Zyrtarët afganë kanë thënë se së paku gjashtë persona janë vrarë në një sulm të talibanëve në provincën Balkh, pavarësisht marrëveshjes për zvogëlimin e dhunës, të nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe grupit famëkeq.
Guvernatorja lokale, Salima Mazari tha se në këtë sulm u plagosën pesë persona, duke shtuar se cak i sulmit ishte një pikë kontrolli e forcave qeveritare në distriktin Kint.
Ndërkohë në provincën Samangan, militantët i rrëmbyen një guvernator rajonal dhe dy punëtorë qeveritarë gjatë kohës kur ata po shkonin në punë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Më herët gjatë këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe talibanët njoftuan për arritjen e marrëveshjes për zvogëlimin e dhunës, e cila hyri në fuqi më 22 shkurt.
Nëse kjo marrëveshje respektohet, palët kanë paralajmëruar se do ta nënshkruajnë paktin e paqes, me të cilin Shtetet e Bashkuara do t’i largonin trupat ushtarake nga Afganistani.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se në marrëveshjen fillestare përfshihet ndalimi i sulmeve në qytetet e mëdha, sulmeve ndaj trupave ushtarake dhe ndaj bazave ushtarake të forcave të huaja dhe se çfarëdo sulmi tjetër nuk duhet të cilësohet si shkelje e marrëveshjes.