Shija e hidhur e humbjes


load
Gazeta Express
17 Tetor 2019 11:04

Humbja në zgjedhje lë shije të hidhur. Partitë e koalicionit PAN mund ta kenë përjetuar rëndë atë, por më rëndë e kanë përjetuar qytetarët qeverisjen e tyre. Qeverisje arrogante dhe e papërgjegjshme.

Imer Mushkolaj

Numërime e rinumërime, zvarritje pa fund nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i publikimit të rezultateve finale. Dhjetë ditë pas 6 tetorit, institucioni përgjegjës për menaxhimin e procesit zgjedhor dhe certifikimin e rezultateve ende nuk ia ka dalë të mbarojë punë, duke iu hapur rrugë, me të drejtë, spekulimeve gjithëfarëshe.

E çuiditshme se si është e mundur që pjesa dërmuese e votave të numërohen dhe procesohen brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që një pjesë fare e vogël të marrë kaq shumë kohë.

Qytetarët dyshojnë se po bëhet ndonjë dallaver, në mënyrë që koalicioni i partive të vogla, i prirë nga Nisma Socialdemokrate të mundet ta kalojë pragun. Aq shumë është banalizuar procesi i numërimit e rinumërimit të votave dhe aq shumë është thënë se Nisma herë po e kalon, herë s’po e kalon pragun, sa që i është hedhur hije procesit të mirë zgjedhor, i vlerësuar pozitivisht edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Numri i votave në Kosovë është aq i vogël, sa që rezultatet përnjëmend mund të nxirren dhe procedohen në afat rekord. Andaj nuk ka kurrfarë kuptimi që të vonohen kaq shumë. Madje dhe me idenë se “dikush” po dëshiron me çdo kusht që Nisma të jetë pjesë e Kuvendit sërish.

Është e kuptueshme – humbja ka shije të hidhur. Edhe më e hidhur humbja bëhet kur nuk mund ta kalosh pragun për disa qindra vota. Por, kjo nuk duhet as ta vonojë e as mbajë peng procesin e krijimit të institucioneve të reja.

Vendimi i qytetarëve është e qartë. Ata kanë votuar partitë opozitare, duke ua dhënë besimin për ta krijuar qeverinë. Çdo kalkulim tjetër, i kujdoqoftë, do të krijonte situatë të padëshirueshme. Askujt nuk mund t’i merret fitorja në tavolinë.

* * *

Partitë e koalicionit PAN mund ta kenë përjetuar rëndë humbjen në zgjedhje. Por më rëndë e kanë përjetuar qytetarët qeverisjen e tyre. Një qeverisje me shpenzime milionëshe e me plot veprime të dëmshme.

Sipas institutit GAP, qeveria në ikje vetëm gjatë vitit 2018 i ka harxhuar rreth 20 milionë euro në mëditje udhëtimi, shpenzime telefoni, karburante e reprezentacion. “Koha Ditore” raportoi se vetëm për dreka zyrtare, kryeministri me bashkëpunëtorë ka harxhuar rreth 700 mijë euro në dy vjet. “Qeveria kineze” me më shumë se 100 zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra ka harxhuar “si n’bahçe t’babës”, pa e çarë kokën se po i harxhonte paratë e qytetarëve të varfër

e të izoluar, pa e çarë kokën se po jepte shembull se si nuk duhet qeverisur, po jepte shembull se si qeveriset në mënyrë arrogante, duke harxhuar para “veç pse iu teket”.

Me votën e tyre qytetarët kanë ndëshkuar këtë lloj qeverisjeje, këtë lloj mendësie qeverisëse. Me votë qytetarët kanë treguar se nuk do të lejojnë më që paratë e tyre të shpenzohen nëpër dreka e darka, udhëtime jashtë vendit e mëditje. Me votë qytetarët kanë dhënë mesazhin se më nuk mund të shkojë si deri më tash.

Por, shija e hidhur e qeverisjes së kaluar nuk largohet as harrohet lehtë. Ashtu si nuk harrohet as arroganca qeverisëse.

Arrogancë që nisi me dyfishimin e rrogës nga ana e kryeministrit për veten dhe të vetët dhe vazhdoi me të tjera skandale, me shpërndarjen e parave pa dhimtë. Arrogancë që dhemb.

* * *

Shumb dhemb edhe humbja. Aq më tepër kur nuk e pret. Ose kur nuk e pret aq të thellë. Por asgjë nuk ndodh rastësisht.

Të presësh se do të fitosh pas një dekade në qeverisje e bashkëqeverisje, në pjesën më të madhe si keqqeverisje, është budallallëk. Të presësh se qytetarët do të votojnë pavarësisht veprimeve arrogante e të papërgjegjshme është po ashtu budallallëk. Siç është budallallëk të presësh se do të besojnë edhe qytetarë të tjetrë, përveç atyre që përbëjnë klientelën partiake të mirëmbajtur nëpërmjet punësimeve e favoreve të ngjashme.

As shumë dëme janë bërë, për më shumë se një dekadë në qeverisje, sa që janë vështirë të riparueshme. Aq më pak kur pjesë e koalicionit të ardhshëm pritet të jetë edhe një parti që ka dhënë kontribut të madh në thellimin e këtyrë dëmeve.

Por mesazhi i qytetarëve ishte i qartë dhe duhet respektuar. Siç duhet respektuar vota e secilit qytetar.

Është irrituese kur rezultati i votës vonohet. Edhe më shumë bëhet irrituese qasja e koalicionit të partive të vogla poshtë pragut, që me çdo kusht po duan ta kalojnë atë. Qasje që zgjon dyshime për dallavere të mundshme.

Edhe po të kalojë pragun ky koalicion, shija e fitores në humbje mbetet e hidhur. Ashtu si qeverisja, ashtu si koalicioni i kaluar mezi i krijuar, ashtu si shpenzimet e luksit, ashtu si arroganca e papërgjegjësia.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart