Sherifi: Gjykata Speciale, një ngrehinë politike me qëllime të qarta politike - Gazeta Express
string(75) "sherifi-gjykata-speciale-nje-ngrehine-politike-me-qellime-te-qarta-politike"

Sherifi: Gjykata Speciale, një ngrehinë politike me qëllime të qarta politike

Gazeta Express

24/06/2020 19:53

Zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka reaguar pas propozimit për aktakuzë nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Zyra e Prokurorit Special të Dhomave të specializuara doli me një qëndrim skandaloz duke paragjykuar vendimin e Gjykatës Speciale ende pa u miratuar aktakuza. Ky qëndrim politik i prokurorisë speciale që lëshon deklaratë të tillë është dëshmi e pakontestueshme se tërësia e strukturave të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale nuk është asgjë tjetër, pos një ngrehinë politike me qëllime të qarta politike”, ka shkruar Sherifi në Facebook.

Lexo Edhe:

“Pohimi im se prokuroria nuk është e paanshme por e influencuar politikisht del në mënyrë të qartë nga vet arsyetimi që bëhet në deklaratën e tyre për atë përse e kanë publikuar lajmin ende pa u miratuar aktakuza nga ana e Dhomave të specializuara”, ka thënë ai.

“E kam theksuar disa herë se miratimi i themelimit të kësaj gjykate është sajesë politike për shkak se baza e ashtuquajtur “Raport i Dick Martit”, mbi të cilin u mbështet themelimi i tij ishte përvetësim i shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë kundër popullit shqiptar në përgjithësi dhe UÇK-së”, ka deklaruar Sherifi.

“Prandaj, një proces që është nisur me direktiva politike nuk duhet të habisë askënd që përfundon me procese gjyqësore të motivuara politikisht. Pikërisht tani hapet një faze e re e luftës politike dhe juridike për të mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.