Sherri me lojtarët e Laçit, Tirana paralajmëron: Dhuna do raportohet në UEFA e FIFA


Gazeta Express
31 Mars 2019 19:11

Klubi i Tiranës ka reaguar për herë të parë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme në stadiumin “Selman Stermasi”, ku lojtarët e kryeqytetit u përplasën fizikisht me ata të Laçit pas përfundimit të ndeshjes.

Përmes një statusi në rrjetin social, KF Tirana ka dënuar dhunën dhe provokimin që sipas saj kanë bërë kundërshtarët. Tirana thotë në reagim se pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë dhe se gjatë javëve në vijim do të relatohen në UEFA dhe FIFA.

“Klubi i Futbollit Tirana denon ashper ngjarjet e ndodhura dje ne stadiumin “Selman Stermasi”. Lojtaret e Tiranes u provokuan dhe u dhunuan. Klubi i ka vene ne dispozicion te Policise se Tiranes pamjet filmike per gjithcka ka ndodhur ne perfundim te ndeshjes Tirana – Laçi dhe pret zbardhjen e ngjarjes si dhe pasojat ligjore.

Denoncimet publike ne kete vend, thuajse gjithmone kane rene ne vesh te shurdhet per te mos sjelle ndryshim. Per kete dhe te tjera arsye, zgjedhim te mos flasim gjate por te veprojme.

Dy jave me pare, gjyqtari Olsi Sokoli vodhi turpshen skuadren ne fushe ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur nje ceshtje ndaj tij ne FIFA, ne sektorin e Luftes kunder Racizmit, ne mungese te nje pergjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Dje skuadra u vodh ne fushe, ne nje ndeshje qe mund te luhej deri ne te gdhire sipas kryesorit Kridens Meta dhe me pas u provokua dhe u godit turpshem. Pamjet filmike jane depozituar ne Policine e Tiranes. Ngjarjet e dy javeve te fundit do te relatohen gjithashtu ne UEFA dhe FIFA.”-njofton klubi i Tiranës.

Nga pamjet e publikuara mbrëmjen e djeshme duket se fillimisht lojtari i Tiranës N’Goo konfrontohet verbalisht me presidentin e klubit kurbinas, Pashk Laska, e më pas afrohet për ta goditur.

Në këtë moment kanë ndërhyrë edhe të tjerët dhe më pas situata është përshkallëzuar./Express

Te fundit


Kthehu lart