SHKK-ja i reagon Xhabir Zharkut që hyri në grevë për shkak të ushqimit - Gazeta Express
string(67) "shkk-i-reagon-xhabir-zharkut-qe-hyri-ne-greve-per-shkak-te-ushqimit"

SHKK-ja i reagon Xhabir Zharkut që hyri në grevë për shkak të ushqimit

Gazeta Express

26/05/2020 14:02

Njeriu që për shtatë vjet i kishte ikur drejtësisë, aktualisht gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Por, Xhabir Zharkut nuk po i pëlqen ushqimi që po i servohet aty. Sipas tij, ushqimi në burgje është jocilësor, prandaj edhe ka hyrë në grevë urie. Për ankesat e Zharkut, është deklaruar Shërbimi Korrektues.

Në këtë institucion thonë se me qëllim të sigurimit të mirëqenies fizike dhe shëndetësore të të burgosurve, menyja ushqimore përpilohet nga ekspertët e ushqimit.

Lexo Edhe:

Sipas SHKK-së, me këtë meny, të burgosurve iu sigurohet ushqim i cili plotëson të gjitha nevojat, si për nga sasia e mjaftueshme ashtu edhe për nga cilësia.

“Ushqimi përmban të gjitha kaloritë e nevojshme konform rregullave të të ushqyerit dhe u servohet të burgosurve në tri shujta ditore, mëngjes, drekë dhe darkë”, ka deklaruar ky institucion.

SHKK-ja deklaron se në rastet kur të burgosurit kanë ndonjë specifikë shëndetësore ose kërkesë, me rekomandim të mjekut të Qendrës, përmes kuzhinave ua përshtatim edhe ushqimin, si bukë të zezë dhe ushqime të tjera dietale, duke aluduar kështu edhe për rastin e Zharkut.

“Po ashtu, në kantinat tona kemi rreth 142 artikuj ushqimorë të cilët mund të blihen nga të burgosurit dhe janë në dispozicion sipas regjimeve të tyre. Në kuzhinat e institucioneve korrektuese, me këtë meny ushqehen të gjithë punonjësit e SHKK-së, të uniformuarit dhe stafi civil”, thuhet në komunikatën e SHKK-së.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, që është duke qëndruar në paraburgim, ka tre ditë që është futur në grevë urie.

Lajmin e ka bërë të ditur dje avokati i tij, Tomë Gashi përmes një shkrimi në Facebook.

Ai ka thënë se Zharku është futur në grevë pas përkeqësimit të cilësisë së ushqimit.

“Sipas tij, përveç ushqimit të dobët që ai nuk mundet fare ta konsumoj edhe për shkak se ai është diabetik. As në kantinën që është brenda burgut nuk ka fare ushqime cilësore që mund të blihen nga të paraburgosurit. Greva e tij është sensibilizuese që çështja e ushqimit në burg të përmirësohet. Sot e kam vizituar dhe gjendja e tij është stabile, me shenja të përkeqësimit”, ka shkruar Gashi.

Zharku po mbahet në paraburgim që nga data 14 dhjetor e vitit të kaluar. /Gazeta Express