Shkatërrojnë, se nuk ndëshkohen - Gazeta Express

Shkatërrojnë, se nuk ndëshkohen

OP/ED

Gazeta Express

22/05/2020 10:37

Mosndëshkimi i së keqes ka bërë që secili të veprojë si t’i teket, pa frikën se mund të ketë pasoja. Frustrimi e mosbesimi ndaj politikës e sistemit të drejtësisë shtohen, ndërkohë që shkatërruesit vazhdojnë realizimin e qëllimeve të veta. Është problematike një shoqëri që i thur lavde marrëzisë.

Imer Mushkolaj

Akti i rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë është edhe një arsye më shumë për të reflektuar dhe konstatuar se veprimet e tilla të pushteteve nuk janë të rastësishme dhe ndërmerren pavarësisht vendimeve që mund të japin organet e drejtësisë. Të paktën edhe në dy raste të tjera në Shqipëri, shteti ka ndërhyrë brutalisht pa e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke treguar në këtë mënyrë se arroganca qeverisëse bën që të mos pritet vendimi i gjykatës, por të veprohet sipas interesave të caktuara.

Në vitin 2005, kur Partia Demokratike e Sali Berishës u kthye në pushtet, veprimin e parë që bëri ishte prishja e mbikalimit te Zogu i Zi në kryeqytet, që në atë kohë drejtohej nga Edi Rama. Gjykata Kushtetues e shpalli të paligjshëm dhe antikushtetues prishjen e mbikalimit, por askush nuk dha përgjegjësi më pas dhe gjithçka vazhdoi si të mos kishte ndodhur asgjë.

Përveç këtij rasti, në një postim në Facebook, Bedri Islami sjell edhe rastin e Kinostudios “Shqipëria e re”, të cilën Qeveria Berisha e kaloi në pronësi të saj dhe pastaj e shkatërroi krejtësisht, duke e shitur për një euro metrin katror. Edhe ky vendim më pas u shpall antikushtetues, por askush nuk u ndëshkua.

Njësoj ndodhi para pak ditësh me ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Çështja e rrëzimit ose jo të tij gjendet në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ende nuk ka vendosur. Nesër kjo gjykatë mund të vendos se veprimi i shembjes së ndërtesës ishte antikushtetues, por askush nuk do të jep përgjegjësi. Sepse, ndëshkimi i përgjegjësve dhe dhënia e përgjegjësisë duket të jetë e panjohur për vendimmarrësit në Shqipëri. “Mosndëshkimi i së keqes është ndëshkimi i të mirës”, konludon Islami në shkrimin e tj në Facebook. Hiç më mirë nuk janë punët as në Kosovë.

* * *

Janë shumë gishtat e njërës dorë për të numëruar rastet kur zyrtarë politikë kanë dhënë përgjegjësi për shkak të veprimeve të dëmshme. Mjafton ta shohësh Prishtinën e shpërfytyruar për interesa politike e biznesore, sa për të konkluduar se mbi këtë qytet është kryer një krim i madh. Mjafton të shohësh rastet e pazbardhura ende të qytetarëve të Kosovës që kanë vdekur në duart e shtetit, për të konkluduar sa pak kushton jeta e një njeriu. Mjafton të analizohen ngjarjet që ndodhën gjatë pandemisë, për të parë se sa e vlerësojnë jetën e qytetarëve, të votuesve të tyre partitë politike. Partitë, të cilat janë në gjendje të bëjnë çmos, madje edhe të rrezikojnë jetë njerëzish, vetëm për t’i arritur qëllimet e veta.

E kur bëhet fjalë për njerëz të fuqishëm, të veshur me pushtet e privilegje, sistemi i drejtësisë e kryen punën shpejt. Gjë që nuk ndodh në rastet e qytetarëve të zakonshëm, që zvarriten me vite nëpër gjykata.

Të gjitha instancat e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Kushteteuse kanë vendosur shumë shpejt, brenda tre muajsh, rreth rastit të ish-ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, që kërkonte të drejtën e shfrytëzimit të përfitimeve financiare pas pensionimit, bazuar në ligjin përkatës. Shumë shpejt vendoset edhe kur bëhet fjalë për kërcënimet në rrjetet sociale, ndaj bartësve të funksioneve politike. Por, kur vjen puna te qytetarët e rëndomtë, ndërron muhabeti. Gjykatat zvarrisin lëndët, e frustrimi bashkë me mosbesimin rriten.

* * *

Kultivimi i kulturës së mosndëshkueshmërisë ka bërë që shkatërruesit të vazhdojnë të qetë realizimin e qëllimeve të veta. Sa e sa objekte të trashëgimisë kulturore janë rrënuar, përkundër kallëzimeve penale që janë ngritur ndaj autorëve. Sa e sa monumente kulture janë shkatërruar e zhdukur si të mos kishin ekzistuar kurrë, ndërkohë që institucionet përkatëse kanë heshtur. Kanë heshtur edhe qytetarët e ndershëm, ata që i besojnë shtetit dhe të mires – mbase pa shpresë se institucionet mund të ndërmarrin diçka. Në fakt, janë ndjerë të dobët karshi arrogancës së pushtetit dhe të të pushtetshëmve. Andaj janë në këtë gjendje, teksa ngurrojnë të reagojnë edhe kur iu cenohet liria e tyre, edhe kur iu cenohet prona, madje edhe kur iu cenohet e drejta për t’u shprehur lirshëm.

Të jesh qytetar i ndershëm në një vend ku ndershmëria nuk vlen pesë pare, nënkupton të jesh viktimë e mujsharëve, që në ty shohin një qytetar të dobët, e jo një qytetar të drejtë. Është problem të fuksionosh i tillë në një shoqëri ku politikanët kryesisht janë modele të këqija që nuk duhet ndjekur. Në një shoqëri ku më shumë vlerësohet ai që mashtron, se ai që punon ndershëm, në një shoqëri ku i thuren lavde marrëzisë, e mosndëshkimi është kulturë jetese.