SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj punonjësve të Huaweit - Gazeta Express
string(58) "shba-ja-do-te-vendose-sanksione-ndaj-punonjesve-te-huaweit"

SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj punonjësve të Huaweit

Gazeta Express

15/07/2020 18:49

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se do të vendosë ndalime udhëtimi për punonjësit e gjigantit të teknologjisë kineze Huawei dhe ndërmarrjeve të tjera kineze.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se këto kompani, po ndihmojnë qeveritë autoritare në goditjen e të drejtave të njeriut.

Lexo Edhe:

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e bëri njoftimin një ditë pasi qeveria britanike tha se do ta përjashtonte Huawein nga rrjetet e saj 5G, pas shqetësimeve se të dhëna të ndjeshme, mund të përvetësohen nga Partia Komuniste Kineze.

Pompeo u tha gazetarëve në një konferencë për media se punonjësit e Huaweit që sigurojnë “mbështetje materiale për regjimet që merren me shkelje të të drejtave të njeriut” do të përballen me sanksione.

“Kompanitë e telekomunikacionit në të gjithë botën duhet ta kenë parasysh një fakt: Nëse bëjnë biznes me Huawein, po bëjnë biznes me shkelësit e të drejtave të njeriut”, tha Pompeo.

Nuk është e qartë se sa punonjës të Huaweit do të preken nga sanksionet amerikane.

Huawei ka thënë në faqen e internetit se ka më shumë se 194,000 të punësuar në më shumë se 170 vende dhe rajone.

SHBA-ja gjithashtu ka kërcënuar NATO-n dhe aleatët e tjerë me kufizime ose pezullime në shkëmbimin e inteligjencës dhe bashkëpunimit nëse ata lejojnë komponentët ose teknologjinë e Huaweit në rrjetet e tyre.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjithashtu tha se administrata po finalizon planet për të ndalur vjedhjen e të dhënave nga aplikacioni kinez TikTok, megjithëse ai nuk tha nëse ky aplikacion do të ndalohet plotësisht në SHBA.

SHBA-ja ka udhëhequr një fushatë në mbarë botën për të bindur qeveritë e huaja, veçanërisht ato në vendet aleate, të ndalojnë Huawein nga rrjetet e tyre të përparuara telekomunikuese, duke argumentuar se përfshirja e kësaj kompanie në ato sisteme do të çonte në shkelje të privatësisë së qytetarëve të tyre.