sepse gjithcka varet nga motivi dhe qëllimi, dhe qëllimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve austrofilë, krahas përpjekjeve njerëzore për përfitime personale, ka qenë realizimi i aspiratave kombëtare. Gjithashtu nuk duhet harruar se deri më sot në politikën shqiptare është zakon një farë esatizmi[10], d.m.th. koalicione ndryshuese, madje aleanca me “armiq të betuar” sipas koniunkturës politike dhe interesave personale.[11]

Nga viti 1896 deri të paktën në 1914 qendra, pra Austro-Hungaria, mund të kishte vërtet besim vetëm tek pak përfaqësues të kryeurës së saj shqiptare në periferi, pikërisht tek Syrja Vlora, Eqrem Vlora,Lazër Mjeda dhe Gjergj Pekmezi. Riorientimi i Syrja Vlorës dhe Eqrem Vlorës lidhur me politikën e jashtme gjatë Luftës së Parë Botërore lejon dy interpretime: nga njëra anë, duke shikuar prapa, mund të hamendësohet se të dy që nga fillimi i Luftës së Madhe nuk do të kishin qenë më ithtarë qind për qind të politikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë dhe do të kishin filluar tashmë të orientoheshin në drejtim të Italisë; nga ana tjetër duhet të pranojmë faktin që, pas Luftës së Parë Botërore me fundin e Monarkisë Dualiste, zgjedhja e orientimit të politikës së jashtme, përballë interesave antishqiptarë të shteteve fqinje Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, me gjithë rezervat e drejta mund të ishte vetëm Italia. Zhgënjimi i Mjedës që Ministria e Jashtme austro-hungareze nuk kishte qenë në gjendje ta bënte atë arqipeshkëv të Shkodrës, e ulte me siguri për një periudhë kohe gatishmërinë e tij për bashkëpunim me Vjenën. Jo më vonë se nga fillimi i Luftës së Madhe, Syrja Vlora nuk e gëzonte më besimin e plotë të Vjenës, gjë që vlente deri në një farë mase edhe për djalin e tij Eqrem Vlorën. Pekmezi, i cili e kalonte pjesën më të madhe të kohës në kryeqytetin austro-hungarez, ku vepronte si albanolog në universitet dhe si njohës i Shqipërisë për Ballhausplatz-in, kishte një pozitë të veçantë midis Fushës së Shkencës, Fushës së Politikës dhe Fushës së Austrofilëve. Vetëm konflikti i tij me komisarin civil August Kral lidhur me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore e zbehte në fund kooperimin deri atëherë të padiskutueshëm me Ministrinë e Jashtme austro-hungareze. Në rastin e Aqif Elbasanit/Biçakçiut, Sali Butkës dhe Bajram Currit duhet ende të hulumtohet, se në cilën periudhë, pa marrë parasysh Luftën e Madhe, ata ishin vërtet plotësisht austrofilë. Mbi Fazil Toptanin nuk ka të dhëna të mjaftueshme, që ai të mund të kategorizohej pa diskutim.

Pas shumë viteve Faik Konica u kthye përsëri në kampin italian dhe për shkak të zhgënjimit u bë një kundërshtar i Austro-Hungarisë. Myfit Libohova, Isa Boletini dhe Hasan Prishtina ishin vetëm që prej periudhës së Luftrave Ballkanike ithtarë të betuar të Monarkisë së Dyfishtë. Prenk Doçi, tek i cili pala vjeneze në fillim kishte besim të madh, tregohej gjithnjë e më shumë si faktor i pasigurt italofil, derisa u braktis më në fund pak para Luftrave Ballkanike. Pashk Trokshi bënte që nga fillimi një lojë të dyfishtë me Ballhausplatz-in. Ismail Qemal Vlora ishte kandidati i diskutueshëm i ministrit të jashtëm Berchtold për shpalljen e pavarësisë, pasi e kishte mënjanuar me shkathtësi Syrja Vlorën. Luigj Gurakuqi qëndronte gjithmonë nën dyshimin se ishte edhe një simpatizant i Italisë. Mbështetja austro-hungareze ndaj Marka Gjonit u mohua më 1913 për shkak të agjitacionit të tij proserb, ndërkohë që Prenk Bibë Doda ishte një mjeshtër i lëkundjes midis kampit francez, italian, malazez, serb dhe austro-hungarez.

Përfundim

Faktorët vendimtarë për mosrealizimin e  interesave të Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve austrofilë kanë qenë përmbledhtas si vijojnë: përçarja e klerit katolik të Shqipërisë së Veriut midis Italisë dhe Austro-Hungarisë; regjionalizimi i fiseve verioshqiptare, veçanërisht i mirditasve nën Prenk Bibë Dodën; humbja e ndikimit të Monarkisë Dualiste mbi katolikët e Shqipërisë së Veriut për shkak të rolit negativ të Ludwig von Thallóczy-it gjatë kryengritjes së malësorëve shkodranë në vitin 1883 kundër Perandorisë Osmane për parandalimin e shkëputjeve territoriale të mundshme në favor të Malit të Zi; qëndrimi antiaustro-hungarez për një kohë të gjatë i familjeve të nderuara të pasura toptanase në Tiranë dhe Shqipërinë e Mesme, të cilat paguheshin nga administrata osmane; dështimi i Syrja Vlorës dhe Eqrem Vlorës lidhur me thirrjen e një kuvendi kombëtar; arrestimi disamuajsh i politikanëve shqiptaro-kosovarë të rëndësishem si Hasan Prishtinës në Beograd gjatë Luftës së Parë Ballkanike; qëndrimi ambivalent ose lëkundës ndaj Austro-Hungarisë i aktorëve të rëndësishëm austrofilë si Prenk Doçi, Pashk Trokshi, Prenk Bibë Doda dhe Faik Konica; dështimi pjesërisht i pafaj i Princit austrofil Wilhelm zu Wied; pranimi i parimit të ndërkombëtarizimit në vend të parimit të protektoratit në Konferencën e Ambasadorëve në Londër lidhur me themelimin e shtetit shqiptar; administrimi i ashpër ushtarak, sidomos në fillim të okupacionit austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916-1918 si dhe kontradikta permanente midis rretheve drejtuese të politikës së jashtme dhe atyre ushtarake në Vjenë.

Bibliografia

Gostentschnigg, Kurt (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS. (828 f.).

Gostentschnigg, Kurt (2023): Die Essenz der österreichisch-ungarisch-albanischen Beziehungen. Në: Kolë Ashta dhe studimet albanologjike ndër vite. Studime Shqiptare 30. Shkodra, f. 203-214.

Gostentschnigg, Kurt dhe Kaser, Karl (2014): Albanologjia austro-hungareze 1867-1918 – një rast i imperializmit kulturor? Një projekt kërkimor. Në: Hylli i Dritës 34, nr. 1-2 (279-280), f. 3-26.

Gostentschnigg, Kurt (2018): Albanologjia austro-hungareze: Shkenca nën ndikimin e Fushës së Pushtetit. Në: Të rizbulojmë të përbashkëtat. E shkuara dhe e tashmja e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në kaleidoskop. E botuar nga Ministria Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme – Seksioni për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë. Vjena, f. 117-129.

Gostentschnigg, Kurt (2017): The different researcher types. Austro–Hungarian albanology between politics and military. In: Ramadani, Fehari; Kosumi, Bajram (ed.): International scientific conference “Relations between Albanians and Austria–Hungary (Austria) by mid XIX. century to our days”. Skopje, Prishtina: Logos-A, f. 73–86.

Gostentschnigg, Kurt (2021): Ismail Qemal Vlora apo Syrja Vlora? Austro-Hungaria midis tipave të ndryshëm të aktorëve austrofilë. Në: Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit. Akte të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare (27 shtator 2019). Tirana: Akademia e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë, f. 77-94.

Gostentschnigg, Kurt (2016): Die albanischen Parteigänger Österreich–Ungarns. Ein Versuch der Rekonstruktion des Brückenkopf–Feldes an der Peripherie des habsburgischen Zentrums. Në: Shejzat, vëll. 1, nr. 1–2, f. 119–170.

Vlora, Syrja (2013): Kujtime. Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës. Përgatitur për botim nga Marenglen Verli dhe Ledia Dushku, Tirana: Iceberg.

Vlora, Ekrem (1968): Lebenserinnerungen I (1885–1912). München: Oldenbourg.

Galtung, Johan (1990): Cultural Violence. Në: Journal of Peace Research, vëll. 27, nr. 3, f. 291–305.

Papilloud, Christian (2003): Bourdieu lesen. Einführung in eine Soziologie des Unterschieds. Mit einem Nachwort von Loic Wacquant, Bielefeld: Transcript.


[1] Gostentschnigg, Kurt (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS. (828 f.).

[2] Lista e botimeve të Bourdieu-s dhe mbi Bourdieu-n është shumë e gjatë. Shih si hyrje Papilloud, Christian (2003): Bourdieu lesen. Einführung in eine Soziologie des Unterschieds. Mit einem Nachwort von Loic Wacquant, Bielefeld: Transcript.

[3] Shih Wallerstein, Immanuel: The Modern World-System, e botuar në katër vëllime 1974, 1980, 1989 dhe 2011.

[4] Galtung, Johan (1971): A Structural Theory of Imperialism. Në: Journal of Peace Research, vëll. 8, nr. 2, Oslo, f. 81–117; Galtung, Johan (1990): Cultural Violence. Në: Journal of Peace Research, vëll. 27, nr. 3, Oslo, f. 291–305.

[5] Galtung, Johan (1990): Cultural Violence, f. 291-305.

[6] Lidhur me këtë shih Gostentschnigg (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, f. 222–245; Gostentschnigg, Kurt (2017): The different researcher types. Austro–Hungarian albanology between politics and military. In: Ramadani, Fehari; Kosumi, Bajram (ed.): International scientific conference “Relations between Albanians and Austria–Hungary (Austria) by mid XIX. century to our days”. Skopje, Prishtina: Logos-A, f. 73–86.

[7] Lidhur me këtë shih Gostentschnigg (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, f. 729–761; Gostentschnigg, Kurt (2018): Albanologjia austro-hungareze: Shkenca nën ndikimin e Fushës së Pushtetit. Në: Të rizbulojmë të përbashkëtat. E shkuara dhe e tashmja e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në kaleidoskop. E botuar nga Ministria Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme – Seksioni për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë. Vjena, f. 117-129.

[8] Lidhur me këtë shih Gostentschnigg (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, f. 606–611; Gostentschnigg, Kurt (2021): Ismail Qemal Vlora apo Syrja Vlora? Austro-Hungaria midis tipave të ndryshëm të aktorëve austrofilë. Në: Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit. Akte të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare (27 shtator 2019). Tirana: Akademia e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë, f. 77-94; Gostentschnigg, Kurt (2016): Die albanischen Parteigänger Österreich–Ungarns. Ein Versuch der Rekonstruktion des Brückenkopf–Feldes an der Peripherie des habsburgischen Zentrums. Në: Shejzat, vëll. 1, nr. 1–2, f. 119–170.

[9] Robel, Gert (1966): Franz Baron Nopcsa und Albanien. Wiesbaden: Harrassowitz. f. 117 f., shën. 665.

[10] Një term, i cili i referohet politikës së Esat Pashë Toptanit të drejtuar nga motive vetjake.

[11] Shembujt më të njohur që nga viti 1992 janë Sali Berisha dhe Fatos Nano si dhe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sidomos Ilir Meta është një mjeshtër i vërtetë i ndërrimit të anëve, kështu që  ai gjendet që prej vitesh gjithmonë në krahun e pushtetit dhe ka marrë në fakt politikën e vendit peng. Cilëve interesave ata u shërbejnë me këtë, është një pyetje, mbi të cilën vetëm mund të spekulohet.