Shëndeti mendor – Mitet dhe të Vërtetat! - Gazeta Express
string(37) "shendeti-mendor-mitet-dhe-te-vertetat"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

10/10/2022 19:15

Shëndeti mendor – Mitet dhe të Vërtetat!

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

10/10/2022 19:15

Çfarë është shëndeti mendor? Është ngjyra, toni dhe cilësia e zërit të brendshëm që definon, shoqëron njeriun nga fëmijëria shumë e hershme, është mënyra se si njeriu flet me veten dhe të tjerët, perceptimi i botës dhe realitetit. Ky zë influencon mendimet, ndjenjat dhe veprimet.

Ky zë, pra gjendja e brendshme e njeriut, pra fusha e studimit të shëndetit mendor, padyshim që është temë e vjetër sa njeriu i parë e nga natyra skajshmërisht abstrakte shumë vonë u bë fushë studimi. Studimi është veprim për të cilin nevojitet kohë e lirë, është produkt i kohës të lirë rrjedhimisht duke e ditur se sistemi jetësor ishte i ndërtuar mbi gjueti e pastaj në bujqësi njerëzit ishin në dertin e mbijetesës. Ata që janë marrë me studim kanë qenë prijësit fetarë dhe super të pasurit. Me industrializimin u shtua koha e lirë tek masa e gjerë dhe shkrim- leximi filloi të bëhet më i qasshëm.

Lexo Edhe:

Duke nisur nga shekulli i artë para erës tonë, besimi i kohës së atëhershme për çrregullimet mendore besohet se janë shkaktuar nga shpirtrat e këqij dhe nga ata tentohej të shpëtohej me rrahje të llojllojshme të personave, djegie të objekteve të ndryshme etj. Hipokrati, i cili njihet si babai i mjekësisë, ishte i pari i cili prezantoi hipotezën se epilepsia është një sëmundje e trurit, dhe kështu hodhi themelet e para të observimit shkencor të çrregullimeve mendore.

Në mesjetë, në Europën e sunduar me sistem kishtar, dominant ishte mendimi se personat me çrregullime mendore (skizofrenik, maniak, histerik) janë djaj, kështu që filluan të digjen për së gjalli ku vetëm në Skoci (BM) përcillet se janë djegur rreth 20.000 persona.

Qytetërimi Perëndimor cilësonte si katastrofë këto fenomene dhe kishte sistematizim mizoresk për trajtim të personave të tillë. Nga ana tjetër, në qytetërimet Lindore ka dëshmi që personat me çrregullime mendore janë dërguar për rehabilitim nëpër teqe ku kanë tentuar terapi me muzikë dhe ngjashëm.

Në modernizëm, pra rreth shekullit XVII, në Europë u vendos që doktorët mjekësorë duhet të vendosin për fatin dhe trajtimin e personave me çrregullime mendore. Këtu si shkëputje nga kisha dhe shkencërizimi i shëndetit mendor, u themelua psikologjia si shkencë në vete në Universitetin e Leipzigut nga ana e Wundit. Ndërkohë Freudi me teorinë e tij që përcaktonte nënvetëdijen, konstruktimin e personalitetit me idi (ana kafshërore te njeriu), superego (shoqëria brenda njeriut) dhe ego (baraspesha e përplasjes së idit dhe superegos) dhe hipotezën e dëshirimeve seksuale të foshnjave (oedipus dhe elektra) bëri bujë të madhe në Europë ku Freudi edhe u shpall baba i Psikologjisë.

Psikologjia – psyche (shpirt) dhe logos (shkencë) vazhdon të jetë shkencë sociale e cila merret me observimin e veprimeve njerëzore dhe mendimeve dhe emocioneve që i shkaktojnë ato veprime. Nga ana tjetër Këshillimi Psikologjik si psyche (shpirt) terapi nuk është shkencë është art i cili shërbehet nga informatat që i ofron psikologjia.

Këshillimi Psikologjik filloi në Boston, SHBA në vitin 1895 si këshillim i studentëve për orientime profesionale dhe karriere. Nga ky shërbim u detektua që orientimi në karrierë nxitet nga disa faktorë të ndryshëm individualë dhe socialë dhe se njeriu që të orientohet në karrierë njëherë duhet të kalon nga këshillimi psikologjik individual.

Këshillimi Psikologjik ose Psikoterapia merret me krijimin e lidhjes së njeriut me zërin e brendshëm të tij. Kthimin e njeriut kah vetes së vet. Kuptimin e historisë, mundësi që njeriu të dëgjojë problemin e vet dhe ta shenjtërojë atë në mënyrë që të bëhet një me të. Art ku psikoterapisti me informatat profesionale që posedon, stimulon tek personi që merr këshillim vetëbesim, vetëmjaftueshmëri, vetërespekt dhe aftësi për vetëzgjidhje të problemit.

Ndoshta gjithçka që mund t’ju premtojë këshillimi psikologjik është si të menaxhoni, si të jetoni me një dozë të palumturisë. Mua çdoherë më ka bërë shumë kureshtare zanafilla e asaj që e quaj zë i brendshëm. Kush na e mëson? A është origjinalisht zëri ynë ose përbrendësim i një zëri të jashtëm? Zëri i cili neve na flet, por ne nuk e dëgjojmë me shqisën e të dëgjuarit por me nënvetëdijen tonë është gjuha e ndjenjave që neve na është mësuar para se të na mësohen fonemat e para.

Poetja Louise Glück thotë se njeriu vetëm njëherë sheh botën, në fëmijëri, e tjetra është vetëm kujtim. Mendoj se është me rëndësi të madhe jetësore eksperienca e këshillimit psikologjik, hedhja e një shikimi jetës me qëllim që të vazhdohet më e përmbushur se kurrë më parë. Ndalja për pak në seancë dhe përqafimi i vetes. Njeriu i cili pastron llogaritë me veten rregullon në mënyrë brilante llogaritë me botën. Psikoterapia është arti i përballimit të sistemit, shërimit të kujtimeve dhe bisedave terapeutike. Psikoterapia është arti i parandalimit të dhëmbëve të psikiatrisë.