Shkarkohet nga detyra gjyqtari që liroi nga burgu Lulzim Berishës, i “pritet” koka edhe prokurorit të Lezhës


Gazeta Express
22 Nëntor 2019 13:13

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Lezhës, Simon Pashuku.

KPK vuri në dukje disa probleme të pasurisë gjatë seancës dëgjimore.

Simon Pashuku e filloi karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 1999.

Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe përgjatë 5 viteve e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Kukësit.

Në vitin 2017, Pashuku u emërua në Prokurorinë e Lezhës.

Po ashtu sot KPK shkarkoi nga detyra edhe gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Arben Vrioni.

Vrioni u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve të theksuara me pasurinë.

Vrioni ishte aktualisht anëtar i trupës së Gjykatës së Krimeve të Rënda të Apelit që po shqyrton çështjen ndaj Emiljano Shullazit.

Gjyqtari Arben Vrioni ka kryesuar treshen e gjyqtarëve, të cilët liruan para afatit nga burgu ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, vendim i cili prodhoi polemika dhe reagime të forta, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar.

Në 6 dhjetor të vitit 2016, trupi gjykues me në krye Arben Vrioni, si dhe me anëtarë Petrit Çeno dhe Anita Mici, vendosi të lironte me kusht nga burgu Lulzim Berishën, me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit me 25 vite burg si dhe për sjellje të mirë, në një kohë kur i kishin mbetet edhe 5 vite vuajtje dënimi.

Po ashtu në gusht të vitit 2018, Arben Vrioni, Anita Mici dhe një gjyqtar tjetër, liruan nga burgu vjehrrin e ish-kreut të Partisë Socialiste në Kavajë, Said Cikalleshi, i marrë i pandehur nga prokuroria e këtij qyteti për skandalin e tjetërsimit të pronave shtetërore në plazhin e Spillesë.

Te fundit


Kthehu lart