ShBA-ja mbron myslimanët në Kinë, por kundërshton hetimet për krimet në Palestinë - Gazeta Express
string(80) "shba-ja-mbron-myslimanet-ne-kine-por-kundershton-hetimet-per-krimet-ne-palestine"

Lajme

Gazeta Express

04/03/2021 10:54

ShBA-ja mbron myslimanët në Kinë, por kundërshton hetimet për krimet në Palestinë

Lajme

Gazeta Express

04/03/2021 10:54

Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zëshme për mbrojtjen e të drejtave të pakicës myslimane në Kinë, por duket se të njëjtën qasje nuk e kanë edhe për myslimanët që jetojnë në territoret e pushtuara palestineze.

Në janar të këtij viti, Departamenti i Shtetit tha se arrestimi dhe mbajtja e ujgurëve në kampe në Kinë përbën gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. Ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pati deklaruar se Kina është duke i shënjestruar myslimanët ujgurë dhe pjesëtarët e pakica tjera.

Lexo Edhe:

Besohet se Kina ka ndaluar rreth një milion ujgurë në rajonin Xinjiang gjatë tri viteve të kaluara. Ata po mbahen në kampe me qëllim që t’iu ndryshohet identiteti fetar si dhe të bëhen pjesë e punës së detyrueshme e viktima të sterilizimit e torturës, shkruan Forbes, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë qasje tjetër rreth dyshimeve për krime lufte në territoret palestineze, ku shumica e viktimave besohet se janë palestinezë. Sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken, tha se vendi i tij e kundërshton fuqishëm vendimin e kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për të nisur hetime rreth dyshimeve për krime në territoret palestineze.

Sipas kryeprokurores, në këto hetime do të mbulohen ngjarjet në Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që nga qershori i vitit 2014, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Muajin e kaluar, gjykata me seli në Hagë mori vendim që mund ta ushtrojë juridiksionin e saj për ngjarjet në territoret palestineze.

Izraeli e ka kundërshtuar fillimin e këtyre hetimeve, ndërsa zyrtarët palestinez e mirëpritën atë. Shtetet e Bashkuara, siç pritej, i dolën në krah Izraelit dhe u shprehën të zhgënjyera me nisjen e hetimeve.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka juridiksion që t’i ndjekë penalisht personat e akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e shteteve nënshkruese të Statutit të Romës.

Izraeli nuk e ka ratifikuar këtë statut, por gjykata vlerësoi se ka juridiksion për të zhvilluar hetime rreth territoreve palestineze, sepse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka pranuar palestinezët në këtë traktat në vitin 2015.

Izraeli i okupoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët synojnë që këto territore t’i bëjnë pjesë e shtetit të tyre që aspirojnë ta formojnë në të ardhmen.