Shënohet viktima e katërt e virusit të ri në Kinë, konfirmohet përhapja mes njerëzve - Gazeta Express
string(83) "shenohet-viktima-e-katert-e-virusit-te-ri-ne-kine-konfirmohet-perhapja-mes-njerezve"

Shënohet viktima e katërt e virusit të ri në Kinë, konfirmohet përhapja mes njerëzve

Gazeta Express

21/01/2020 8:11

Ka vdekur edhe personi i katërt që ishte infektuar nga një virus misterioz në Kinë. Autoritetet konfirmuan se virusi i ri mund të përhapet nga njeriu në njeri, ndonëse më parë besohej se ai po përhapet përmes kafshëve të sëmura.

Një burrë 89-vjeçar ishte viktima e fundit e virusit që e shkakton një lloj pneumonie. Ai jetonte në Wuhan, pikërisht në qytetin ku u shënuan rastet e para.

Lexo Edhe:

Më shumë se 200 raste të infektimit janë raportuar në qytetet kryesore të Kinës, përfshirë Pekinin dhe Shangain.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë konfirmoi të hënën se dy raste të infektimit në provincën Guangdong janë rezultat i përhapjes nga njeriu në njeri.

Në një deklaratë tjetër, Komisioni Komunal i Shëndetësisë në Wuhan njoftoi se së paku 15 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me këtë virus, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike.

Të gjithë personat e infektuar po mbahen të izoluar gjatë trajtimit nëpër spitale.

Rasti i parë i këtij virusi u shënua në fund të vitit të kaluar në Wuhan, ku jetojnë 11 milionë njerëz.

Virusi tashmë është përhapur edhe jashtë Kinës. Dy raste janë shënuar në Tajlandë, një në Japoni dhe një tjetër në Korenë Jugore, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.