Shaqiri: Të bashkuar mund të arrijmë shumë, e dëshmuam ndaj Barcelonës


Gazeta Express
22 Maj 2019 23:22

Xherdan Shaqiri ka këmbëngulur se Liverpooli kurrë nuk do ta kishte arritur rikthimin historik ndaj Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sikur mos të kishte qenë për unitetin mes lojtarëve.

Prandaj, ylli kosovari i Zvicrës, u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tij te Liverpooli para finales së madhe në Ligën e Kampionëve ndaj Tottenhamit që së bashku ata mund të arrijnë edhe më shumë, shkruan Gazeta Express.

Skuadra e Jurgen Klopp e arriti finalen e dytë radhazi në garën elitare evropiane pasi e mundi 4:0 Barçën në ndeshjet e kthimit në Anfield, edhe pse ndeshjen e parë e kishte humbur 3:0.

Të kuqtë tani janë duke u përgatitur në kampin stërvitor në Marbella, për finalen e 1 qershorit në Wanda Metropolitano në Madrid. Shaqiri beson se kjo do t’i ndihmojë skuadrës të jetë edhe më e bashkuar.

“Gjëja më e rëndësishme për një grup të madh është të jetë i bashkuar”, tha numri 23 për Liverpoolfc.com.

“Së bashku, ne mund të arrijmë shumë, këtë e kemi parë në ndeshjet si ajo ndaj Barcelonës, për shembull”, shtoi ai.

Shaqiri është në kërkim të lavdisë në Champions për herë të dytë. Ai e fitoi garën më të dëshirueshme për klube në vitin 2013 me Bayern Munich. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart