Sherr në linjën e urbanit në Tiranë, të rinjtë rrahin faturinon. Arrestohen nga Policia Rrugore. Çfarë ndodhi brenda autobusit


Gazeta Express
7 Korrik 2019 12:01

Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë Rrugore në Tiranë, pasi kanë dhunuar fizikisht një faturino. Sherri ka nisur në linjën e urbanit Kombinat Kinostudio.

Policia sqaron se gjatë sherrit, shoferi i autobusit ka pikasur një patrullë të policisë rrugore, duke i bërë thirrje për ndihmë.

Ata kanë ndërhyrë për të neuatralizuar konfliktin, por kanë hasur në rezistencën e të rinjve A.T., 24 vjeç,  dhe F. K., 20 vjeç, të cilët janë arrestuar më pas.

Njoftimi i policisë:

Punonjësit e Policisë rrugore ndërhyjnë për të parandaluar një konflikt në një  autobus të linjës Kinostudio-Kombinat.

Gjatë ndërhyrjes , punonjësit e  policisë rrugore janë kundërshtuar me dhunë nga dy shtetasit që po dhunonin fatorinon e autobusit, por neutralizohen dhe vihen në pranga.

Mbrëmjen e djeshme, në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, në autobusin e linjës-Kinostudio- Kombinat, dy shtetas që ishin pasagjerë në këtë autobus, si pasojë e një konflikti të çastit po dhunonin fatorinon e autobusit.

Drejtuesi i autobusit kur ka parë dy punonjës të policisë rrugore  që ishin me shërbim në afërsi të Spitalit “Nënë Tereza”, ka ndaluar autobusin dhe ka kërkuar ndihmën e tyre.

Punonjësit e Policisë rrugore kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin, por  dy shtetasit  A.T., 24 vjeç,  dhe F. K., 20 vjeç, banues të dy në  Tiranë, kundërshtuan  me dhunë edhe punonjësit e Policisë Rrugore, por nuk kanë mundur dot të largohen pasi janë neutralizuar dhe prangosur nga punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A.T dhe F.K, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.


Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart