Shalenberg: Në Austri ka konsensus për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE


Gazeta Express
7 Tetor 2019 14:32

Ministrit federal për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme të Austrisë, Aleksander Shalenberg është duke qëndruar sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku ka realizuar takime me kryeministrin, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Mesazhi kryesor i tij ishte se, në Austri ka konsensus për vendim pozitiv për nisjen e negociatave anëtarësuese të RMV-së dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian, qysh në muajin tetor.

Ekziston konsensus i fuqishëm në Austri, për vendim pozitiv për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) në Këshillin e Bashkimit Evropian (BE) gjatë muajit tetor, u tha në takimin ndërmjet kryeministrit Zoran Zaev dhe Aleksander Shalenberg, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u shpreh mesazh i qartë nga Austria me mbështetje për zgjerimin e BE-së dhe për integrimet evropiane të vendit tonë. U përcoll se ekziston konsensus i fuqishëm në Republikën e Austrisë për vendim pozitiv për RMV-në në Këshillin e BE-së në tetor. Në takim u konstatua se vendimi pozitiv është vendimi i vetëm i saktë për vendin tonë. U konstatua se RMV-ja ka plotësuar kushtet e duhura dhe se tani radhën e ka Evropa”, thuhet në kumtesën e dërguar nga Kabineti i Zaevit.

Siç thuhet më tej në kumtesë, në takim u konstatua se Republika e Austrisë është një nga investuesit më të rëndësishëm në vendin tonë, ndërkaq u shpreh gatishmëri për bashkëpunim ekonomik dhe për zgjidhjen e krizës së emigrantëve mes të dyja shteteve.

Në takimin me zëvendëskryeminstrin Bujar Osmani, Aleksander Shalenberg është njoftuar për aktualitetet në vend dhe rajon. Ata janë dakorduar se, çelësi i progresit të vendit dhe rajonit në periudhën që vijon, mbetet fillimi i negociatave me BE-në, si hap drejtë integrimit evropian, jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit.

“Posaçërisht e vlerësojmë interesin e Austrisë, si fqinj i afërt i rajonit të Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht rolin që kishte vendi gjatë kryesimit austriak me BE-në, periudhë kur vendi realizoi progresin më të madh në integrimet evropiane”, tha Osmani në takim, kumtojnë nga Kabineti i tij.

Pozita austriake është e qartë – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të marrin datë për fillimin e negociatave në Këshillin Evropian, që duhet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa në dobi të Shkupit është që Tirana të fillojë negociata – kjo është mirë për vendin, për shtetin fqinj, rajonin, por edhe për tërë gjendjen gjeopolitike.

Këto qëndrime i dhanë, Aleksander Shalenberg dhe ministri Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në pyetjen sa është e mundur që Këshilli i Evropës javën e ardhshme në Bruksel t’i ndajë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë lidhur me datën për fillimin e negociatave, ministri federal austriak për Evropë, integrim dhe punë të jashtme, Shalenberg theksoi se nuk dëshiron të gjykojë për diskutimet që do të zhvillohen atëherë.

“Pozita jonë si Austri është e qartë. Besojmë se që të dy vendet edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria duhet të ftohen nga ana e Brukselit dhe të fillojnë negociata”, ka thënë Shalenberg.

Dimitrov theksoi se në këtë çështje mund të përgjigjet nga tre aspekte.

“Kemi interes shtetëror që Shqipëria fqinje të bëjë hap përpara, ne jemi fqinj të mirë, kjo është mirë për ne, para së gjithash për Tiranën, por edhe për tërë atmosferën dhe situatën gjeopolitike të Ballkanit. E dyta procesi i inkuadrimit është proces i cili është i fokusuar në arritjen individuale dhe nëse tek grupet e para të vendeve prishet logjika e kushtëzimit të procesit dhe e treta nuk guxojmë të lejojmë njëra të jetë viktimë e tjetrës, dy është më mirë se një, megjithatë një është më mirë se zero, që është mossukses edhe për vetë BE-në dhe mund ta prishë vetë politikën e zgjerimit”, ka thënë Dimitrov.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart